Press "Enter" to skip to content

Pa ty – cikël poetik

Pa ty

Vijnë tek unë
Ditët pa ty
Si një rekuizitë e thyer
Ndërsa netët gënjeshtare
(Ëndrrave të largëta)
I thonë hënës se e imja je.

Matanë brigjeve të verës
Vjeshta
(E tëra prej lotësh)
Hipur mbi një gjethe arre
Me shirat cullak në sy
Me ca ditë të huaja nëpër trup
Niset mizorisht pa ty.

O, nuk durohet
Një vjeshtë e fryrë me vetmi,
Teksa pritet të lind
Një dimër pa ty!

Mungesë

Mbi ajrin e tejdukshëm
Hëna përgjon
Fjalët që mungojnë
Përballë të dashurës…

Oh, ç’dhimbje kur fjalët mungojnë
Më shumë akoma
Kur përballë nuk ndodhet
E dashura.

Titra dashurie

Në mesditën që digjet
Shtrihem mbi ajrin e peshqve
Mbi ujin plot etje
Në detin me brigjet në flakë
Më kujtohet nata e pafjetur
Nata ime e bukur
Dhe ëndërroj për një gjumë
Me kryet në prehrin tënd.
Oh, ëndërroj gjithë ç’është e pamundur
Realiteti mbet i gënjeshtërt!

Në horizont shfaqen titra dashurie
Nga dy miq fluturakë
Mendoj se ç’mund të shkruaj për këtë
Por trishtohem
Se e di që do kthehem në tokë
Dhe aty ka pak dashuri.

Dhimbje që s’vriten

Kaloj në shkretëtirë
Para vetes rreshtoj dhimbjet e thyera në gjunjë
Bërtas si një urrejtës që s’e njoh
Dhe në emër të shpirtit
Marr shenjë për t’i vrarë.

Qëllon përherë të harroj armën
Ndofta se dhimbjet më dhimbsen
Dhe se pas kësaj mund të mbetem pa njeri.

Kthehem sërish
Në botën që bën “sikur”
Dhe kam frikë të ndiej dhimbje.

E gjithbotshmja

Det,
E di që kie gjak nga Valbona
Çika e alpeve t’mia
Ushqye me tamël bore
E ajër bjeshke.
Kudo asht ajo
(N’emnat e motrave, nanave, grave tona)
Na e shohim përditë e përnatë
n’llambat e tavaneve,
N’llambat e rrugve,
N’tan dritat e atdheut…
O, qysh e ndrit Shqipnin
Valbona
Çika e bjeshkve t’Malsis
Qiellnorja zemërbardhë.

Merreni dritën e syve t’mi
Dhe shihuni ndërveti!
Thotë ajo.

E bekuemja prej Shkelzeni!

Dëshira të djegura

Kam shkatërruar gjëra të mëdha
me duart e mia,
i kam djegur veç se kisha mall për zjarr
ose veç sa për të thënë,
anipse gjithnjë shkriftohej pak nga unë;
Netëve të dimrit kam djegur gjërat e mia
për miqtë që kishin ftohtë,
në verë jam djegur,
se miqtë kishin nevojë për hije.
Kam udhëtuar deri në hënë,
por tokën njerëzore s’e shkela krejt,
se një mundësi globale e dogja gjithashtu.
S’më intereson!
Kam luajtur shpesh me jetën,
pra me zjarrin kam luajtur,
por gjithnjë kam besuar në feniksë
dhe nga hiri i të gjitha zjarreve.
Jam ringjallur me krejt copëzat e mia,
se ringjalljet i japin tjetër kuptim të gjallës.
(Me gjasë)
Prapë do ndez zjarre me gjërat e mia,
por kësaj radhe jo për miqtë.
(Ngaqë mosmirënjohja është ende nëpër këmbë.)
Kjo është jeta e vërtetë,
Shpirti im!

Shpëtim

Kalova dikur
Nëpër do ditë heroike
Dhe bota mbarë:
Të dua!
Më tha.
Por për faj të luftës që s’ndodhi
Unë shpëtova nga heroizmi…
Ndërsa nga rrena
Askush nuk shpëtoi.
Tash servilët e mi
S’më duan aq shumë
Se si të gjithë
Edhe ata
Nuk e duan heroin
Sa kur bëhet i tillë;
Por sidoqoftë
Të gjithë i kemi servilët tanë,
Veç Zoti na ruajttë
Nga dashuria e shtirur!

(Shkëputur nga Revista Letrare – Pranverë 2023)

Autori
Azgan Berbati