Porta e Luanit
Vala e bardhë rreh muret e Butrintit
unë i vë shpatullat Portës së Luanit
pres të vijnë Uliksi, Jul Cezari
e ndoshta edhe Aleksandri i Madh
i vë duart në ije ta rris këtë gjysmë porte
mos ta përkulin krenarinë
kur të hyjnë solmnisht në këtë qytet kaq të bukur
zot, si më hyjnë në dhe këmbët
për veshë gjak i zi e nata në sy
më zgjon një kukamë qyqeje
zot paskan kaluar, kalëruar
portën luanët e dheut
duart m’i paskan shkelur me patkonj çeliku
kuajt hamshorë
sa gjak në gishta
nuk dua të ngrihem
as sytë s’i çel
pres muzgun
mos ta shoh sërisht atë portë xhuxhe
sa mos ta zë as Agimin e Vushtrisë
shëmtinë e bukurisë së djegur
të qytetit të Butrinit s’dua ta shoh
u hedh syve hi
Butrint, verë, 2021
Pelegrini
Do të nisem nga fusha e Galilesë
Si dikur tunikëbardhi me sandalet e rrjepura
E me zemrën e bardhë
Do i vjel mbetjet në kopshtije
Që i la dorë e mbarë
Me ligjin e Izraelit
Pak rrush nga vila me brymë
Ca kokrra ulliri e shegë gjaku të ëmbël
Zbathur do eci udhës së nxehtë
Të më djegë toka në zemër
Nën një palmë të urtë si engjëlli
Me durimin e një guri në pikëllim
Do pres muzgun e natës së zezë
Që t’i shoh yjet e Jerusalemit
Jam gati¹
Mata Hari
para agut
u zgjua e qetë
si të kishte fjetur nën puhinë e palmës
tha
ka ardhur ora ime
ulur në skaj të shtratit
u kreh ngadalë
i ndau flokët me vijë
me leje shkroi
dy fjalë në letër
u vesh solemnisht
me fustan të kadifenjtë
fjongo të mëndafshta
këpucët me taka
mantel e kapelë të bukur
e doreza të zeza
çantën me një gur diamanti s’e harroi
dhe njëherë pa vetën në pasqyrë
e drejtoi vathin e djathtë
jam gati – tha
e përsosur dhe e bukur si gjithherë
solemnisht eci deri te shtylla
në fushën e shkretë
ku do ta pushkatojnë
para se të lind dielli i zi
¹Akti i pushkatimit në Francë, më 15 tetor 1917, i valltares, artistes e zonjës enigmatike Margarrettha Geertruida Zelle, sipas përshkrimit të reporterit britanik Henry Wales.