Press "Enter" to skip to content

Metafora e kalit

Drilonin e zgjoi klithma e tmerrshme e gruas.
– Dikush… – tha, duke iu dridhur në krahë.
Ai, me njërën dorë, i përkëdheli kokën me flokët e gjatë të derdhur mbi gjoksin e tij, kurse me tjetrën u mundua t’i mbulonte trupin e zhveshur. U dëgjua përplasja e derës së hyrjes, hapa përgjatë korridorit dhe thyerja e derës së dhomës.
– Që nga ky moment je i arrestuar! Shkojmë! – urdhëroi polici me grada.
Pas disa orësh u gjend në dhomën e hetuesisë, i rrethuar nga shumë policë.
– Pse jam këtu? – i pyeti Driloni.
– Ke për t’i marrë vesh të gjitha, – i tha hetuesi.
– Më thoni! – foli prerazi ai.
– Ke kohë, je poet i metaforave. Se përse je këtu, do të ta tregojmë me metodat tona.
U befasua kur i treguan dorëshkrimin e librit të ri, kopjen e të cilit e kishte vetëm miku i tij më i ngushtë.
– Unë shfrytëzoj të drejtën e heshtjes dhe ndihem i pafajshëm.
– Edhe ne do të hetojmë me heshtje e për fajin do vendosë gjyqi, – tha me intonacion ironik hetuesi.
Përgjatë dy ditëve e mbajtën para një drite të fortë, saqë iu skuq fytyra dhe iu thanë sytë.
“Kjo është për metaforën e dritës, që e përdor aq shpesh në librat e tu”, shkruhej në letrën që i
kishin lënë në karrigen pa mbështetëse.
Natën vijuese nisën me torturën e pikës së ujit mbi ballë. Driloni nuk e lexoi fare dekodimin e shkruar sërish në letër, ngaqë e dinte që kishte shumë metafora të shiut në poezinë e tij. Për tri ditë e tri net i vunë një rrip të gjerë në brez dhe e varën në mes të dhomës. Kur në mur trupi i tij i varur reflektonte një hije të zezë fluturimi, iu kujtuan metaforat e shqiponjës në librin e ri. Metaforën e dhembjeve e përjetoi nga torturat e pamëshirshme që i bënë dy gardianë të fortë dhe brutalë, si dy boksierë të kategorisë së rëndë.
Metafora e gjakut vërshoi nga hunda dhe goja e tij e deformuar.
Kur mendoi se libri i këtyre metaforave të tmerrshme do mbyllej, e kapën përkrahu dhe e bartën
në një dhomë tjetër. Nuk duroi dot gjatë; rrëshqiti nga krahët e tyre dhe ra si ngjalë e lagur mbi
rërë.
– Nëse do të ikësh që këtu e të shkosh te gruaja jote e bukur, që e ka djegur epshi për ty, hipi kalit! – i thanë, duke e përqeshur dhe tallur.
Ai mezi çeli sytë dhe pa katër thundra kali të vizatuara në mur.
– Ta ndihmojmë pak, – foli polici thatanik.
E kapën nga jaka e këmishës së përgjakur, i mbërthyen të dyja këmbët dhe e ngritën lart, duke e mbështetur në mur, aty ku ish vizatuar kali.
– Mbahu, delia i nanës!
E mbajtën për pak ashtu pezull dhe e përplasën në dyshemenë e gurtë. “Of, nënë, bre!”, ofshau i mundur nga dhimbja, ndërsa të tjerët, me një qeshje histerike, filluan ta shqelmonin si të ish top i leckosur. Driloni, me një instinkt prej iriqi, u rrudh dhe u zvogëlua si fëmijë i gjorë. Pas katër-pesë përplasjesh për muri, ku ishte vizatuar kali, ra pa ndenja, por gardianët i vazhduan shkelmimet derisa çizmet iu përgjakën.
E lanë ashtu të alivanosur dhe urdhëruan mbajtësen e procesverbalit, që të shkruante se poeti Drilon u rrëza aksidentalisht nga kryemetafora e tij e kalit.