Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

Pamundësi

Ka shumë kohë që s’ka një natë të re,
madje asgjë;
dhe malli më merr për ardhjen që s’vjen,
për ikjen që s’kthehet,
për atë që më deshi e s’më la ta doja.

Tash, hëna zhduket në cep të natës,
ikën mbas pikëllimit;
dhimbja ime pret veten në fyt,
me një teh ylli të shuar në blunë mistike,
dhe përfundon breg një qielli që nuk ekziston.

Stinët ndërrohen në botën e provës,
dashuria s’ka kohë me pritë,
prandaj vjeshta mbaron këtu.

Lutje nën hënë

Hënë, ti shpirt i ndritshëm,
merrmë pranë vetes veç sonte,
të pikojmë në mitologjinë e ardhme të njerëzisë;
të paktën bota të flasë njëherë për një takim të vërtetë,
edhe ata që nuk besojnë më në takime,
e kujtojnë që nëse ato ndodhin, nuk do të rikthehen kurrë më!

Hënë, ti ëndërr ndërplanetare!

Dimër në qiell

Ç’qe ky dimër që qiejt i veshi,
hëna ime ku humbi,
përse më la në një botë të pakuptimtë?!

Ditë për ditë shkruaja këngë për të dashurën,
Dhe zogjtë vinin e i merrnin,
m’i merrnin këngët dhe ia këndonin asaj.

Tash:
matanë xhamit kqyri vdekjen e udhës së një syri t’përlotun,
që e zë përfundi rrëzimi i këngës së zogjve;
pa shpirt!

O, shpjermëni diku ku s’ka shi,
ku njerëzit nuk luajnë perëndish;
të ndihet dashuria ime mbi këtë ëndërr të gjallë,
e hëna kurrë s’ka për t’u fikur.
Oh, e dashur!