Press "Enter" to skip to content

Burrit që i kruhej

Kohëve të fundit, shpesh e më shpesh, po i kruhej shpina. Diku midis dy shpatullave, një pelçik poshtë rruazës së epërme të qafës. E kishte pothuajse të pamundur t’a kruante vet. Mundohej e stërmundohej, por s’ia dilte ta kruante aty ku i kruhej më shumë. E shoqja, një grua zevzeke, gjithmonë do të ishte duke bërë një punë në shtëpi. Ajo kurrë nuk gjendej e ulur, larg qoftë e shtrirë; ose në banjo, o në kuzhinë, duke hekurosur apo me leckë në dorë, në një betejë dëshpëruese kundër pluhurave. Kërkesës së bashkëshortit për t’a kruar, do t’i përgjigjej me fjali të shkurtra justifikuese, që burrin e acaronin edhe më shumë.
– Duro, kam punë nëpër duar! – përgjigjej.
Herë-herë i thoshte “erdha” e nuk shkonte, herë tjetër se i kishte duart pis, se ndodhej në banjo, madje herën e fundit i kishte piskatur me nervozizëm:
– Shko vizitohu te dermatologu!
I pakënaqur prej kësaj sjelljeje, burrit i qe mbushur mendja që as ia vlente më t’i kërkonte të shoqes t’a kruante.
Vajza e tyre e vetme, një adoleshente e hijshme e fortë e gjallë, të shumtën e kohës nuk gjendej në shtëpi. I kishte kërkuar edhe asaj me përvujtëri, t’ia kruante atë messhpatullash të mallkuar. Ajo kishte pranuar e, pas dy-tre fërkimesh mbi këmishë, i kishte kërkuar një mijë lekë. Ia kishte dhënë me kënaqësi. Më vonë, e bija i qeshte me një sjellje petulluske e i kërkonte dy mijë lekë para se t’a kruante. Kjo nuk i pëlqeu burrit; jo për shkak të shumës, por më tepër se iu duk vetja i mjerë. Vendosi t’a ruante krenarinë e të mos ia kërkonte as të bijës atë shërbim aq të vogël.
Ndjehej i aftë për shumëçka, por ai vend i mallkuar, i paarritshëm për t’u kruar, kishte filluar t’ia lëkundte besimin në vetvete. Kur ishte vetëm, i afrohej ndonjë dritareje të hapur e kruhej pak; ashtu bënte edhe nëpër dyer e qoshe muresh, por ruhej se mos e shihte kush e turpërohej. Përdori edhe një vrasëse mizash, një lugë këpucësh, me bisht të gjatë, por rezultatet qenë vërtet të dobëta.
Iu vu kërkimit nëpër faqet e shitjeve në linjë, me fjalë kyçe si “kruajtje”, “mjet ndihmës për kruajtje” e “kruajtëse universale”. Ato që gjeti e bënë edhe më pesimist: kishte mjete për të gjitha llojet e kruajtjeve, por jo për atë vend, një pelçik poshtë rruazës së fundit të qafës!
Një pasdite gushti, kur po i kruhej për qamet, më shumë se asnjëherë tjetër, ndihma e të madhit Zot e bëri të kalonte afër “Sallon masazhi – Lily”. Ishte mbushur plot qyteti me atë industri fërkimi, por atij s’i kishte shkuar ndërmend se fërkim e kruajtje s’janë fort larg prej rezultatit. Ktheu në shtëpi, bëri dush, veshi një kostum sportiv, me një pesë mijëshe në xhep e ia dha në derën e sallonit.
Në hollin e freskët të qendrës, dy vajza të bukura, njëra bionde e tjetra brune, qëndronin të ulura në karriget rrotulluese, para një banaku ngjyrë jeshil, që kishte formën e mollëve dietike. Ngjanin si dy kukulla “barbie”. Pasi u përshëndetën, burri u tregoi arsyen pse ishte aty. Vajzat buzëqeshën të përmbajtura; ua lypte etika e punës, edhe pse dukej haptas se mezi e mbajtën një të qeshur të fortë. Biondja mori përsipër t’i shpjegonte llojet e masazheve dhe çmimet. Burri, që po vdiste nga kruajtja, zgjodhi masazhin për gjithë trupin: tridhjetë minuta për dy mijë lekë. Biondja i priu drejt kabinës. Ai e ndoqi. Po i dukej vetja si një mzat. Sapo u zhvesh dhe u shtri përmbys në shtratin që shndriste nga pastërtia dhe aromat e mira, i kërkoi vajzës me urgjencë t’ia kruante shpinën pikërisht aty ku atij i kruhej aq ligsht. Vajza, me duart e saj të buta, të lyera me vajra bimore, ia kroi dhe fërkoi aq ëmbël shpatullat, qafën, brinjët, ijët dhe kofshët sa burri u shkri nga kënaqësia. Dhoma gjysmë e errët, dritat e lehta, që kalonin butësisht nga jeshile në violet e më pas në vjollcë të fortë, dhe sinkronizimi me tingujt e një muzike orientale, bënë që burri t’a harronte kruarjen e shpinës dhe nisën t’i kruheshin dhe fryheshin koqet. Tek hyrja, gjatë prezantimit të ofertave, kishte parë se mund të jepej edhe ai shërbim. Nuk i kujtohej saktë çmimi. E pyeti bionden. Ranë dakord.
Kur po dilte, iu duk vetja në një tjetër botë.
“Gruaja le të vazhdojë të fshijë pluhurat!”, mendoi dhe u ul të pinte një birrë të freskët.

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *