Press "Enter" to skip to content

Dashuria dhe vdekja në poezinë e Donika Dabishevcit

Mendoj se njerëzit e letrave, por sidomos poetët, ngacmohen më tepër prej dhimbjes, trishtimit, ndjesive që lindin prej mungesave. Lumturia, që na jepet me pikatore në këtë jetë, dhe gëzimet, duhet të jetohen; ka kohë të shprehen e të hidhen në letër. Por e kundërta ka ndodhur me poeten Donika Dabishevci, e cila, me vëllimet e mëparshme poetike: “Kam me ardhë si deka”, (“OM”, Prishtinë, 2015), “Dashnisë së një nate”, (“Bards Books”, Prishtinë, 2020), më kish krijuar bindjen se kish lindur për t’iu përkushtuar pikërisht poezisë lirike, dashurisë njerëzore, që lind jetë, asaj lloj dashurie që të lumturon deri në marrëzi, që t’i merr mendtë e të shastis. Ndërsa, vëllimi i saj i fundit poetik, “E gjithëkohshmja andërr”, e rrëzon këtë hutim të lexuesit, që ka menduar si unë.
Ishte i papritur dhe tepër befasues kalimi i saj nga poezia që i thur himne dashurisë, lirizmit të jetës, te poezia që i “këndon” vuajtjes, vdekjes, çastit dramatik “të dhanies shpirt”. Jeta dhe vdekja mund të jepen dhe merren sa çel e mbyll sytë, siç edhe dashurinë e urrejtjen i ndan një rriskë e hollë ajri.
A mundet një krijues të shkruajë me të njëjtën lehtësi e të ngrejë në piedestal me po të njëjtën mjeshtri artistike dhe forcë si dashurinë, ashtu edhe vdekjen? Kjo ndodh te poetët e sprovuar, të dëshmuar, tek ata që ia kanë mbërritur një zhvillimi dhe formimi kulturor, që ua lejon këtë kalim në mënyrë të tillë që të mos ndihet kërcitja, të mos hetohen penjtë e bardhë mbi arnën e zezë. Kjo ndodh te poetët që, përveç talentit, zotërojnë edhe teknikat e artit të shkrimit.
E sigurisht që këtë gjë e kam hasur edhe te vargjet e poetes Donika Dabishevci, që arrin të më tronditë e që po aq lirshëm e natyrshëm, me një art të përkorë, ngre në të njëjtin nivel si dashurinë, ashtu edhe vdekjen.
Kur lexoja Adam Miçkejeviçin më mahniste fuqia e vargut të tij: përveç lirizmit dhe romantizmit, në poemat e tij trajton heroiken dhe i hyjnizon heronjtë, i madhështon në gjeninë e tyre, aq sa i bën frymëzues për lexuesit. Luftërat kanë mbetur tragjikisht të njëjta që nga koha e shkrimit të poetit polak.
E kundërta ndodh në poezinë e Donikës te vëllimi “E gjithëkohshmja andërr”: nuk ka asgjë heroike, ndërsa personazhet e saj janë viktima. Vdekja i përshkon të gjitha poezitë si një fill i zi i tjerrë nga shtriga me emrin luftë.
Në dyzet poezitë e ndara në katër cikle, klith me dhimbje “e kudogjendura ëndërr” për të mbijetuar, për t’i shpëtuar vdekjes që gjendet kudo: nëpër shtëpi, vila, kulla qindravjeçare, rrugë, përrenj, pyje, fusha e lëndina. Nëpër sheshe qytetesh, fshatrash, stacione treni, autobusësh apo kthina të errëta, (“Tuj ikë dekës”). Vdekja të gjen kudo, sido e sado që mundohesh a stërmundohesh t’i ikësh apo fshihesh. Ajo shfaqet në çdo lloj forme dhe trajte. Vjen si plumb në ballë, në zemër, në shpinë, nga predhat e armëve të shkrehura qorrazi. Vdekja vjen e të gjen edhe në formën e urisë, (“Simfonia e zorrëve”), të stërlodhjes, të frikës, të sakrificës për të mos rënë n’duar të bishave që s’kanë as sy, as zemër e aq më pak shpirt, (Tuj ecë në mina). Ajo s’kursen askënd. Nuk ka rëndësi a je foshnje në barkun e një nënë apo bebe në krahun e saj (“Vaji i bebave”). Nuk njeh moshë, as gjini; ajo i kositë të gjithë njëlloj. Si atë plakun legjendë, që bashkë me plakën e vet ka vendosur ta presë vdekjen në kullën e stërgjyshërve me krye në dritare, me një pushkë të ndryshkur (“Ngjitun si thue n’mish”). Po ashtu edhe burrin që mendon se i duhet jetës edhe për pak kohë, jo thjesht vetëm për veten, por edhe për familjen, për katundin e pse jo edhe për atdheun e kafshuar. Nuk kursen vdekja as të dashuruarit, (“E gjithmonshmja dashni”). Kjo kuçedër e tmerrshme vret gra e vajza të reja, pasi i ka çnderuar në sy të fëmijëve, të vëllezërve, burrave dhe prindërve të tyre të lidhur apo të mbytur në gjak (“T’mallkuemet fati”).
Është e tmerrshme vdekja, e pamëshirshme; vjen edhe prej marazit dhe thërrmimit të shpresës për të jetuar si njeri i lirë në një vend të lirë.
Ëndrra apo shpresa për t’i shpëtuar vdekjes, në këtë vëllim poetik të Donika Dabishevcit, është filli tjetër që përshkon thuajse të gjitha poezitë e librit. Askush s’e do vdekjen, as të vetes, as të babës, nanës, vëllait, motrës apo fëmijës. Kjo ëndërr, që sintetizohet në poezinë që i ka dhënë titullin librit, është filli i blertë, klorofili që dëshiron lirinë, besimin te jeta, shpresën tek e ardhmja. E sa mjeshtërisht e thur poetja këtë gjë te poezia “Nanat e dëshmorëve”, mes dhimbjes së nanës për humbjen e dritës së syve:
“…Tana dhimtat i ngufasin
n’ofshama t’pazashme
n’ofshama ku mbarset liria…”
Dabishevci, në këtë vëllim poetik, kujdeset me i dhanë vlera universale jo vetëm poezisë së saj, por edhe fenomenit të përbotshëm të luftës, vdekjes dhe ëndrrës për t’i mbijetuar asaj, duke sjellë poezi të dhimbjes, vdekjes dhe tragjizmit nga luftërat në Bonje, Siri, Ukrainë, Gaza etj. Këtë udhëtim të dhimbshëm e përfundon me vargjet:
“Gja s’ka ndrrue n’këtë rruzullim!
Njerëzim i nemun, shpresëkallun,
mbetun ngrimë n’nji fluskë kohe, përbotshëm gjakatare”
Vëllimi “E gjithëkohshmja andërr”, shkruar me mjeshtri në një gegnishte të pasur, “t’za n’lak”. Jo vetëm të grish që ta lexosh më shumë se një herë dhe ngadalë, se vetëm ashtu mund t’i “përtypësh” emocionet e shumta që të mbërthejnë krejt qenien poezi pas poezie, por edhe s’të lë pa reflektuar e, për më tepër, të fton të mos harrosh sakrificat sublime të shqiptarëve të Kosovës për mbijetesë dhe liri.

You cannot copy content of this page