Press "Enter" to skip to content

Trupi im

Mahnitem se qysh trupi më befason çdo ditë. Jo, në fakt tmerrohem. Tërë këto organe, tela të përzier brenda, kjo humnerë ku Zoti ka punuar gjerë e gjatë, tërë kjo muzikë e vendosur brenda me kujdesin e një nëne shembullore, kjo qëndisje e rrobaqepësi, kjo simfoni e menduar, e shkruar bukur të mban në dy këmbë dhe tutje zgjohet me ty e bie me ty natë për natë.

***
Trupi na dështon shumë më shpesh sesa na gëzon. Në ditët me shi, trupi im qan për Diellin, e në ditët e nxehta, sikur bërtet për një prekje më të akullt.
Plot duarve u është dorëzuar trupi im. Në Slloveni, Klemenci – një aktor me sytë e gjelbër, veshur me një pallto deri në fund të këmbëve në një janar të ftohtë, e pati marrë seriozisht kiminë mes trupit tim dhe vetes së tij. Dy trupat u përleshën mirë e mirë, si qenushët e lagjes sime, dhe u pajtuan. Në Bruksel, Takuja lejoi trupin tim t’i futej trupit të vet, një natë pasi një punëtor i Qeverisë së Belgjikës – e kam harruar emrin e tij – bëri dashuri me mua dhe me trupin tim për dyzet e pesë minuta pa pushim.
Këtyre burrave nuk u intereson nëse jam i brishtë apo nëse trupi im është i fortë hekur për të duruar trysninë e prekjeve, por nuk më lëndojnë. Edhe ato pak gra të jetës sime, po ashtu, të gatshme për epsh dhe puthje të pështymave, e marrin trupin tim si të mirëqenë dhe përqafojnë nivelin e trashësisë, dobësisë, vitaminës K, problemet me mëlçinë, antidepresantët… të gjitha misteret që bart me vete ky trup.

*
Bash kur mendon se gjithçka është në vijat e duhura, trupi fillon të të buzëqeshë dhe të tregon se ka ardhë koha për pak lojë. Unë vazhdoj jetën me idenë se organet janë mirë, vitaminat po ashtu, kockat janë ngjitur, problemet me nyejt janë anashkaluar, mëngjeset janë më të vështira deri në zgjim dhe rëniet në gjumë janë copëtim – por prapë trupi nuk tregon ndonjë shenjë se muzika e mirë do të ndalojë dhe pjesa e keqe e refrenit është gati të luhet para veshëve të botës.
Niveli i fibrinogjenit – proteina që ndihmon në koagulimin e gjakut – është gati ta prekë qiellin; duhet të ulet ajo vlerë. Mukoza në fyt veç sa ma vështirëson jetën dhe më ndihmon mos ta dua as veten, as rrethin. Hemorroide në anus, ngacmim i lehtë në shpretkë, frymëmarrja e mirë, por gjithçka tjetër jo. Mishi i dhëmbëve është bërë rrepë i kuq. Mushkëritë ka ditë që më japin shuplaka. Sinuset plasin sytë, sytë ma plasin nervin e vetëm që mundëson të mendoj. Gjoksi i bukur, por gjithçka tjetër jo. Barku është fryrë dhe me ngërçe, krahët janë shkurtuar dhe muskujt po ashtu. Fizioterapisti lëshon duart mbi shpinën time dhe dukem si aeroplan që përjeton turbulencë prej ushtrimeve që nisin me rrymë, me lëvizje të kokës, me ultrazë e me kremin e vajit të kokosit. Niveli i serotoninës është qesharak. Ballin dhe mollëzat i kam shpërlarë me ujë dhe shkëlqejnë, por gjithçka tjetër në trupin tim nuk bën dritë.

***
Gjithmonë e kam dashur trupin tim të zhveshur. Pas çdo seksi jam ndjerë si Olimpi i botës.
Pas çdo seksi jam ndjerë sikur e kam pushtuar çdo mal, çdo fushë, çdo kullë e kështjellë, ku burrat dhe gratë e bukura të botës preken dhe nuk shohin jashtë dritareve. Pas çdo seksi, në Berlin apo në Beograd, në Prishtinë a diku tjetër jam ndjerë sikur dua ta pi një cigare pa pikën e arsyes, veç pse dua ta pi dhe se mundem ta pi dhe se trupi… trupi ma lejon ta pi një cigare edhe nëse pas saj do të bëhet tërmet e do të shpërthejnë muret. Muret ku trupi im është çjerrë para pak minutave, duke dashtë me e prekë Zotin, duke iu lutë tjetrës a tjetrit të ikim së bashku drejt Zotit.
Gjithmonë e kam dashur trupin tim të zhveshur. Edhe më shumë, kur këtë trup e kanë çmuar të tjera duar. Janë rreth një qind trilionë qeliza në trupin e njeriut, të cilave ua kemi borxh trajtimin e duhur. Brenda ditës, gati njëzet mijë herë marrim frymë. Këta trupa realisht na durojnë shumë dhe vazhdojnë rrugëtimin me ne, por nuk na duan mjaftueshëm.
Zgjohen prej zagushisë kur një tjetër trup u vjen afër, miklohen, xigëlohen, u nxjerrin dhëmbët njëri-tjetrit, kthetrat, të pasigurt nëse duan të bëhen qull prej djersëve apo duan të mos kenë asnjë pikë të përbashkët, asnjë pikëprekje mes tyre.
Trupi, ashtu-kështu, është gjysmë ujë e gjysmë mish, por prapë dëshiron ujë, lëngon për ujë, vdes për pak ujë të kriposur, shkarravitet përtokë për pak ujë të një trupi tjetër, për pak lëng jete, për një tis të shpërlarjes me ujin e një burri tjetër, kroin e një gruaje tjetër, oqeanin e një njeriu që nuk ka gjini.

***
Shkoj e bëj not dhe shpesh nuk e di a po notoj unë me trupin tim apo është uji ai që lehtësisht më merr në valle. Kam frikë ndonjëherë se unë do të dal nga pishina e brendshme, që e vizitoj dy herë në javë, por lakuriqësia ime do të ngrejë krye e do të mbesë brenda, poshtë ujit të pastër. Trupi mund të më kthehet në fëmijë lazdran, që nuk ma kap dot dorën dhe fundoset pa mua. I vetmi fëmijë që e kam, ndoshta dëshiron të notojë pa u ngjitur me mua, të vdesë pa mua.
Trupi im, eleganca, sharmi i mbuluar me një pelerinë, në fund të gjithçkaje mbetet i imi. Ose ky është ngushëllimi. A nuk ia lashë secilit burrë që më preku, një gram të trupit tim? A nuk e marrin fibrat e epshura bimore që prekim, lulet që nuhasim, një pjesë të trupit tonë me vete? Rrugët ku ecim, librat që lexojmë, tualetet që na janë besnike, përshëndetjet e dorështrëngimet, biletat për avionë drejt vendeve të harruara, rëra e prekur në mëngjesin e gushtit, kalimtarët e jetëve tona, gratë, nënat, ushtarët, shkrimtarët që na lexojnë hallet, kuzhinierët, infermierët, veturat e kufomave, a nuk marrin pak prej trupit e gjakut tonë, për të mos na e kthyer kurrë?
Mahnitem se qysh trupi më befason çdo ditë. Ky trupi im, ku puthen koka me gishtërinjtë.
Jo, nuk mahnitem, në fakt tmerrohem. Tmerrohem që jam ngujuar në një trup, që nuk e kam zgjedhur. Në një trup, që nga çasti në çast mund të më përqafojë e të më shtrëngojë, të më lutet që ta dua e ta ndjej, ta hyjnizoj, ta përvetësoj. Ky trup, që mund të quhej Afroditë, Artemis, Hera, ndoshta Dionis, Romeo, Xhulietë, Zeus, Don Kishot bile. Ky trupi im, ku puthen koka me gishtërinjtë.
Megjithatë, trup pa emër, ku ka veç faje, krenari dhe një det të madh mbushur me momente turpi.

(Shkëputur nga Revista Letrare – Pranverë 2023)

Autori
Arbër Selmani