Përsiatje mbi pjesën “Lumturia na falet pjesëzash”, në vëllimin me tregime “Më duaj, por jo vonë” nga Mimoza Ahmeti dhe Mimoza Kuchly
“Më duaj, por jo vonë” është vëllim me tregime nga dy Mimoza, Ahmeti dhe Kuchly, por në këto radhë do përsiatem pak mbi kapitullin që i përket autores Mimoza Kuchly.
Në fakt, rrallë më ka ndodhur që një libër të më godasë që me tregimin e parë, (Pse s’më the “nuk të dua”), që ngjizi e shtresëzoi brenda meje një vorbull ndjesish, të cilat nuk m’u ndanë derisa mbylla krejt librin. Autorja Kuchly diti si të më tërhiqte dhe zhyste thellë në ujërat e tregimeve të saj, me origjinalitetin, delikatesën, stilin, simbolikën etj., që më bënë të ndihesha e pafuqishme të largohesha nga banketi letrar i larmishëm shtruar prej saj, pa marrë me vete një kupë dashurie (tregimi “Banketi”).
Dialogu, që është i pranishëm shpesh në tekst, përforcon përshkrimin e botës emocionale të personazheve, me epitete shpeshherë shpjeguese, por duke ruajtur një lloj ekuilibri për të mos i imponuar lexuesit këndvështrimin e autores. Çelësi i narracionit është akti i rrëfimit: nuk është se çfarë tregohet, por se si tregohet. Autorja shpreh atë që përjeton, në një formë që i ngjan shumë poezisë, duke e ngarkuar kështu me një barrë lirizmi dhe figuracion elegant ingranazhin e krijimit.
Ajo na shpalos një kamp leksikor të larmishëm, ku gjuha dhe fjalët vërtiten plot shije, ngjyra, emocione, me një ndërthurje referencash kulturore, që i japin një reflektim interesant fatit të personazheve në veçanti dhe rrëfimit në tërësi, ku herë pas here shtohet një dozë intriguese, që nxit kureshtjen dhe të mban mbërthyer.
Vendin kryesor në këto tregime lirike e zë romantizmi, dashuria, e cila nuk njeh moshë, largësi, ndarje fizike. Duke filluar që nga titulli, zhytemi në përmbajtjen e një bote gati onirike, që përpiqet të shkojë drejt thellësive të shpirtit. Ajo e rrëmben lexuesin nëpërmjet një joshjeje të parezistueshme, ndërthurur plot dritë-hije edhe të ndjesive më të thella të njeriut. Narracioni i ngjan drithërimës, një pulsimi ndjenjash e të duket sikur prapa çdo paragrafi rreh një zemër e mbushur plot.
Mimoza Kuchly duket sikur ka një marrëdhënie të veçantë me personazhet e saj, ndërsa përditshmëria, ajo që konsiderohet si e njohur, është befasia më e madhe – mënyra si transkriptohet në rrëfim, për mua përbën çelësin që hap kasafortën e “Lumturia na falet pjesëzash”.
Ngjarjet vendosen në Paris, në Tiranë, në ishull pa emër, etj., pra në një gjeografi të lakmueshme, ndërsa në një plan të dytë duket sikur personazhet ndodhen aq pranë nesh sa ua dëgjojmë psherëtimat, të rrahurat e zemrës, ndalesat e frymëmarrjes nga emocionet… E këtu më kujtohet nobelisti Jon Fosse, i cili thotë se të shkruarit është një lloj dëgjimi.
Në rrëfim, jeta pranohet me të vërtetat e saj, të lumtura e të vështira; ajo është një tren që rend pa pushim (“Përse nuk flini me të?”, “Feja e saj”, “Pasagjerja e trenit blu”). Tregimet i ngjasojnë një bashkëbisedimi intim, të drejtpërdrejtë, herë-herë të fshehtë e herë-herë të dukshëm, bashkëbisedim me gjithçka që na rrethon, por mbi të gjitha me dashurinë. Të gjithë kemi nevojë për një ëndërr apo zhgjëndërr malli (Peshkatari Nedipso), e duam tjetrin më fort në mungesë; kjo përcjell në vetvete dhe paradoksin më të madh të dashurisë, që Mimoza Kuchly nuk ngurron ta trajtojë në librin e saj.
Rrëfim emocional, tërheqës, tekst kumtues, përsiatje tronditëse, personazhe plot jetë, shkrim impulsiv, ku autorja më shumë sesa tregon, përshkruan, duke arritur t’i shmanget moralizimit të tepërt; të gjitha këto i gjeni te “Lumturia na falet pjesëzash”, që ju ftoj me kënaqësi ta lexoni.