Shtëpia e Jarit kishte vetëm një dhomë, dhoma e tij vetëm një dritare, dritarja ngrihej vetëm nja dy pëllëmbë mbi kalldrëmin e rrugës dhe, meqë krevati ndodhej ndanë saj, me të dëgjuar hapa, djalit i doli gjumi. Kur tërhoqi kindin e perdes, humbi disa çaste duke kapsallitur qerpikët e gjatë, që sikur u lëshonin hije atyre syve të mëdhenj, për të cilët vajzave u bënte xhani fërk. Pastaj e pikasi kalimtarin, mirëpo e pa me shpinë, sepse tjetri po hynte në kthesë dhe nuk arriti ta njihte.

