Press "Enter" to skip to content

Zogu që kam në zemër (Cikël poetik)

Meditim

Mes horizontit dhe pikës së nisjes
rri pa e ditur nëse është mbarimi
a mesi i rrugëtimit.
Me vështrim të rreptë shqiponje
kërkoj pikat orientuese
për të vendosur nëse duhet
ta thyej sqepin e vjetër
pas shkëmbinjve
e të shkul puplat e rënda të zhgënjimit,
duke mbërthyer me kthetra të reja
gjahun e fluturimit përtej,
apo diellit në perëndim
t’i bëj një shenjë të fundit mirënjohjeje.

Nuk mund

Tretet venerimi yt;
hënë që shkon drejt agut
e unë s’mund ta ndal terrin që të mban në jetë.

Vdekja do të vijë bashkë me mëngjesin,
kur të gjitha fluturat do të jenë djegur në dritë
dhe të gjithë pellgjet të jenë kripur nga lotët.

Rrëfim për historinë

Nën hijen e ullinjve
fresku është i paqtë, tha plaku,
por rrënjët në luftë janë përjetë.

Historia na qenkësh një ranishtë
ku era fshin pa mund
ç’është shkruar me shkopin e kujtesës
mbi suprinën e brishtë;
luan me dunat si me ca këlyshë të dobët,
i shprish dhe i bën nga e para format si do vetë,
ua heq përjetësinë e së vërtetës,
në ujësi të shpërfillur i shndërron.

Një herbarium i pambaruar na qenkësh!
Faqe më faqe mund t’i ndërrosh gjethet,
mund t’ua përziesh aromat,
t’ua rishkruash emrat.
Madje edhe mund t’i shkërmoqësh
me pëllëmbët e buta e t’i kthesh në byk
lëmit ku fryn harresa.

Historia qenkësh kohë e pakryer
gjersa kurrë nuk soset rindërtimi
i ditëve, viteve, shekujve.
Ç’është shkruar është e pashkruar
dhe çdo të shkruhet është e shkruar.
Mistikë dhe shumësi pasqyrash është
nga ku vështrohesh prej një pafundësi sysh.

I paqtë është fresku nën ullinj.
Dhe tutje horizontit deti i kaltër, i përndritur
si krah i shkruar fluture.

Festat

U ndezën dritat,
ylberët e rrejshëm gazndjellës,
si arlekinë
që me dyzimin fshehur
kryejnë misionin e caktuar
me zell e durim prej murgu.

Në shesh argëtohen fëmijët,
qeshin me zëra kerubinësh
pa e kuptuar se ylberët janë të pakapshëm
dhe se rendja pas tyre është një farë flijimi.

E nesërmja
sërish me qiej të mbarsur
do të shtërzojë shi e furtunë
duke shpëlarë pa fare drojë
ditë të bardha fëmijërie.

Dashurinë…

…e kërkojmë pareshtur
me marrinë e xixëllonjës ndaj territ,
me ngulmin e lumit drejt detit,
me etjen e shkretëtirës për shiun,
me pasionin eksplorues të ekzotikës,
me zellin tempullar për misterin,
me guximin kalorsiak për fitoren…
E kërkojmë, e kërkojmë
me një shpatë drite në dorë
dhe, sapo e gjejmë,
ia ngulim drejt e në zemër.

Zogu që kam në zemër

Po mua kush do të ma dëgjojë
Këngën e zogut që kam në zemër?

Gjithë ky pyll kaq i shurdhër!
Gjithë këto pemë pa një sy!

Vjen vjeshta dhe veton vetmi,
Mbërrin dimri dhe i rëndon drurët.

Humbet zëthi i butë nëpër boshësi
Dhe rrezja e diellit në muzgun e vonë.

Por këngën s’e ndal se nuk i njeh stinët.
Acarin që rreket ta mbytë nuk e njeh.

Dhe është kaq i brishtë, dhe është kaq i egër
Këndon gjithë për vete ai shpirt pa fre!

Në zemrën fole si një zot më rri
Se vetëm këngë e tij e mban këtë botë.

(Shkëputur nga vëllimi “Bregu tjetër”)