Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

Dashurisë

Nënlëkura jote është ngjyrë gjaku,
ngjyrë flake,
e shoh nga roza që t’i ka veshur mollëzat e faqeve.
Zjen nënlëkura jote,
në dallgët e lëngëta, që mbyten në liqenet e syve.
Digjet nënlëkura jote,
në buzët e tua e shoh,
si dy gaca-prush shkrumbojnë njëra-tjetrën.
Kallet,
shkrumbohet,
digjet.
nënlëkura jote, që flet gjuhën e zemrës,
gjuhë e vjetër sa njeriu,
e pa fjalë,
e heshtur si klorofili,
syth jete,
pikë loti.
Nëna e të gjitha gjuhëve,
të ka hije, zemër!

Përhumbje

Kur rri ulur, duart i kryqëzoj në gjoks;
me dorën e djathtë numëroj të rrahurat e zemrës,
me të majtën mbaj nën fre shpërthimet që përplasen në shpirtin tim.

Kur dal rrugëve,
duart i rras thellë në xhepat e pantallonave,
i ndihmoj këmbët që të ecin më shpejt për të arritur te askundi.

Në darkë vonë,
kur i dorëzohem krevatit,
dorën e djathtë e vë mbi tëmth;
bëj inventarin e ditës, që u tret si kristal bore mbi liqen,
alla Charles Bukowski
në vezuvin e kërthizës së saj,
noton si magmë avullore,
mushti i bardhë i jetës,
zhys në të penelin tim të shkalafitur
dhe hedh shkujdesur penelatat e siluetës së një fëmije,
mi trungun e një peme të tharë.

Çast vetmie.

Unë jam zana e virgjër,
nëna e kopilave të lagjes së varfër.
Unë jam kuçedra e ujit të kulluar,
që kam humbur çelësin e burimit.
Unë jam ishulli i këpucëve të humbura të princeshave,
busulla e ndryshkur e princërve të kaltër.
Unë jam ëndrra e mbytur dhe e rigjetur,
në një pikë loti të rreshkur.
Jam gruaja e gadishullit, që tjerr fillin e shpresës.
Jam rruga pa krye e nata pa yje.
Jam jeta që po jetojmë.
Jam pyll ndër pyje.

Ti mbete një pemë e tharë

Pa rrënjë, pa lule, pa gjethe, pa fruta,
si një hu gardhi,
ngulur në kopshtin e ëndrrave të mia.
Sa herë dalë e shëtis,
në atë kopsht kujtimesh të zhubravitura,
atë hu gardhi të zi e shoh
pa nostalgji, pa mall, pa dashuri.

Autori
Bislim Ahmetaj

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *