Press "Enter" to skip to content

Pushime në Saint-Tropez

Sapo kishte filluar punë në atë redaksi. I kishin dhënë një tavolinë me dy sirtarë privatë me çelës, me një kompjutër dhe një filxhan plot me lapsa, stilolapsa e poshtëshënjues me ngjyra. Ai shtoi fotografinë e fëmijëve të vet dhe të gruas. Kjo ishte shenjë se nuk donte të karrabythej seksualisht me askënd, as me gra, aq më pak me burra. Besohet se akoma është e mundshme, të paktën ligjërisht, të martohesh në mënyrë heteroseksuale, edhe pse nuk është në modë.
Në redaksi punonin rreth katërmbëdhjetë vetë, hynin e dilnin të paktën njëqind të tjerë në ditë. Përballë tij qe ulur një burrë, rreth të dyzetave, i cili bënte sikur shtypte në tastierë gjithë ditën, por nuk ia ndante sytë Andrea C.-së. Kishte pak urrejtje në shikimin e tij, por nuk arrinte të shndërrohej në kërcënim. E quanin Coelhio, si shkrimtarin brazilian, trup shkurtër, pak i errët në lëkurë. Andrea punonte shumë e s’kishte nge për detaje të tilla. Gjithsesi, këmbëngulja e përballasit, për të mos i ulur sytë gjatë gjithë ditës, e lodhte, e bezdiste.
Faqja e tyre e internetit, “FuckNews.com” qe bërë e famshme jo thjesht për shkak të emrit të pazakontë, por sidomos për problematikën që trajtonte. Faqet e internetit: “Shënomëni edhe mua” në SHBA dhe “Nxirrja bojën thiut tënd” në Francë kishin korrur një sukses të jashtëzakonshëm, me fushatën e furishme të denoncimeve publike ndaj burrave super të fuqishëm, që, gjatë karrierës së tyre, i kishin prekur gratë në vende që s’duhej ose edhe i kishin detyruar, përmes presionesh e kontratash, të ngrinin minifundet ose ta përdornin gojën jo veç për të folur e ngrënë.
“FuckNews.com” u themelua si nevojë e shoqërisë për balancim! – shkruhej në manualin e vlerave të ndërmarrjes. Në faqet e saj publikoheshin raste kur burrat ishin vënë me shpatulla për muri nga gra provokuese, nga ato që asgjë s’i ndal në rrugën drejt suksesit, parave, luksit. Fillimisht kishin hasur në një reaksion të egër të kundërshtarëve të tyre, por, me kalimin e kohës, peshorja kishte filluar të ekuilibrohej e pritej që të anonte në anën e tyre. Rasti më flagrant që kishin botuar, me të cilin kishin tërhequr vëmendjen e mediave të tjera, kishte qenë ai i një gruaje leshëprerëse, punonjëse e “Barber’s shop”, e cila, për të siguruar një rruajtje të pastër në faqet e një klienti, kishte futur në gojën e tij gishtin e saj të mesit. “Viktima” kishte dashur të përbihej, ta kalonte pështymën poshtë, ndërkaq berberja e kishte keqkuptuar këtë gjë, e kishte marrë si ftesë, si ftesë për thithje të tjera. Aty për aty, duke përfituar nga ora e hershme e mëngjesit, kishte mbyllur dyqanin dhe i kishte hyrë një thithjeje shkokluese. Burri i çnderuar, drejtor i një zyre punësimi sezonal për të huaj, pasi kishte mbërthyer pantallonat dhe kishte fshirë me flokët e saj shkumën e pastës së rrojës, ia kishte rrëfyer historinë sekretares së vet portugeze.
Telefonin në redaksinë e “FuckNews.com” e mori Andrea C.
– Shefin tim, sot, e kanë dhunuar seksualisht!
Ky ishte lajmi rreth të cilit Andrea C. bëri një hetim të hollësishëm, me intervista, takime, regjistrime sekrete dhe doli në përfundimin se gruaja e floktores e kishte përdorur postin e saj, për t’a çnderuar drejtorin e zyrës së punësimit sezonal. Burrat që rruhen nga gratë, e humbin pushtetin, epërsinë e tyre! Ndoshta nga frika e briskut në qafë. Kush do guxonte të vinte në dukje fuqinë e vet, me thikë në fyt? Andrea C., në lajmin e parë, kishte vënë në pikëpyetje sjelljen e drejtorit, duke kujtuar një fenomen fiziologjik, se nëse goja rri hapur, qoftë edhe me gishtin e një gruaje, gjëndrat e pështymës thaheshin, rrjedhimisht nuk kishte aq nevojë për t’u kapërdirë. Ai mund ta kishte bërë me dashje, për t’i dhënë gruas së shkretë sinjale të gabuara, të cilat ajo i kishte lexuar sipas vullnetit të pashmangshëm hormonal. Kjo kishte tërhequr vëmendjen e faqeve – hashtageve të sipërpërmendura, të cilat, në një lakore eksitimi dhe përdorimi të çdo sekondshëm të këtij skandali, i referoheshin sitit “FuckNews.com”.
Fama erdhi duke u rritur, por ishte në kundërshtim me politikën e faqes “FuckNews.com”. Andrea C., me nuhatjen e një gjahtari të vjetër, në kulmin e klikimeve që i bëheshin faqes së tyre, botoi me zë intervistën me rrojtësen e drejtorit, zonjën e bukur Maria Soares R. Në mes tjerash, kuptoheshin këto fjalë: “…ia kisha borxh. Përmes zyrës së tij kam gjetur punë; atëherë ai s’më kërkoi asgjë. Madje, ndoshta as që më mbante mend! Nuk jam penduar fare. Ai u gjet në befasi, por duket se i pëlqeu! Kaq më mjafton”.
Publikimi me zë i këtyre fjalëve shkaktoi një stuhi të paimagjinueshme publicitare. Faqja “FuckNews.com” mori kërkesa të panumërta për të bërë reklama milionëshe. Faqet e tjera, “Shënomëni edhe mua” në SHBA dhe “Nxirrja bojën thiut tënd” në Francë e sulmuan “FuckNews.com”, duke tërhequr edhe më shumë vëmendje.
Pronari i faqes, Jean-Francois L., hyri një ditë befas në “FuckNews room”. Nuk vinte shpesh. U rrinte larg bashkëpunëtorëve. Kishte dy sekretare, përmes së cilave komunikonte politikat e faqes. Zyra e tij ndodhej në hotelin “Miracle inn”, që ngrihej përballë ndërtesës ku ndodhej zyra e madhe e “FuckNews.com”.
– Puna juaj e mirë do të shpërblehet! Brenda zarfit ka një dhuratë. Shtatë ditë pushime të paguara në Saint-Tropez!
Të pranishmit u hodhën lart nga gëzimi. Veç Coelhio nuk kishte marrë zarf. Pronari u kthye drejt tij dhe e pyeti:
– Zoti Ribeiro, – mësuam kështu edhe mbiemrin e Coelhios, – nuk mund ta shpjegoj mosangazhimin tuaj në këtë aferë!
– Maria Soares R. është gruaja ime, zotëri! – tha Coelhio me një zë si të skuqur në vaj dhe doli nga salla.
Vapa e Saint-Tropez, që nga brendësia e zarfit, filloi të skuqte fytyrat e bashkëpunëtorëve të “FuckNews.com”. Një farmaci përballë u bënte reklama kremërave kundra diellit.

Autori
Arbër Ahmetaj
Kryeredaktor   | [email protected] | Website

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *