Tashmë je e lirë…
jepma lamtumirën që më shkon përshtat,
kryet vari mbi sup tek porta dhe shtiru sikur qan
mbuloje fytyrën me duar
pastaj largohu dhe shih punën tënde.
Mos nxito në ikje
kjo derë do të shpjerë atje ku dëshiron
ndërkohë që zemra diku tjetër,
prandaj mos nxito…!
Ti je e lirë,
pasi i more të gjitha kujtimet,
mbete një gjë e vetme…
Te kjo tavolinë u takuam për herë të parë,
eja të ulemi sërish aty,
tani fshije kujtesën time;
kjo është gota jote, shamia e flokëve
fotografia kur ke qenë foshnjë
dhe një tjetër me kokën mbi supin tim.
Është dhe fotoja teksa fle në krahët e mi
dhe një tjetër kur të mbaj hopa;
fshiji të gjitha këto nga koka ime…!
Kraharori im nuk është më nënkresa jote,
një dimër i gjatë të pret para,
që ta kalosh si të duash,
dimër i acartë dhe i zbrazët,
që ta mbushësh me ëndrrat që dëshiron.
Ti je e lirë,
ndaj jepu hapësirë flatrave të tua,
zgjohu mëngjeseve me zërin tim;
ky është një zakon që e ndjej si obligim
sa herë shoh reagimin tënd.
Unë do fle mbi karrigen tënde lëkundëse çdo mbrëmje,
do dremit pranë kanarinës tënde të bezdisshme,
do të sjell ndërmend, por s’do lotoj,
do kthehesh një ditë e s’do debatoj me ty…!
Ky është filxhani i fundit i kafesë që gjerb me ty,
le ta kthejmë në një festë të vogël:
do shtie një copë sheqer shtesë për çdo filxhan;
duam që çastet e fundit të jenë të ëmbla…!
E di ku do vesh
– tek asgjëja –
unë jam e vërteta e vetme në jetën tënde
sepse dikush tjetër, sado i pranishëm të jetë,
do të të tretet brenda ëndrrës…!
Merre foton tënde nga portofoli im,
nuk më duhet,
jam i paaftë të të harroj
apo qoftë dhe të të zëvendësoj me dikë tjetër pas vitesh;
Merre, se tashmë je e lirë,
ke rrugë të gjatë përpara;
a je e bindur që nuk do të të shoqëroj?
Tashmë je e lirë nga poemat e mia
dhe stili im i çuditshëm i të shkruarit
– si sulmi i një fajkoi –
nga gjumi i trazuar mbi kraharorin tënd
dhe nga zëri kur të këndoj për ditëlindje…!
Thënë shkoqur, ti je e lirë…
e unë s’e di tamam
si mund të quhet një person në gjendjen time
në fjalorin gjuhësor…!
Përktheu: Elmaz Fida
Majed Moqbel është poet dhe romancier nga Jemeni. Jeton në Arabinë Saudite dhe është autor i pesë veprave.