“Nuk due me t’ba qejfin,
por ti ke qenë nji burrë i mirë.”
Kështu m’thotë ajo. Dhe vazhdon:
“Gjithnji ke qenë disi katundar,
disi i thjeshtë, disi rural.
Ta kam pëlqye shumë mosngurrimin
me i fishkëllue hanës dhe zagarëve.
Gjithnji ke patun n’vete diçka prej bime,
dhe diçka prej kafshe.
Sa herë m’je afrue,
sa herë e kam nuhatun gjoksin tand,
e kam ndie erën tande, erën e barit
dhe erën e mëzatit.
Ta kam pëlqye shumë,
mosngurimin me ulërie,
kur kemi ba gja.
Ta kam pëlqye shumë,
t’qenmen ngulmues, t’qenmen vetvetja.
Ta kam pëlqye shumë,
ardhjen nga fusha, ardhjen nga ahuri.
N’ardhje, kurrë nuk je turrë
me u fut n’banjo, me u la,
po ke ardhun drejt e tek unë.
M’ke përqafue, m’ke prekë,
ashtu i djersitun,
i tani i mbuluem,
me erë djerse, me erë mëzati,
me erë bari.
Nuk ke qenë aspak snob –
kurrë nuk ke dashtë
me u dukun e me ba, si nji tjetër.
Ke ditë gjithnji,
si me i lexue sytë e mëngjesit
dhe sytë e mi.
Ma ke dallue, ma ke njohun largas,
edhe dhimbjen, edhe gëzimin.
Nuk je kursye, nuk je ruejt, asnjiherë.
M’ke ba evlad,
sa kam dashtë e sa ke dashtë.
M’je dhanë me frymë e trup,
gjithnji, i tani.
M’je dhanë,
tuj dashtë me e lanë gjithë trupin,
gjithë shpirtin, n’mue.
Nuk je mundue me m’ba asnji luks.
M’ke dhanë veç ç’ke patun
dhe me veç ato ç’ke patun,
m’i ke dhanë t’gjitha –
ma ke falë botën…,
he t’bekoftë Ai Zot!”
(‼‼‼‼‼‼!…
M’gënjejnë veshët, a n’andërr jam?…)