Press "Enter" to skip to content

Sonet dashurie, XVII

Nuk të dua si trëndafilin e bregdetit, topazin
apo thumbin e karafilave, që ndez zjarrin:
Të dua, ashtu, si diçka e padukshme duhet,
fshehur mes shpirtit dhe errësirës.

Të dua si lulen që nuk çel, por mbart
fshehur brenda vetes dritën e lulëzimit,
dhe falë dashurisë tënde, mavi mbi trupin tim,
lë aromën ngopëse, që nga toka ngrihet.

Të dua pa e ditur se si apo kur, apo nga ku,
të dua thjesht, pa probleme dhe krenari:
të dua kështu, sepse mënyrë tjetër nuk di.

Përveçse kështu, ku nuk ka as unë, as ti,
kaq shumë, sa mbi gjoksin tim e ndiej timen dorën tënde,
kaq shumë, sa që kur unë fle, sytë e tu mbyll.

Shqipëroi: Dritan Kiçi

(Shkëputur nga libri “100 sonetet e dashurisë”)

Neftalí Ricardo Reyes Basoalto u njoh me emrin e artit, Pablo Neruda, që më pas u bë edhe emri i tij ligjor. Lindi më 12 korrik 1904, në Parral, Kili. Poet, diplomat dhe politikan i shquar.
Ai botoi për herë të parë në moshën 13-vjeçare, me emrin Neftalí Reyes. Më 18 korrik 1917 botoi esen e tij të parë, me titull “Entusiasmo y perseverancia” (“Entuziazëm dhe këmbëngulje”), në gazetën e përditshme lokale “La Mañana”. Nga viti 1918 deri në mesin e 1920-s, ai botoi vjersha të shumta, si “Mis ojos” (“Sytë e mi”) dhe ese të tjera, po si Neftalí Reyes. Pas kësaj, për shkak se i ati nuk kishte dëshirë që ai të shkruante dhe botonte letërsi, adoptoi emrin Pablo Neruda, që do ta shoqëronte përgjithmonë. Mendohet se e ka zgjedhur këtë emër për shkak të poetit çek, Jan Neruda.
Si diplomat kaloi shumë vite në Madrid, ku u shoqërua me Lorkën dhe me poetët e tjerë spanjollë. Më pas kaloi në lëvizjen antifashiste, që u bë edhe shkak për largimin e tij nga atdheu, në të cilin do të kthehej më vonë sërish.
Në vitin vitin 1971 fitoi çmimin “Nobel për Letërsi”, i cili u kundërshtua shumë për shkak të aktivitetit të tij politik. Shkrimtari kolumbian, Gabriel García Márquez e quajti “Poeti më i madh i shek. XX”.
Neruda u shtrua në spital me kancer në shtator 1973, në kohën e grushtit të shtetit, të udhëhequr nga Augusto Pinochet, që rrëzoi qeverinë Allende, por u kthye në shtëpi pas disa ditësh, kur dyshoi se një mjek po i injektonte substanca helmuese, me urdhër të Pinochet. Neruda vdiq në shtëpinë e tij në Isla Negra, më 23 shtator 1973, vetëm disa orë pasi doli nga spitali.
Megjithëse u raportua gjatë se Neruda vdiq ngaqë zemra i pushoi për shkak të sëmundjes së tij, Ministria e Brendshme e qeverisë kiliane lëshoi një deklaratë në vitin 2015, duke pranuar një dokument të ministrisë, që tregon qëndrimin zyrtar të qeverisë se me shumë mundësi Neruda u vra si rezultat i “ndërhyrjes së palëve të treta”. Sidoqoftë, një test ndërkombëtar mjekoligjor, i kryer më 2013-n, hodhi poshtë pretendimet se ai ishte helmuar dhe theksonte faktin se Neruda vuante nga kanceri i prostatës. Pinochet, i mbështetur nga elementë të forcave të armatosura, nuk lejoi që funerali i Nerudës të bëhej një ngjarje publike, por mijëra kilianë të hidhëruar nga humbja mbushën rrugët në nderim të tij.

Autori
Pablo Neruda
Autori
Dritan Kiçi
Dritan Kiçi

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *