Press "Enter" to skip to content

Fëmija në gjumë – Cikël poetik

Fëmija në gjumë

Para se të shkonte në luftë vajti tek shtrati,
mbylli sytë dhe fjeti…
Në ëndërr pa atë që shohin fëmijët:
një fushnajë të gjerë ku lodronin drerët,
një tufë zogjsh,
pemë pjeshke,
lule në formë hëne,
dhe një ditë të gjatë.
Nga fundi i ditës, një burrë u avit me nxitim
dhe fëmijës i hodhi një këmishë gjaku;
fushnaja u zhduk, drerët ngordhën,
pemët u thanë,
dhe dita u zhduk.
Vogëlushi i bukur tha: S’prish punë!
I mbylli sytë
dhe e zuri gjumi,
dhe pa njëzet engjëj që zbarkuan pranë tij.
I pyeti: A i hani portokajtë?
A mund të luajmë lojën e maces me miun?
Unë po fshihem mbi shtratin tim,
prandaj më gjej o mace/engjëll…
Nga skaji i qiellit
ia behu një bombë mbi shtratin e bukuroshit të vogël,
engjëlli fluturoi,
kurse macja mjaulliu kur pa një gisht fëmije përdhe.
Vogëlushi bukurosh tha:
S’prish punë, s’prish punë!
Mandej mbylli sytë me sytë e vet
dhe e zuri gjumi…
Në ëndërr pa
peshq mbi mure,
një ujk që notonte në pellg,
një krokodil që po kthehej te klubi
dhe një grua që priste Zotin para pallatit të drejtësisë.
Bukuroshi i vogël thirri:
Nuk dua të shoh asgjë,
dua vetëm nënën time dhe shishen e qumështit.
Fëmija tha diçka
jo shumë të mirë
dhe jo shumë të keqe.
Rroftë rosa,
rroftë lumi,
rroftë macja,
rrofshin pemët,
rroftë motra dhe vëllai,
poshtë tanku…!
Mandej mbylli sytë me dy sytë e vet
dhe fjeti përgjithmonë.

Dëshira

Dëshiroj të shkoj në fshat
të këpus pambuk dhe të frymoj ajër.
Dëshiroj të kthehem në qytet
mbi një kamion plot bujq dhe desh.
Dëshiroj të lahem në lumë
nën dritën e hënës.
Dëshiroj të shoh hënën,
një libër apo një muze.
Dëshiroj të kem një dhomë,
që nxë një mijë miq.
Dëshiroj të jem mik
i ajrit dhe i gurit.
Dëshiroj të derdh një det
në birucë.
Dëshiroj të vjedh qelitë
dhe t’i flak në det.
Dëshiroj të jem magjistar,
të fus thikën në kapelë,
mandej ta shtrij dorën
dhe prej saj të nxjerr një këngë të bardhë.
Dëshiroj të kem një kobure
e t’u qëlloj ujqërve.
Dëshiroj të jem ujk
e të shqyej këdo që qëllon me armë.
Dëshiroj të fshihem brenda një luleje
nga frika e katilit.
Dëshiroj të vdesë vrasësi
me të parë lulet.
Dëshiroj të hap një dritare
në çdo mur.
Dëshiroj të vë një mur
para syve të atyre që mbyllin dritaret.
Dëshiroj të jem shkundullimë,
që t’i tund zemrat e mefshta.
Dëshiroj që në çdo zemër,
të ngjesh një tërmet urtësie.
Dëshiroj të rrëmbej një re
dhe ta fsheh në shtratin tim.
Dëshiroj që hajdutët ta rrëmbejnë shtratin tim
dhe ta fshehin në një re.
Dëshiroj që fjala të jetë pemë,
një simite apo puthje.
Dëshiroj që ata që nuk i pëlqejnë pemët,
simitet,
dhe puthjet,
të mos flasin.

Ujku

Ujku që më shqeu
më braktisi në pyll.
Kush do ma mbulojë kufomën me barishte,
me gjethet e thata të pemëve,
dhe dheun sipër?
Kush do ia lexojë Fatihanë shpirtit tim?
Kush do m’i mbyllë sytë e lemerisur?
Kush do vërë mbi gjoksin tim,
një kryq me lule?
Ujku që më shqeu,
u shndërrua në unë,
ai mori fytyrën time të zbehtë,
dy buzët që fërgëllonin,
dhe zemrën time të mirë,
duke mbajtur për vete dhëmbët.
Unë jam ujku,
ashtu këmbëbardhë,
sorollatem në qytet dhe angullij.
Unë e vrava gjahtarin në pyll,
unë jam gjahtari,
prandaj bëni kujdes nga dashuria ime
dhe bëni kujdes nga dhëmbët e mi.

Ajo që ndodh me mua dhe ju

Ajo që më ndodh mua është se
vuaj shumë
dhe çirrem: Aaaah!
sa herë shoh njerëz, kafshë dhe pemë!
Ajo që më ndodh mua është
se jam shumë i lumtur
dhe them: S’prish punë, o mik,
akoma kemi njerëz, kafshë dhe pemë,
njerëz që punojnë dhe dashurojnë,
kafshë që punojnë dhe dashurojnë,
pemë që lulëzojnë kahera.
E keqja është se ne,
akoma themi: Aaaaah!
çdo mëngjes,
mbrëmje
dhe sa herë vëmë kryet mbi jastëk!

Mrekullia

Fjala e parë në mëngjes
të dedikohet ty
dhe fjala e fundit në mbrëmje
të dedikohet po ty.

Rrugë

Ky qytet është plot rrugë;
rrugë të hapura,
që më çojnë në të gjitha drejtimet.
Por, më dëgjo, të lutem,
jetët tona janë të mbyllura,
dhe rruga e vetme e duhur
është ajo që më çon drejt zemrës tënde.

Stinë

Vera do përfundojë
pranvera do përfundojë
vjeshta do vijë
dhe dimri vazhdon të jetë goxha larg.
Në cilën stinë jemi ne të dy?

Përktheu nga origjinali: Elmaz Fida

Rijad Alhusain (Riyad Al-Saleh Al-Hussein, 1952–1982) ishte një poet sirian nga Daraa. Ai konsiderohet një nga pionierët më me ndikim të poezisë moderne arabe, pavarësisht jetës së vështirë e të shkurtër për shkak të problemeve shëndetësore. Në moshën 13-vjeçare u shurdhua pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në veshka. Shëndeti i lig dhe përjetimet e rënda për shkak të tij, e detyronin Rijadin të izolohej larg botës dhe miqve, megjithëse këta të fundit nuk e harronin. Thuhet se, të shqetësuar nga zhdukja e tij, dy poetët irakianë, Mahdi Muhammad Ali dhe Hashem Shafiq, i shkuan në dhomë dhe për fat të keq e gjetën në prag të vdekjes, duke u dridhur, në gjendje të përhumbur dhe duke u lutur për një pikë ujë. Ata e dërguan menjëherë në spitalin al-Muwasat të Damaskut, ku vdiq pasditen e 20 nëntorit 1982.
Munther pretendon se gjeti një dorëshkrim të kompletuar të poetit, të cilin e botoi për mikun e tij të ndjerë afërsisht një vit pas vdekjes së Rijad Alhusain. Poezia e tij parashikon disi edhe shkatërrimin në Siri sot.