Lahuta e malcis e Gjergj Fishtës, e përbërë nga 15612 vargje, të organizuara në tridhjetë njësi të veçanta, të cilat autori i quan kangë, përshkohet tejembanë nga rima si element i qartë dhe i theksueshëm i strukurës artistike të saj. Vështrimi i funksionit të rimës ndaras nga ritmi, nga intonacioni dhe nga eufonia e vargut, sikundër veprohet kësaj radhe në këtë kumtesë, mund të bëhet vetëm kushtimisht, sepse këto elemente të strukturës artistike të tekstit poetik janë gjithnjë të mpleksura, duke futur në trupin e njësisë ritmike vazhdimisht skemat e ndryshme të përsëritshmërive, kundërshtitë dhe plotësimet e tyre, të cilat janë fijet e semantikës poetike dhe të përjetimit estetik të tekstit. Në veprën Lahuta e malcis, rima është një element më fort i identifikueshëm dhe më veprues në konstruksionin artistik dhe semantik të saj, prandaj, kujtojmë se funksioni i saj mund të bëhet objekt analize dhe vlerësimi, pa cënuar integritetin e elementeve të tjerë artistikë.

