Ditët janë pela të bardha e shterpa, pa shalë e pa ngarkesë, ndaj s’duhet të presim ndonji gja të madhe prej tyre, përveç shkrofëtimës nervoze e sidomos jargëve të argjendta, që janë ftesa bujare për gostinë shtazarake të së nesërmes. Pela që lëshohen turravrap mbi rrafshinën e bardhë të kohës, e cila i ngjan nji kujtese të papërdorun nga shkaku i pavërejtshëm i mungesës së jetës, por asht veç nji karusel a nji mulli ere që sillet rreth vetes tue mbllaçitë do tinguj të verdhë e të kalbun, si kashta e verës së shkueme. Bashkë me shkëndijat e nji zjarri në të shuem, vozitin nëpër ajër jonet e do zërave të largët, harrue prej fëmijërisë që gabimisht nxitoi të rritej. Dikush tha se të rritesh do të thotë me vdekë e fill mbas këtyne fjalëve të urta u kujtua se edhe vetë ishte i rritun!
Ndonjiherë, kur je ma shumë andej se këndej, mundesh me i shquejtë të vdekurit që gromësijnë nga ngopja dhe flasin: thonë gjana të squeta, të cilat u mbruhen tek ajo punishte e ekzistencës së tyre që e ka pushtue hija madhështore e ditës së mbrame, do fjalë që askush nuk ua pati dhanë mundësinë me i thanë qysh në gjallje. Apo mos vallë janë ende gjallë e s’e dinë, sikundër ka njerëz që i rren mendja se janë gjallë teksa askush nuk ua thotë të vërtetën mizore? Njeriu që mendon se asht gjallë, duhet me i dhanë do prova bindëse gjallnie, por, pikësëpari, duhet të jenë gjallë ata që i kërkojnë këto prova. Por asht budallallëk të ndjehemi të sigurt deri në këtë pikë e, kësisoj, prova e vetme mbetet gjetja e një pasqyre, ku fytyra jonë s’na merr leje për me rrëfye ngjyrën e vështrimeve të hedhuna mbi botën.
Kushdo e çfarëdo na mashtron me sa ka mundësi: koha që hiqet osh nëpër hullitë e ftyrave tona të prarueme prej mahnitjesh idiote, pranvera e parakohshme që shterzon e shfryn me turinin prej lope të përjargun mbas mullarëve të reve dimnore, kujtimi i do ditëve të bukura, që s’na paskëshin qenë ma shumë se cërrima e ziles së orës, e cila të dëbon me shqelma prej andrrës e të përplas në tokën e huaj të realitetit, baptima e hapave që veç largohen e grahmojnë tek nji kthesë për me u rikthye në hullitë e do emocioneve të djeshme, shiu që kinse merr pjesë në vajtimin e ndonji dashurie të humbun, por që në fakt thjesht sajon paturpësisht pellgje të pistë për do bretkosa që e kanë harrue magjinë e shndërrimit në princesha, fytyra e asaj që bahet ajër dhe vijon me ajgëtue në peizazhin e kujtesës si bekim a dënim për ndonjë mirësi të pavërejtshme apo për mungesë dhimbsunie njerëzore, korbat e zinj të fjalëve që s’di ku dreqin kanë mësue me gugatë si pëllumba e që duken prorë të bardhë e llamburitës kur dalin nga goja e saj, frymëmarrja e ankthshme e rinisë, e cila ia beh në të tashme si kamxhik vezullues për pelat e hazdisuna të ditëve që jetohen me vonesë.
Shtatë ngjyra e shtatë nota sajojnë shëmbëlltyrat e tingujt, figura e zëra, por harrohen nuancat, me mijëra e mijëra nuanca që vendosin ndryshimin mes mrekullisë e rëndomësisë, nuanca që herë mbas here ia zhvatin ndonji kindë perdeve të errëta të misterit që fërfëllojnë nga hukama e pafundësisë, misterit të gjesteve njerëzore, që s’di pse e pandehim si diçka të zbulueme e të njoftun. Tymi i arrogancës së dijes s’na lejon të shohim kurrgja. Ç’pandehim se jemi? A jemi? Ku? Ekziston vetëm Zoti dhe Dashuria. Apo vetëm Zoti. Apo vetëm Dashuria. E njëjta gja.
Pashë një re të bardhë në horizont që bante statuetën e bukurisë tande në sfondin blu, por nuk e dija se përbluante në vete andrrën e pashmangshme të shiut. Mandej e kundrojmë përtej xhamave, tek bie me rrëshekë, pa e ditë se mbas pak shtrëngata do t’ia behë e armatosun me arsenalin e tmerrshëm të do gjesteve njerëzore, të cilat i patëm mendue të njoftuna e të dituna.
Tash përfytyroni nji panterë prej drite që vrullon mes ajrit të përgjumun të mbramjeve. Asht ajo. E bukur dhe e paepun, përtej fjalëve e heshtjes, përtej gjesteve e vështrimeve, përtej kangës së nji kanarine të çlirueme prej kafazit, përtej kërkërimës së lehtë të nji trandafili që çel në agim. Ok, mbramja duket ende larg, e di, por fytyra e saj e prarueme prej aureolës së agimit më kujton se jam shty bukur thellë në oqeanin e pafundëm të kohës, teksa dritat e bregut janë katandisë në një kujtim të largët e mizor, sidomos mizor. Po, po, ajo asht në zemrën time, por zemrën nuk di ku e kam. E tash vdekja dremit pranë meje si nji dac i ngopun që pret ta zgjojë veç uria, po prapëseprapë asht e gjatë kjo jetë, krejt si nji rrugë që vdaret në mjegullinën e horizontit e në fund të udhëtimit na pret veç zhgënjimi. Në krye të rrugës, zemra na pati thanë do fjalë të vërteta e të pazashme, por mjerisht tingulli i tyne ndihet vetëm kur kemi mbërritë në fund: MOS U NIS!
Por ne jemi nisë. Dhe nisemi gjithmonë. E ndigjojmë atë za e prapë nisemi. Jemi të vdekshëm dhe kaq të dashunuem mbas gjanave të vdekshme, të përkohshme, kalimtare, mbas nji puthjeje, nji buzëqeshjeje, nji fshikjeje si pa dashje me mollëzat e gishtave, mbas do fjalësh që na thuhen në vesh si pëshpërimë, mbas do kujtimesh të bukura që mbase s’kanë ekzistue kurrë, mbas nji jehone të largët që na kumton jetën e pajetueme, mbas nji shajnie vezullore, e cila ia beh me vështrimin e dy syve shkrepëtitës që të thonë: NISU!
Po, ditët qenë pela të bardha e shterpa, që shkonin revan, por njëra prej tyre të solli ty, gja që mjaftoi për t’u dhënë kuptim edhe të tjerave, që deri në atë çast patën sjellë veç zhurmë e pluhun e trishtim. E ja tek vërej se si ditët që vijnë njëra mbas tjetrës, mbartin secila shëmbëllimin tand, arsye e mjaftueshme për me besue se nuk janë ma shterpa, por thjesht të bardha, si drita që mbështjell hanën e fytyrës tande.
Por mos beso! Gjithçka kalon. Kalojnë edhe pelat e bardha të ditëve që mbartin shëmbëllimin tand. E tash, i fundmi shëmbëllim i joti asht nji fantazëm e ngrysun bardh e zi, e cila sjell lajmin e kobshëm të vdekjes së ngjyrave. Buzëqeshjet, vështrimet, fjalët, frymëmarrjet, të gjitha në countdown.
Mbramjet më ndryjnë në guvën e errët të kësaj mungese, së cilës as mundem dhe as dua t’ia gjej daljen. Ndigjohen vetëm cijatjet e lakuriqëve dhe të ndjesive që japin shpirt te kambët e mia e fill mandej nji za i shterrun dhe i vonuem që pëshpërit: MOS U NIS!
Ditët janë pela të bardha

Autori