Ditë e natë punova për shkrimin e një romani. Sipas bisedës që bëra në telefon me botuesin, e lamë të flisnim më konkretisht nga afër rreth botimit të librit. U takuam te libraria e shtëpisë së tij botuese.
– Dëshironi të hidhni një sy vërdallë? – më pyeti ai burrë shtatvogël, duke më kërkuar me mirësjellje ta prisja sa të mbaronte disa punë të vogla në kompjuter.
Pastaj, thirri njërën nga shitëset:
– Tregoi zotërisë disa nga botimet e fundit.
Me këtë m’u duk sikur më hoqi qafe, duke më lënë në shoqërinë e librashitëses, një prej atyre grave që nuk u lexohet mosha dhe që buzëqeshin gjatë gjithë kohës. Ai e dinte mirë se gjatë pritjes do t’i vija librarisë rrotull, por nuk do të blija asgjë. Sidoqoftë, qëndrimi i një shkrimtari pranë banakut bën figurë të mirë në librari e kjo për të ishte një lloj reklame.
Gjatë hallakatjes nëpër stivat e librave dhe shfletimit të ndonjërit prej tyre, veshi më kapi disa dialogë mes librashitëses dhe klientëve. Dikur, tingulli lajmërues se dikush hyri brenda, më bëri të ktheja kokën instinktivisht. Një grua e pispillosur, me një dekolte të ekzagjeruar të fustanit, që farfurinte nga ngjyra e ndezur portokalli, iu drejtua librashitëses:
– A mund të më rekomandoni një libër të ndonjë autori të huaj? Ndonjë të kohëve të fundit…
– Patjetër, zonjë! Ky që kam në dorë është libri i fundit i Pexhi Kerrit. Është “bestseller”, libri më i shitur sot për sot. Është shumë i bukur…
Ndërsa fliste, tregonte me gisht një stivë të madhe librash pranë banakut dhe pikërisht një titull të shkruar me germa të mëdha: ”Njeriu nga asnjë vend”.
– A ia vlen të lexohet gjatë pushimeve? – foli tërë dembeli gruaja, që ndërkohë e kishte marrë librin në duar e po e shfletonte.
– Si jo?! Ia vlen shumë. Jua thashë, është shumë i bukur, – ia ktheu gjithë entuziazëm librashitësja, pa e hequr buzëqeshjen nga fytyra. – Në fakt, është me të vërtetë një kryevepër. Kritikët e kanë vlerësuar si librin më tërheqës të sezonit. Është botuar tamam për sensacion.
– Me të vërtetë?! – shprehu habi klientja. – Në rregull atëherë, ma paketo se do ta marr.
E ndërsa po bëhej gati të nxirrte paratë nga kuleta, sytë i ngecën diku:
– Ajo seria e librave blu në sergjenin e sipërm… – dhe ia tregoi me gisht për ta orientuar.
– Po, zonjë. Janë libra enciklopedikë, por në gjuhë të huaj.
– Nuk ka rëndësi gjuha, se edhe në shqip po të ishin, nuk kam ndërmend të humb kohën me to… mendoni se do t’i lexoja? – buzëqeshi për herë të parë dhe me një ironi të theksuar gruaja me dekolte. – Mos e dhëntë zoti! Por ajo ngjyra blu e librave më shkon shumë për shtat me ngjyrën e murit. M’i zbrisni poshtë dhe m’i paketoni, – e mbylli me një lloj urdhri të butë dhe pa iu dridhur dora pagoi paratë dhe u largua e lumturuar që sallonit të pritjes së mysafirëve do t’i shtonte një element estetik, që do tërhiqte vëmendjen.
Nuk vonoi shumë dhe një tjetër zonjë, që mbante në krahë një qen të vogël, veshur me një rrobë të lehtë “Burberry”, hyri dhe u ndal drejt e në banak.
– Diçka të re të trilluar? – pyeti, pasi e përshëndeti veç me një lëvizje të kokës librashitësen.
– Po zonjë, do t’ju rekomandoja një libër shumë tërheqës: “Njeriu nga asnjë vend”. Në fakt, përkthyesja e librit shkruan në parathënie se është libri më i bukur që ka bërë deri më sot shkrimtarja Pexhi Kerri.
– Me një fjalë, ju thoni se është…
– Po zonjë, një histori shumë tërheqëse dashurie, – e ndërpreu shitësja. – Ime bijë po ma lexonte mbrëmë një pjesë me zë të lartë. Mezi e lexonte nga lotët.
– Se mos është libër me zarar, – tha ajo e shqetësuar, duke ledhatuar qenin që s’pipëtinte. – Unë për vete nuk lexoj, por më kërkoi vajza t’i blija një… E kam gjimnaziste.
– Pa merak. Ju siguroj se është krejt pa zarar. Në fakt është shkruar në një stil të vjetër, njësoj si librat e bukur të së kaluarës, tamam njësoj, – dhe këtu librashitësja përmendi disa autorë, si: Dikens, Çehov e sa e sa të tjerë.
Zonja u bind dhe e bleu librin ”Njeriu nga asnjë vend”, madje të paketuar dhe me një fjongo të kuqe sipër mbështjellëses. Pa dalë ajo ende nga libraria, dera u hap sërish e një mesoburrë me flokë të rënë e lëkurë të kuqe hyri brenda.
– Desha të më rekomandoni një libër të thjeshtë me humor, – foli ai me një zë të lartë e kumbues.
– Po, – tha librashitësja dhe fytyra iu ngërdhesh nga të qeshurit. – Këtu kemi diçka të mrekullueshme: ”Njeriu nga asnjë vend”, libri më humoristik i sezonit. Im shoq po e lexonte mbrëmë dhe nuk e mbante dot të qeshurin…
…
Blerësit vinin e iknin njëri pas tjetrit dhe ”Njeriu nga asnjë vend” u shit si libri më i përshtatshëm për pushime; si një histori shumë tërheqëse dashurie; si libri më satirik i sezonit; si libri më i mirë për ditët me shi; si libri më…
Nuk durova dot më dhe iu afrova librashitëses:
– Ky libër, ”Njeriu nga asnjë vend”, më duket se për ju është libri më i mrekullueshëm!
Librashitësja, që për aq kohë sa isha aty e kish kuptuar që s’kisha ndër mend të blija gjë, tundi kokën, duke më ngulur sytë, dhe ma ktheu aty për aty:
– T’ju flas hapur, ky libër është një kotësi e vërtetë. Duket që nga titulli.
– A e keni lexuar?! – e pyeta i çuditur.
– Jooo zotëri, jo! Duhet të kisha shumë kohë që të shfletoja gjithë librat e rinj.
– Po këta njerëz që e blenë librin, a nuk do të zhgënjehen?
– Aspak! – foli ajo serbes. – Jam e sigurt se ata nuk kanë për ta lexuar kurrë.
– Por, së paku, burri dhe vajza juaj mendojnë se është libër shumë i mirë, – ngula këmbë.
Librashitësja sakaq ia dha të qeshurit me të madhe:
– Unë nuk jam e martuar…!
Njeriu nga asnjë vend – tregim satirik

Autori
More from Autorë shqiptarëMore posts in Autorë shqiptarë »
More from Dimër 2022More posts in Dimër 2022 »