Jam njeri entuziast, një entuziast i pandreqshëm. Entuziazmi im i ngjan një kunji shkrepëseje që feks në errësirën e shkallëve të një godine të panjohur. Ndriçon. Jo kushedi, por të paktën aq sa zgjat drita e një kunji shkrepëseje, aq sa zgjat hedhja e një hapi nëpër shkallë, aq sa zgjat iluzioni i të qenit i përjetshëm. Mandej, teksa jap e marr për të ndezur kunjin tjetër të shkrepëses, (meqë ra fjala, nuk e di nëse kam më shumë kunj me kunjat e shkrepëseve që mezi ndizen apo me errësirën) pra gjatë hapësirës së ngushtë kohore midis ndezjes së dy kunjave, rrëzohem e përfundoj në fund të shkallëve, për t’ia nisur sërish nga e para.
Ose jo, le të zgjedhim diçka pakëz më heroike: jam ushtar në frontin e një lufte, idealin e së cilës nuk m’u dha mundësia ta kuptoja edhe aq mirë, sepse më morën derr në thes dhe më sollën në këtë llogore të fëlliqur, që kutërbon shurrë, gjak e djersë. Dimër, ftohtë, frikë. Të gjithë bashkëluftëtarët e mi janë vrarë dhe kanë përfunduar kapicë rrotull meje: njëri me gjysmën e kafkës së çarë e me trutë që i janë hallakatur si salcë domatesh, tjetrit i është bërë trupi copë-copë dhe duket si mëlçia e leskëruar e një elefanti duhanpirës, një tjetër ka humbur këmbët, të cilat jo vetëm nuk po i kërkon më, por as që pyet fare se kush ia ka marrë, sepse tashmë shpirti i tij ka shkuar në parajsën e ushtarëve, një tjetër akoma ka humbur duart, kështu që edhe po të jetë sadopak gjallë, nuk do të ketë më mundësi të kruajë veshët apo të fusë gishtat në hundë. Kutërbimit i jashtëqitjes së përzierë me gjak, djersë e lot, tashmë i është shtuar edhe kutërbimi i të dhjerave nga frika apo nga nevoja, një erë kjo që më kujton se përjetësia na paskësh qenë më afër nga ç’e kishim pandehur.
Kam ftohtë, kam uri, kam gjumë, por mbi të gjitha kam frikë, kam aq shumë frikë, sa po të kisha mundësi t’ia shpërndaja frikën time tërë njerizimit apo asaj pjese të njerëzimit që ka tepruar nga vdekjet nëpër këto llogore të qelbura të kësaj lufte të qelbur, çdo njeri do të ndjehej frikacak në masën e nevojshme, aq sa për ta vlerësuar më së miri rëndësinë e jetës e madje për ta vlerësuar aq shumë sa për të ndenjur sa më larg shesheve të qyteteve dhe katundeve, ku mund të flitet për shkëlqimin e idealeve që, fatkeqësisht, gjoja mbërrihen veç nëpërmjet luftës.
Kam ftohtë, kam uri, kam gjumë, por sidomos kam frikë. Aq frikë sa, po të kisha mundësi ta shihja fytyrën time në pasqyrë, fillimisht do të më binte pika, por pastaj, me të ardhur në vete, do të kisha nisur një luftë të re, që meritonte të quhej lufta e pasqyrave.
Për fat bota është e mbushur me mrekulli, me aq shumë mrekulli sa, po të na jepej aftësia për t’i parë, do të na dukej sikur po shihnim rrebeshin e një shiu prej meteorësh. Por ne nuk i shohim dot mrekullitë. Më e shumta fare ndjejmë brenda qenies sonë ndonjërën prej tyre. Si kjo mrekulli që sapo më ndodhi mua. Kuptohet që nuk e shoh, por veç e ndjej. Është një mrekulli aq e lartë, sa më bëhet se, më së paku, njëra nga veglat e torturës, të ftohtit, m’u hoq qafe një herë e mirë. Ndjej një valë ngrohtësie që ma përfshin trupin. Ç’them, jo vetëm trupin, por tërë qenien. Fillon nga poshtë, por ngjitet pajada deri aty ku mendoja se ishte zemra. Them “ku mendoja se ishte zemra”, sepse deri në atë çast, ngaqë s’më kishte mbetur pjesë e trupit që s’më dridhej e fërgëllonte, përfshi edhe kërcëllitjet e dhëmbëve, s’kisha asnjë mundësi ta dija se ku ishte zemra. Pra qenia m’u pushtua nga një valë ngrohtësie, e cila ishte me siguri pasqyrim i ndonjë realiteti hyjnor. Ngrohtësia e bekuar që më kaploi, dukej sikur kishte pikënisje thjesht fizike, por nuk ishte ashtu, sepse ajo dëboi prej meje frikën, urinë, gjumin dhe më ndezi shpresën e jetës, shkëndijën e një entuziazmi të paparë. Ky entuziazëm më vë në lëvizje zemrën, mendjen, shpirtin, guximin. Edhe guximin. Sidomos guximin!
Mbush armën dhe duke lëshuar një sokëllimë stentoriane, një prej atyre britmave vigane që lëshon natën një luan i rrethuar nga një lukuni hienash, të cilave u duken vetëm sytë nën dritën e hënës, një britmë që e dallgëzon furishëm barin e savanës, nis të qëlloj si i tërbuar pa i dhënë kohë vetes ta kontrolloj në mënyrë të arsyeshme e sadopak njerëzore saktësinë e qitjes.
Britma ime luftarake më zgjoi trimërinë nga thellësia e qenies. Kjo trimëri bën që rrethi i syve të armiqve të mi, që janë fare afër, të shpërndahet saora. Ndihem luftëtar i vërtetë. Ndihem luftëtar i pamposhtur. Ndihem aq luftëtar i vërtetë dhe aq luftëtar i pamposhtur saqë më duket sikur kam nevojë për më tepër luftë që ta shpalos në përmasa të plota valën heroike të entuziazmit tim.
Por medet! Kjo gjendje heroike nuk zgjat shumë, sepse befas filloj të ndjej sërish të ftohtë. Të ftohtit rritet e rritet dhe nis të mërdhij si një qen i lagur, të cilin, veç të tjerash, e ka sfilitur edhe beteja për kockën. Mërdhij, mërdhij, mërdhij. Të ftohtët që ndjeja para se të përjetoja valën heroike të entuziazmit nuk ka të krahasuar me të ftohtit që ndjej tani.
Ndërkohë armiqtë afrohen e afrohen pareshtur, derisa zaptojnë llogoren time. Çuditërisht, po fare çuditërisht e mrekullisht, vendosin të më lënë gjallë. Fillimisht dëgjoj bisedën që bëjnë në lidhje me fatin tim të mundshëm. Secili jep nga një ide interesante për të më vrarë në mënyrë sa më krijuese. Propozimet janë këto: të më presin kokën menjëherë, të më presin duart, të më presin duart e këmbët e të më lënë të vdes nga rrjedhja e gjakut, të më ngulin një bajonetë në zemër, etj. Ka edhe ide të tjera që nuk kanë vdekje, por mjaftohen me poshtërim: të më presin veshët, hundën, gishtin e këmbëzës. Krejt papritmas, gjenerali tha: “Ta falim.”. “Ta faaliiim?”, pyetën të gjithë njëherësh. “Po”, tha gjenerali, “sepse ky ushtar tregoi entuziazëm heroik të jashtëzakonshëm”.
Vendimi i gjeneralit u mbështet edhe nga një major, i cili tha se as kish parë e as kish dëgjuar një trimëri të tillë. Pohoi edhe një toger, veçse duke shtuar se, sado që entuziazmi ishte i lartë, ishte po ashtu edhe shumë i shkurtër në sasi kohore. “Sigurisht”, tha gjenerali, “i shkurtër aq sa zgjat shurra”. “Shurraaa!?”, pyetën me dhjetëra ushtarë njëherësh, “Ç’hyn shurra këtu?”. “Epo, ky njeri bëri shurrën në brekë”, sqaroi gjenerali, “shurra ia ngrohu trupin, ngrohja i zgjoi entuziazmin, entuziazmi zgjoi brenda tij trimërinë e madje e zgjoi deri në atë pikë sa që e bëri të hiqte qafe gjysmën e batalionit tonë. Më pas shurra u ftoh dhe ky u kthye në gjendje normale. Vërtet që entuziazmit të tij i vjen era shurrë, vërtet që kohëzgjatja është e shkurtër, por mos harroni: për sa i takon pasojave, plojave, rreziqeve, entuziazmi shurror mbetet forma më agresive e çdo lloj forme të entuziazmit njerëzor.
2020