Kajsi dhe Lejla janë dy personazhe shumë të njohur në letërsinë arabe. Ata u rritën bashkë që në fëmijëri, luanin dhe kullosnin devetë bashkë; i ndante veçse nata, kur secili shkonte në shtëpinë e vet. Sa filluan të hidhnin shtat, i ndaluan të takoheshin, se zakonet dhe traditat arabe e kërkonin që mes tyre të viheshin kufijtë.
Një ditë, e ëma i tha djalit:
– O Kajs! Lejla është rritur tashmë dhe nuk mund të dalë vetëm e të takohet me ty.
– Po unë e dua, o nënë.
– Mos ia thuaj këtë askujt, sepse mund të dëgjojnë familjarët e saj dhe do refuzojnë të martohesh me të.
– Nënë! Lejla është e imja dhe unë jam i saji. S’na ndan gjë veç vdekjes.
– O biri im, bëj durim dhe boll u vërdallose rreth shtëpisë së saj.
– Po ku ta gjejë një djalosh si Kajsi kaq durim, o nënë? Kush mundet ta ndalojë Kajsin që të vërtitet rreth shtëpisë së Lejlës?
Me këtë rast, thuhet se ai thuri vargjet:
Pranë shtëpisë së Lejlës sa herë kaloj
muret e saj i puth dhe me dorë i prek
jo, s’janë muret ato që dashuroj,
por atë brenda tyre e që zemrën ma djeg.
Por ajo që ia përvëloi zemrën Kajsit qe refuzimi i familjes së Lejlës që ta martonte vajzën me të, pasi, sipas traditës, nuk mund t’ia jepnin djalit që flirtonte me të. Kështu, ata e martuan Lejlën me dikë tjetër. Në këtë pikë, Kajsi kaloi nga ndjenja e dashurisë në zjarr përvëlues që ia digjte shpirtin, ndaj e braktisi familjen e farefisin dhe mori dhenë; shkoi në shkretëtirë. Flinte mbi dunat e rërës dhe vajtonte ndarjen nga e dashura e zemrës. Me lotët e syve dhe të zemrës ai thuri poezitë më të bukura të dashurisë. Sa herë pushtohej nga malli i papërballueshëm për Lejlën, ai shfaqej pranë shtëpisë së saj, me fytyrën e zbehtë, rrobat e rreckosura dhe trupin e ligsht. Aty ndiqte nga pas fëmijët që e ngacmonin dhe e thërrisnin: I çmendur!
Duke parë gjendjen e vajtueshme të Kajsit, disa të afërm e këshilluan babanë e tij që ta çonte në Mekë, të vizitonin vendet e shenjta dhe të luteshin që Zoti ta shëronte nga dashuria e zjarrtë për Lejlën.
Atë e bir shkuan të kryenin ritualin e sjelljes rreth Qabesë. Babai e luste Zotin që ta shëronte të birin nga ajo dashuri, ndërsa Kajsi të gjitha lutjet i kishte veç për Lejlën. Sa herë që i ati lutej: “O Zot, shëroje tim bir nga dashuria për Lejlën!”, Kajsi përgjërohej: “O Zot, falja të metat Lejlës, lumturoje në këtë jetë dhe mos më lër asnjë çast të jetoj pa dashurinë për të!”.
Duke ia dëgjuar lutjet, një nga shoqëruesit i tha: “E lus Zotin që të ta heqë nga zemra dashurinë për Lejlën!”.
Kajsi iu përgjigj: “Në fakt, unë e lus Zotin që të ma shtojë dashurinë për Lejlën!”.
Gjatë qëndrimit në vendet e shenjta, Kajsi thuri këto vargje:
Me përgjërim të madh u lutën haxhilerët
të drobitur dhe me plot gjynahe të zënë në faj
o i Gjithëmëshirshëm, u luta, jo si të tjerët
ma jep Lejlën mua, s’dua tjetër veç saj.
Nëse ma jep Lejlën në këtë jetë
për çdo mëkat tek ti do pendohem
vetëm pranë saj për mua paqe do ketë
duke ma sharë, dashuria për të veç shtohet.
Bëj sabër, o zemër, se e vetmja nuk je
pa dashurinë e jetës, plot të tjerë si vetja ke.
Vizita e Qabesë dhe vendeve të shenjta nuk i bëri dobi ashikut të Lejlës, madje ia shtoi edhe më shumë dashurinë, e çmendi pas saj, aq sa poezitë për vajzën rridhnin njëra pas tjetrës.
Ndikimi i dashurisë
Kjo ndjenjë dashurie e bëri Kajsin një poet që hyri në histori, e bëri trim që nuk i tutej vdekjes dhe kërcënimeve se do ta vrisnin nëse i qasej shtëpisë së Lejlës. Këto shantazhe nuk e ndaluan aspak Kajsin t’i vërdallosej shtëpisë së dashurisë së tij. Sa herë që familjarët e saj e vinin re, akuzonin Lejlën, madje edhe e torturonin fizikisht. Ashiku, teksa dëgjonte britmat dhe lajmet për vuajtjet e saj, thurte poezi:
Si mund të torturohet Lejla për vizitat e mia
çfarë faji ka delja, që ujku i qepet nga uria
Lejlën kush e nderon, më nderon dhe mua,
kush e fyen, të mirën s’ia dua
sekret i shpirtit tim është Lejla sot
ëmbëlsia e tij është, pa të s’jetoj dot.
Nëse më ndalojnë t’ia shoh sytë
me roje rrethuar, natë e ditë
Do shkoj tek ajo, me gjithë shpatat mbi kokë,
do sillem rreth lagjes, t’i dëgjoj zërin, o i madhi Zot.
Dashuria për Lejlën dhe largësia bënë që Kajsi të çmendej. Ishte një çmenduri ku i dashuri shkrihej tek e dashura, që ia kish marrë në zotërim ndjenjat dhe shqisat.
Mexhnuni[1] i Lejlës, Kajs ibnul Meluh, pa një ditë qenin e të dashurës së zemrës dhe iu vu pas, me shpresën se do ta çonte tek ajo. Teksa ndiqte qenin në shkretëtirë, kaloi pranë disa burrave që po luteshin. Kur u kthye, i gjeti po aty. Ata, pasi e përshëndetën, e pyetën:
– Kur na kalove pranë qëparë, përse nuk na u bashkove që të luteshe me ne?
Kajsi u përgjigj:
– Pasha Zotin, as që ju kam vënë re. Dhe e dini çfarë, nëse do ta donit Zotin sa e dua unë Lejlën, as që do më kishit vënë re. Ju i luteshit Zotit dhe më patë, ndërsa unë, që rendja pas qenit të saj, jo. Më mirë lutuni përsëri!
Kur e pyetën Mexhnunin sa shumë e donte Lejlën, tha:
– Aq shumë, sa edhe dielli mbi muret e shtëpisë së saj më duket më i bukur sesa mbi muret e fqinjëve!
Ai u orvat me gjithë ç’mundej ta jetonte atë dashuri, por zakonet dhe normat e popullit të tij e privuan. E Kajsi nuk gjeti tjetër kënd t’ia qante hallin e ta mirëkuptonte, veç të dashurës së parë, nënës, e cila i tha:
– Bir! Edhe unë po e vuaj dhimbjen tënde.
– Nënë, dua ta shoh qoftë dhe një herë të vetme. S’kam asnjë dëshirë për jetën nëse nuk e shoh. Prandaj shko dhe përgjëroju që të vijë për vizitë. Veç kështu mund të gjej prehje. Të lutem, nënë!
Dhe nëna vajti te Lejla që t’i kërkonte të takohej me djalin. Me fjalë mbushur plot lot e dhimbje për të birin, i tha:
– Lejla! Im bir është çmendur, ka luajtur mendsh pas teje, aq sa ka hequr dorë dhe nga të ngrënit e të pirit.
– E ç’faj kam unë dhe çfarë mund të bëj për të?
– Të ndjesh keqardhje për të para se të vdesë.
– Po, ndjej shumë, por ç’mund të bëj konkretisht?
– Të vish me mua e ta takosh.
– Ta takoj? Çfarë po thua?!
– Të përgjërohem Lejla. Jeta e tij është në rrezik, mbase duke të të parë qetësohet dhe i kthehet normalitetit.
Ishte një kërkesë njerëzore, që pati jehonë në zemrën e Lejlës, së cilës iu desh t’i fshihte ndjenjat, pasi zakonet dhe jeta fisnore mund t’ia lejonte djalit t’i shprehej një vajze, por assesi e kundërta. Lejla e donte Kajsin dhe dëshironte që tragjedia e atij poeti krijues të përfundonte me martesën e tyre, por…
– Dëgjo teze, nuk mund të vij tani në mes të ditës, sepse më shohin sytë e njerëzve e më përflasin gjuhët e tyre. Por do vij kur të bjerë nata.
Më në fund, takimi mes Mexhnunit të Lejlasë dhe të dashurës së tij ndodhi në praninë e të ëmës. Mbizotëroi heshtja, u shprehën sytë, rrahën zemrat dhe fytyrës së Kajsit iu kthye buzëqeshja dhe nuri.
***
Çfarë tragjedie jetoi ai poet dhe cilën nga poezitë e tij mund të zgjedhim për të rrëfyer historinë e tyre të dashurisë? Në fakt, të gjitha poezitë e të çmendurit pas Lejlës, që janë shumë, kanë si subjekt një histori: atë të dashurisë së flijuar, dashurisë për të cilën ai u martirizua, sepse ishte i sinqertë në atë dashuri derisa ndërroi jetë për hir të saj.
Siç e thamë më sipër, tradita e fiseve arabe refuzonte t’ia jepte vajzën dikujt që kishte flirtuar me të dhe i kishte dedikuar poezi, ndaj familja e martoi Lejlën me një burrë tjetër, kundër vullnetit të saj. I pushtuar nga kjo dhimbje shpirtërore e papërballueshme, që s’gjente ngushëllim askund, ai shkoi të jetonte në lartësitë e malit Tobad. Aty, në Arabinë Saudite, edhe sot gjendet një shpellë, e cila, sipas rrëfenjave, përdorej si bujtinë nga të rinjtë e pafat në dashuri.
Siç tregojnë gojëdhënat, një zonjë që banonte aty pranë, i çonte çdo ditë Kajsit ushqim, që ia linte te hyrja e shpellës. Por njëherë, dalloi se nuk e kishte ngrënë atë të një dite më parë, ndaj hyri brenda ta kërkonte dhe e gjeti të vdekur.
Ndër poezitë e tij që gjetën të gdhendura në muret e shpellës, ishin dhe vargjet e mëposhtme:
A s’më premtove, o zemra ime,
se po ta harroja Lejlën, do ta harroje dhe ti?
Penduar jam, dashuri s’ka më në mendjen time,
por pse çdo herë që përmendet, digjesh e tëra ti?
Përzgjodhi dhe përktheu nga arabishtja: Elmaz Fida
[1] I çmenduri (Meqë njerëzit këtë epitet ia njehsuan me emrin, Mexhnuni merr formën e emrit të përveçëm në tekst)