1
Shihmë! Sapo dola nga hojet e errëta të gjumit,
veshur me kostumin verdhë e zi të një grerëze.
Jam mjalti dhe helmi, plaga dhe plumbi.
Vdekshin të gjitha bletët në prag të kosheres!
Vij ta mbys atë zog të kuq që përnatë,
vjen e çurit në kukomajat e pemës së frikës.
Pssst!… jam e pacipë. Të futem në shtrat.
Jam skëterrë me lule, humnerë pa përbindësh.
Ma kënda të vij hipur mbi bishtin e sfurkut,
duke shkelur ato dallgë me kallëza shkrimi.
Jam e paemërtueshmja, që çon te kaosi i bukur,
dërrasave të kosheres t’u vëmë fitilin!
Marr trajta femrash e qeniesh të tjera,
ma ndjen erën e bishës dhe çmendesh prej epshit,
kuajt e fakteve që hingëllijnë lidhur te pema,
mos i kap prej frerësh dhe mos u thuaj të heshtin.
Jam kuçka fshehur pas avlëmëndit të drojës,
ylberi gjysmëbuzë mbi ujëvarën e përdalë.
I kam thyer fenerët në rrugën e përvojës,
ta marr mendjen dhe ta var në kremastar.
Shihmë! Sapo dola nga hojet e errëta të gjumit,
veshur me kostumin verdhë e zi të një grerëze.
Jam mjalti dhe helmi, plaga dhe plumbi.
Vdekshin të gjitha bletët në prag të kosheres!
8 janar – 10 janar 2021
2
Gjarpri i larmë në katin e tetë.
Kulloti, kulloti, të gjorat bletë!
Lugje ligjesh dhe magje magjish.
Mpiksu e bukur me gjakun e dhisë!
Mënde qengjin në gji të pasthirrmave.
Bëji gjilmitër fijet e shirave.
O britmë e arnuar me sqepa pëllumbash.
Fjalë e dyllosur me gjithfarë vulash.
Djep ishte o-ja dhe u-ja greminë.
Nga poret tona kur mbinë filizë.
Gjarpri i larmë në katin e tetë.
Kulloti, kulloti, të gjorat bletë!
2 shtator 2018
3
O ti, E mira me kaniskun e rrezikut mbi kokë,
a s’ më thua: si ta dalloj vemjen nga flutura?
Mos peshkaqeni është drapër vërvitur ujit të ftohtë,
që u mbush gjatë kohës me mishra dhe luspa?
A thua jemi balta e skaduar që nga Adami ka mbetë,
apo virusi që Zotit i shpëtoi nga epruveta?
Koha gëlltit këlyshët e ditëve që ka pjellë vetë,
dhe me gjilmitër end në tezgjah veçse gënjeshtra.
Petalet e manushaqes më shkërmoqen në dorë,
dhe dihatin me ngut të bëhen hape farmacie.
Të dielat si tesha të palara fantazmash kundërmojnë,
ç’është festë, është njëherazi dhe flamur zie.
Fati shëtit akoma me qerren rrangallë mbi botë,
(të mirën dhe të keqen brenda të njëjtës zgavre i ka futur).
O ti, E mira me kaniskun e rrezikut mbi kokë,
a s’më thua: si ta dalloj vemjen nga një flutur?
28 prill 2020
4
O bisha të brishta
Ju foshnje me fushnje!…
Më rrini karshi
Si shtërpiu në shtëpi.
Rangu është rengu
Moj kuçka dhe kaçka…
(Oh ç’gjëma gjithë gjëmba
Më shpojnë përbrenda!)
Me akte dhe ahte
Me teka kate-kate
(Me farë kap epsh
Në fare pak pesh…)
Unë gërxho mes gërxhesh
Fantazmë me azmë.
Ju hije me hoje
Dhe dhelet sa ledhet…
6-8 dhjetor 2020
5
Uloke qenë fjalët në kohën që të desha,
(rënkimet ecnin mbi paterica a majën e thonjve.)
Ylbereve prej tmerrit të shenjtë u dridhej mjekra,
dhe shkrumbrat e tyre binin mbi bishtrat e pallonjve.
Në kohën kur kafshërisht të kafshoja gjërat e hirshme
(dhe mishin e bardhë ta ndrysja si brumët në magje),
mështekna djersinte dhe donte të hingëllinte,
por s’arrinte dot të bëhej zebër afrikane…
4 prill 2017
6
Ububu, o buf, ububu!…
Pështymën përroi, nëma në dru!
O buf i verbër me pendla të bardha,
ç’panë sytë që t’u bënë gërmadha?
Le të nisë vallja, magjia e bardhë,
shterpa shterpë nga shtëpia të dalë.
O buf i verbër me zërin gjithë arna,
gjej rrënjë salepi si foshnja të vrara.
Të bëjmë tym shqope me flakë stralli,
shqipja e zezë nga shqota të dali.
Të lindë ylberi dhe retë lehona,
T’i shohim tek bëjnë si vajza kokona.
Harrimi haram. Kokërdhokët e bardhë,
janë mitra, a motra perdesh ndër dramë?
Me vezë të zeza dhe pështymë dallëndysheje,
t’i ujdisim me radhë dyert e klithmave.
Vjen zëri që thotë: verbëri do të vejë,
gjer skeptrin e shëmtisë mola ta brejë!…
8 shtator 2018
(Shkëputur nga Revista Letrare-Pranverë, 2021)