Press "Enter" to skip to content

Pse nuk të lashë vetëm ëndërr (Cikël poetik)

Këndej dritares jam unë

Një tjetër mëngjes
të fton përmes dritares

Çeli ata sy e zgjohu

Perden prej xhami largoje
të t’puthë faqesh
e ta flakim në pakthim
këtë shkrum buzësh
që ka rreshkuar
në mua e Ty

Vera e këtij mëngjesi
s’kthehet më
… dil

Këndej dritares jam unë

Për ecjet që s’u nisën ende

S’kam më kohë për t’i falur Pritjes

Nga Zanafilla e njohjes fshihej nëpër Vonesë
biletat e nisjes përherë m’i ka djegur në sy
enigmave të Mosardhjes me vite drite ndry më ka

Falë Durimit tim
dhe Fundin e kësaj Odisejade e prita

Tash po nisem pas kohës sime të mbetur
troshat e dashurisë sofrës së harruar për t’i mbledhur
kjo botë edhe ashtu po mbetet e etur
nga dashuritë në ikje e puthjet sa për sy e faqe

Një Mungesë më shumë a një Pritje më pak
nuk çelin më udhë
për ecjet që s’u nisën ende

28 qershor 2018

Pjesës së pajetuar të jetës

Pse nuk të lashë vetëm Ëndërr
të të kisha dashur
e pritur dhe përtej Jetës

Tash që të nxora faqe botësh
të të kthej n’atë pjesë të fshehur të zemrës
nuk mundem

Ç’bëra dhe unë, që s’të lashë sall Ëndërr

Pjesës së pajetuar të jetës
a do të shoh më?

30 qershor 2018

Hapësirë e ndjeshme është zemra

Mes rreshtash
fjalët tona të heshtura mbetën
si ëndrrat të harruara

E ne rrathëve viciozë të kësaj kohe
duke vendnumëruar
si hije të përhumbura
sogjojmë

Mos thuaj gjë
e mira ime e paarritshme
hapësirë e ndjeshme është zemra

As mjalta më e moçme s’e mjalton
sa buzët e Tua

Rregullatore e saj është vetëm dashuria

14 korrik 2018

Nxito për ta zënë këtë lumë

Ti ma kthen shpinën
e pas ma lë një floknajë mali
si fole për sytë e mi

Një lumë ndjenjash malësori
si prej Vezuvi
shpërthyen prej meje
e kah Ti u lëshuan

Hapi krahët
pritmë

Mjaft jam lënduar përplasjeve

Prehri yt
le t’ bëhet moli im
ku do të prehem pa fund

Floknaja ime e prushtë
fati im që s’ikën pa mua
nxito për ta zënë këtë lumë

18 korrik 2018

Këtë zjarr që digjet në mua

Një krua e shtera në pritje
dhe etjen s’e shova

Ikin dhe sekondat e fundit të ardhjes
koha e ngecur mes akrepave
kumbon pa pra

Ti ende nuk po troket
a unë
kohën me hapin tënd e mat

Nëse para portës sime tash je
mos lësho zë
vetëm hyr

Këtë zjarr që digjet në mua
e shuajnë sall buzët e Tua

30 korrik 2018

Një kohë tjetër duke pritur

Në mënyrën time të jetoj
a nuk arrij të të zë
as edhe për një prekje
puthje a përqafim

Prapë të ndjej nëpër çdo pore
e pikë gjaku

Pafundësia e kësaj dashurie
nuk ka të sosur
frymon edhe kur i mbyll sytë

E Ti prapë mbyllur rri
një kohë tjetër duke pritur

31 korrik 2018

You cannot copy content of this page