Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

1. Zanafillë blasfemike

1
Zotit iu mërzit loja e xhonglimit me planetët
(hidh në një dorë e prit në tjetrën)
ndaj, si beqar që ishte, bëri femrën.
E vetme me një gërshet hedhur pas shpine
ajo dukej si arnë e bukur përsipër Kaosit.

2
Ah: t’i bëj diçka të argëtohet, tha Zoti,
dhe bëri Parajsën:
fruta e lule i kalli brenda trupit të Evës.
Po molla hileqare
ia çau fët-fët gardhin e brinjëve
dhe dy kokrra i vari gjithë zili përmbi gjoks.

3
Ec e ec… Një ditë Zoti e pa Evën tek vraponte
dhe gërsheti që i valëvitej në erë
iu duk si gjarpër që i mërmëriste tek veshi…
syzet prej miopi iu bënë copë-copë
dhe Historia e njerëzimit nis të mplekset gërshet…

20 mars – 29 maj 2013, 28 korrik 2014

2. Nepërka

Nga muret e mekamit të zemrës
doli nepërka dhe pa dallëndyshet:
kazanë zë zinj që distilonin mërzinë.
Dale pa më shihni, tha
dhe vari lëkurën në murriz:
gyp i transparentë.
Po nga larg erdhën bletët e egra të shkëmbit
dhe i bënë gropëzat e luspave hoje.

1 shkurt 2013

 

3. ~ ~ ~

a
Një klithmë elegante me taka të larta
ecte mes fjalëve të lëna djerrë.
Kullusma e dendur mes shalëve të zuskës
ulërinte: kë imitoni kështu, o të mjera!

b
Këtyre bistakëve prej të qeshurash taze
nallanet e ankthit do t’ua shtrydhin mushtin.
Pssssst! Një urdi me kallogre xixëllonjash
marshon me pishtarë dhe të këndon kolofruthin.

8 nëntor 2011

4. M’ike, mike, m’ike

M’ike, mike, m’ike!
Harabelat e rrumbullt të të qeshurave
ma braktisën pezulin e buzëve
dhe fluturuan mbi drurin e tharë të frikës.
(mike, m’ike, mike!)
Tash granilin e ëndrrës
le ta sitin në sitë
vetë perënditë.
e humba davanë pa e gjetur devenë;
(devenë e bardhë me duvanë e zezë përpara)
m’ike, mike, m’ike.

12 tetor 2008

 

5. ~ ~ ~

Ç’të ishin ato rreze që hynë brenda shpellës së inatit,
dhe t’i zgjuan dhelpërushet e përgjumura të nazeve?
S’e di. Veç dita qafëgjatë si një struc afrikan
në rërën e indiferencës pillte vezë taze.

Një mëz i zi, i gjithi mërzi qe edhe nata,
që hingëllinte dhe brente frerët e epshit me dhëmbë.
Në shufrat e qymezit të kokës idetë puplapakta
shkulnin pendët e tersit tek rrinin mbi një këmbë.

Hijet mbi muret e frikës s’kishin pikë takati,
si prestigjiatore cirku gëlltisnin flakët e hakmarrjeve.
Ç’të ishin ato rreze që hynë brenda shpellës së inatit
dhe t’i zgjuan dhelpërushet e përgjumura të nazeve?

1 – 8 dhjetor 2014

 

Autori
Balil Gjini