Press "Enter" to skip to content

Troket në derë një panterë – cikël poetik

Nënë

Sa e vogël më dukesh
Me ato duar prej engjëlli
(më të ëmblat mbi dhe!)
Oh, fryn erë e marrë, nënë,
Zgjohem në terr për ty,
Dhe kam frikë
Se qentë lehin, lehin,
Dhe bota s’do më dritë.
Ti tretesh tërë ditën mbretëreshë,
Me thikën e diellit
Ballin e botës e bën të qeshë.
Të shoh tek fle si kotele misteri
Dhe qaj për shpirtin tënd.
Botë e egër kjo e jona,
Unë po dënes për ty
Por edhe kjo s’mjaftoka!
Ndjej një lëmsh çdo ditë
Që po më ha,
Zot, po të mos jesh ti,
Kjo tokë është një hata!
Oh, ju lutem, zhdukuni të gjithë,
Se, të jetoj më, s’dua,
Zot, o Zot,
I tëri në tokë do shtrihem
Vetëm nënën mos ma lerë të vuaj’.
Shiko Zot, se s’duroj dot,
Shiko se është e mirë,
Me shpirt si tëndin, të dlirë!

Troket në derë një panterë

Gjarpri zhvirgjëron
një vaginë në greminë,
çupkë e vogël qan,
ka humbur shtëpinë.
Si prej një krateri
rrjedh nga goja vreri
e kur i bie terri.
Një panterë besëprerë
troket tri herë në derë…

Vajtim

Jam pa fole dhe fle
Aty ku më le…
Ah, ti ke lindur për të qeshur,
Me atë kafkë të vrenjtur…
Ziej se më përzunë
Sikur s’kam qenë kurrë!
Jemi, por do të ndahemi
Me yjëzit në kurm,
Jemi për të qenë
Sterilë, mbetur mangut,
Me barelë për të përcjellë
Djalthin e vdekur të agut…
Jam pa fole dhe fle
Aty ku më le…

Lirikë

Ti ende s’më njeh
Edhe më mëkon
Me qumësht qëndrese.
Ti pjellë
Ti kukull,
E akullt
Llahtari!
Mirë, pra, s’e prek,
Këtë lepurushkë
Lesbike lëvizje.
E Zoti të ruajttë,
Prej ndjellësit fluror
Të krillave të klithmave!

Shëmtirë e bukur

Ç’shëmtirë e bukur!
Zjarrngrënësi, mbresëlënëse,
negri, i egri!
Me dy kocka të kota
çmendisht i bie
xhazit të Hënës…

Ëndërr

Djaloshare e panjohura,
Çan mespërmes e vdes!
Duhet të iki…të iki…
I rënë, i pangrënë,
I kallur, i tallur,
Me këta desh në vesh.
Zot,
I erdhi zor nga unë
E më la pa gjumë,
Nuska që përfytej
Me një kalë në shkumë…

Këngë e gurtë

Si iriqë deti psherëtijnë
Ndoca gurë të sëmurë…
Gurë të mbirë për goditje
Zogj të egër në arratisje…
Mbini gurë e grini
Imitimet, përçmimet,
Prangosjet, dëbimet…
Gurë, o gurë,
Të neveritur nga një shpurë…
E ruajta ngadhënjimisht,
Këtë mallëngjim jetim,
Për bishën
Që më përtypi
Si gur në zgjim…
1988

Himn

Se kush të lindi
E tash je shkrirë
Me atë shëmtirë…
Ndalo, mos rri!
S’kafshon më kafshëza
E veshur me zi…
Mbylli sytë dhe iku
Ende i parritur
Zvarritësi i mitur…
Se kush të lindi
E tash je shkrirë
Me atë shëmtirë!

Vizatim i shpejtë

Habi,
Një uri uloke
Ndien gjarpri e zien,
E në çast bjerr ngjyrën…

Gjarpër difektoz!
Ngulur përvujtësisht
Në mish të rrufesë
Si një pirun cingun…

Mungesë

Jeta ime fillon
Kur këndoj i mbytur
në një kopsht,
Nga një fantazmë në orgazmë!
Parajsë për Krisht
Gjithë ky hidhërim,
I verdhë diellor…
Parajsë që pllenon
Mitrën barbare
Të mungesës!

Këngë

Si çezmë lëshoi flokët
Vejusha e mrrolët,
E thithkat e thepisura
Ëmbël i flatruan
Ishullit të idhullit…
Ç’ndjesi bredharake
Në ag të zgjimit
Tinëz krishtëzoj
Kalorësin e vlimit.
Qyshkur është venitur
Bujkesha trupore.
Ah, po dheu i frymës
Rri nudo prore…
Si çezmë lëshoi flokët
Vejusha e mrrolët!…

Heshtja ime

Heshtja ime
Ari prej ari,
Yll i stërmadh prej akulli…
Lëndinë e ëndshme
Ku orë e çast bredhërijnë
Lepurushkat lesbike të mendjes…
Zog fin,
Që i shpëton mrekullisht
Shpatës mizore të mureve…
Pistë e pamposhtur
Ku dy të çmendur të kuq
Rendin me këmbë prej zjarri…
Verë e qeshur
Që përmbyt padashur
Gojën e ndezur të harrimit…
Degë e egër
Ku cicëron e frikur
Vetmia e rilindur…
Përbindësh që ndal
Një gjueti të zezë gjëmimesh…
Stuhi e gjallë
Që përjetësisht
Ka vdekur!…

(Përzgjodhi dhe përgatiti për botim: Agron Tufa)

(Shkëputur nga dosieri i Revistës Letrare – Vjeshtë 2023. Në vijim do botohet edhe një tjetër cikël i plotë me poezi dhe disa proza poetike të Ilir Belliut)