Press "Enter" to skip to content

Fëmija i jastëkut

Unë jam fëmija i jastëkut
që ime ëmë e mbajti
ngjeshur mbi bark
për nëntë muaj.
Nuk e hiqte
veçse në tualet
prej nga dilte vetëm pasi
e shtrëngonte mirë e mirë,
fshehur nën rroba.
Ajo dilte në ballkon e fliste me fqinjët,
që t’ia shihnin barkun e fryrë
e ta pyesnin për shtatzëninë
e ajo u përgjigjej duke shfryrë e ankuar
se i dhembnin kryet dhe shpina.
Ditën e lindjes, familjarët pajtuan një mami,
që ia hoqi jastëkun nga barku,
nën britmat dhe ulërimat e nënës,
njëlloj si një grua gjatë lindjes natyrale.
E tillë ishte lindja ime.
Kam shumë vëllezër
por as dhe një motër të vetme…
Të gjithë ne
jemi bij jastëkësh,
të vetmuar.

Përktheu: Elmaz Fida

Autori
Monzer Masri
Autori
Elmaz Fida