Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

Bisha

Bisha: koçan misri me syrin e verbër,
jeton tek pylli prej qimesh memece.
Lyer me kulloshtër të freskët katundi,
një bisht pasthirrmash braniska pas vetes.

Të gjithë e duan, por me gisht i tregojnë
sinorët e vjetër të bokërimave të trupit.
Oh, si kuis mes atij peizazhi prej thonjsh
lidhur me zinxhirët e florinjtë të turpit.

18 gusht 2013

 

Nuselalëz frike

Nuselalëz e kuqërremtë frike
hyn e del nazike
mbi vrima muresh mëkati.

Oriri, oriri!

E bukura në pëqi
mëkon harabelat e verbër të brengës
rënë në parvazin plasa-plasa të lemzës

(nga frika mos i hash ti)

Oriri! Oriri

Nuselalëz e kuqërremtë frike
shullëhe barkun xinxife
në çairin barëgjatë të psherëtimave.

Gjëja e shtypur

O gjë e nëmur, rritur tek rrëpira e gabimit,
mes baltës së keqardhjes e ndjesave blana-blana…
të shtyp, të vë munxat si pjellës së xhindit,
ti qesh, ngrihesh, stolisur me zinxhirë e pranga.

Të gjorat bletë të verbra dëshirash!… Të egra
tek shkëmbi i shpirtit kërkojnë kosheren për mjaltë…
O gjë e mallkuar: një saksi seksi qenkërka zemra,
nga u varkan karafilat e kuq të epshit dhe… kaq.

13 shtator-10 tetor 2013

 

E çara e mohimit

E çara e mohimit: e kuqe e zjarrtë karpuzi
dhe kali i epshit me mamuze namuzi.

“Ah!”… Eshtra e zbardhur e kësaj pasthirrme paniku,
shigjetë drejt tigrit qimekërleshur të rrezikut.

Në këtë kalbësirë kaltërsie rrënjët e dufit,
farëra të zeza dhe fruta të kuqe triumfi.

Ujërat e fjetura të mendjes dallëndyshe e mëkatit
i përçik e turret drejt humnerës lara-lara të fatit…

1 janar 2010

Furrtare mërzie

Keni të drejtë furrtare të zeza mërzie:

brenda meje janë djegur të gjitha llambat
dhe në xëx ju lypni thërrimet,
që mbetën mbrëmë,
prej bukës së norme të mosmarrëveshjes.

Ju thashë pra: keni të drejtë.

Tash jam një barrelë e përdorur spitali,
që mbart trupat e gjakosura të fjalëve,
plagosur në një aksident lumturie.

Keni të drejtë furrtare të zeza mërzie.
.

2 qershor 2011

 

Gjer vonë

Gjer vonë
e dëgjova blegërimën e deles së fjalës
tek pillte në përrua qengjin e llajër.

(Banoj këtu:
në katin e dytë të imagjinatës.)

E lëpiu sa e lëpiu,
pastaj treqind kukudhër
shqyen shurrjesën e lënë mbi thërpele.

(Mjeri unë për ty, e mira ime!

Si qesh mes qelqesh
tek vete-vjen në teleferikun e lotit…)

28 shtator 2013

Autori
Balil Gjini