Nëse më pyesin për ty…
Nëse më pyesin për ty,
do t’u flas për gjëra të tilla, si:
përkohshmëria e fluturave të praruara;
paqëndrueshmëria dhe trillet e erës,
shtegtimi mallëngjyes i zogjve në vjeshtë;
rënia e paparashikueshme e shirave…
…dhe gjithçka tjetër,
që kalimtare është në këtë jetë.
Nëse askush s’më pyet për ty,
dije se unë do jem thyer;
do jem kthyer në një lumë të vdekur,
pa brigje;
me pamundësinë për të ngritur mbi të një urë.
Dhe këtë,
pikërisht këtë…
nuk kam për të ta falur kurrë!
Ikjet
Fyejt e erës
fërshëllejnë mbi shqopishtën e kodrave të buta,
nga zemra e pyllit rënkimi i përvajshëm i vjeshtës dëgjohet.
Ka ende gjethe kryeneçe mbi kurorën e plepave
qëndrestaret e mbrame të stinës që s’dorëzohet.
Ikën dhe zogjtë e fundit shtegtarë
me këngët e lamtumirës.
Qiell i zbrazur.
Një pikëllim i paskajshëm
rigon si shi e kallet gjer në shpirt.
Një pemë-fantazmë në mes të fushës
nga larg më mërmërit:
Eja ta ndajmë bashkë vetminë…
Dhe ti u nise me këtë fundvjeshte
e përvuajtur nga sëmundja e rrëzimit të gjetheve…
Ikin zogjtë
dhe qielli zbrazet –
kube e braktisur kishe.
Ikin shpirtrat
dhe pas shkretimi i ikjes.
Vetëm ikjet
na rrëfejnë të vërtetat e ndrydhura poshtë vetëdijes
dhe të vërtetën e ankthshme
se koha ikën.
E ikën pa kthim…
Për shkak të shiut
Ndoshta për shkak të shiut që binte,
sytë e tu, një çast,
u mbushën me trishtim;
Fjalët një grimëkohë enden në ajër
e sakaq, në hon të heshtjes, rrëzohen,
pa frymë.
Përtej qelqnajës, si prej një bote të huaj,
e mbytur vjen rropama e jetës –
midis meje dhe saj – e hapur një greminë.
Në kokë më vërtiten të errëtat mendime:
koha ciklike–rikthimi përhershëm në pikën e nisjes,
mundi sizifian i përsëritjes, çdo ditë, i së njëjtës rutinë,
pesha e të qenit, kaq këmbëngulëse
dhe dashuria,
si këngë e fundit mjellme,
e pamjaftueshme,
si ngushëllim.
Kjo vjeshtë
Mes rruginave të pyllit,
i vetmuar bares.
Rrëkëllej koktejlet e vjeshtës me eks.
Kjo vjeshtë…
Kjo vjeshtë,
me një diell që djeg si zjarr i avashtë;
më dehu në deje,
më dehu gjer në asht.
Kjo vjeshtë kapriçioze me qiell vangogian,
Adam të vetmuar mes gjinjve më mban;
të jesh pa një Evë nuk është ndonjë dramë…
Diku edhe ti… në një Irish klab,
me eks pi tekila, të shuash një aht.
Me vete mërmërit:
-Ai s’diti me m’mbajt…!
Si ylber pas shiut u shpërbë dashnia;
pasioni u shter,
u shua në një natë.
Kjo vjeshtë pa shira,
as qan,
as ofshan;
me diellin e verës ka mbetur shtatzanë.
Kjo vjeshtë…
Kjo vjeshtë…
…më dehu në shpirt,
deri në asht;
si trupi yt i dielltë, i zhveshur në shtrat…