Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

 

Sot poeti është një Kasandra, e vërtetë, por e droguar

mes zjarreve dhe kokëprerjeve, shtypi ngurron të raportojë
teksa zbarkojnë vrasës, që nuk janë edhe aq larg,
duke pritur në barkun e të njëjtit kalë, që na mbart mbi të pasmet e veta
dhe teksa rrëmbehen vende të tëra me pretekstin e shpëtimit të tyre,
mes shkeljeve të panumërta të asaj që Uilliam Shekspir
e quajti “ah, gjendja njerëzore” dhe interpretimeve abstrakte
të asaj që, me siguri, është një gjymtim, mes të qeshurave të gazmorëve,
mes kërcënimit të ri se bota po i kthehet teokracisë.
Ajo denoncon atë që sheh dhe, tani për tani, ia falin çmendurinë,
por edhe ajo është e droguar
(këto bimë janë ngushëllimi i saj i vetëm).

Nuk mund ta përfytyroj të bukur, bionde e të pashpresë,
si në ato fabula që pikturoheshin mbi fletë ari,
as si në mizoritë që rrëfente Homeri,
por të kolme, flokëzezë dhe llafazane,
një vajzë që nuk do të martohej kurrë me askënd,
një barrë për shtëpinë mbretërore.
E tillë është profetesha: pështymë dhe e vërtetë mbi buzët e saj
dhe, në grahmat e zgjedhjes, bota parapëlqen pështymën.

Poema e hekurt

Më jep një poezi prej hekuri që kërcet mbi kokat boshe
dhe një dorë të qëndrueshme në të çarën e pishtarit,
një poemë gjaku dhe kockash që, edhe të vdekura, vazhdojnë të jetojnë,
dhe penën e mishit që nënshkruan dënime
në mendjet fajtore të kalorësve të çmendur;
që i shndërron frikacakët në kripë,
një poemë hekuri, e ndryshkur dhe e tërbuar,
që shkelmon pellgun në mesnatë,
kur as të vdekurit nuk ëndërrojnë agimin.
Një çekiç fjalësh për t’i lënë botës zgavra bosh,
një gjest i tërbuar, një gur i ndezur në gojën e atyre që flenë,
ndërsa uji ngjitet mbi Planetin e Madh Sferik;
një goditje mbi seksin e vajzës së gjunjëzuar,
njerëzim idiot e i durueshëm,
që nuk sheh, që nuk dëgjon,
që vetëm u flet hirit të perëndive të veta të vdekura.

Taksidermi

Merr një poezi të mirë dhe nxirrja me kujdes të brendshmet
po aq helmuese sa një peshk tullumbac
mbushe me kashtë akademike
krehja flokët sipas modës, ndonëse
flokët këmbëngulin të kalojnë në anën tjetër
vendose mbi një piedestal dhe, në bazë,
një pllakë bronzi me emrin e saj, të përfytyruar në latinishten moderne
dhe bisha e palëvizshme nuk do të na shqetësojë kurrë.

Papirusi në breg

Lart, shumë lart, mes atyre pak shkurreve të mbetura,
që sot i shkul pakujdesia, ose i rrëzon rrema.
Vetëm për të dalë në rrugë,
ai dhe unë u takuam për herë të parë.
Unë, fryt i hirit të tij;
ai, bamirës i përulur mes fibrave të veta.

Nga ai kërcell i qetë, i sigurt në vetvete,
u ngritën belbëzime, britma dhe thënie,
fjala këmbëngulëse e të vdekurve,
gishtat e dy Plinëve, obsesioni
i Aristotelit për secilin, për çdo gjë,
për qeniet e gjërat, siguria e pavdekshme
që Herodoti e pa të ndryshonte përsëri e përsëri,
përqeshja e Aristofanit, sa shumë mbeti
nga Homerët njëri pas tjetrit, e shumë më tepër,
që zjarri, urrejtja dhe zemërimi i përpinë.

Sa shkurre janë djegur vetëm për mëkatin e tyre:
të qenit biblioteka.

Dora ime dridhej mes faqeve të tij,
pasardhësi i tij, po aq delikat,
i pavetëdijshëm për praninë e paraardhësit,
por i vetëdijshëm për origjinën e tij të gjelbër,
dhe i bindur se do të mbijetojë, si papirusi i lashtë.

E brishtë është kujtesa, si kujtesa e përjetshme.

Shqipëroi: Marjola Dashi Jaupi

 

Biografia:
Luis Benítez konsiderohet një nga zërat më të shquar të poezisë bashkëkohore argjentinase, si dhe një pikë referimi për poezinë aktuale latino-amerikane. Lindi në Buenos Aires më 10 nëntor 1956. Është poet, prozator dhe eseist i njohur. Fitues i titullit “Compagnon de la Poésie” nga shoqata “La Porte des Poètes”, me qendër në Universitetin e Sorbonës në Paris, Francë. Është anëtar i Shoqatës së Poetëve Argjentinas (APOA), Shoqërisë së Shkrimtarëve të Republikës së Argjentinës (SEA) dhe Qendrës PEN Argjentinë. Ndër çmime të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, ai ka marrë Çmimin Ndërkombëtar të Poezisë “La Porte des Poètes” (Paris, 1991); Çmimin e Dytë të Bienales së Poezisë Argjentinase (Buenos Aires, 1992); Çmimin e Poezisë të Fondacionit “Amalia Lacroze de Fortabat” (Buenos Aires, 1996); Çmimin e Parë të Konkursit Ndërkombëtar të Prozës (Montevideo, Uruguaj, 1996); ); Çmimin e Parë ‘’Tuscolorum di Poesia’’(Sicili, Itali, 1996); Çmimin e Parë për Romanin “Letras de Oro” (Buenos Aires, 2003); Çmimin e dhjetë në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë (Paris, 2003); Çmimin Ndërkombëtar “Macedonio Palomino” për Vepra të Botuara (Meksikë, 2007) dhe Çmimin e Tretë Bashkiak “Ricardo Rojas” për Romanin (Buenos Aires, 2022). 45 veprat e tij në poezi, eseistikë dhe prozë janë botuar në Argjentinë, Kili, Spanjë, Shtetet e Bashkuara, Francë, Angli, Itali, Meksikë, Rumani, Suedi, Venezuelë dhe Uruguai. Në vitin 2023, regjisorja argjentinase Ileana Gómez Gavinoser realizoi filmin “Luis Benítez and the World of Poetry” (Luis Benítez dhe Bota e Poezisë), një film biografik që fitoi çmime në festivale filmi në Spanjë, Francë, Indi, Itali, Maqedoni, Mbretërinë e Bashkuar, Singapor dhe Turqi për kategorinë e filmit më të mirë dokumentar me metrazh të gjatë.

Autori
Luis Benitez
Autori
Marjola Dashi Jaupi