Njerëzore
Milingonat…
Për çdo dhjetor shumohen.
E unë eci aq larg sa mundem,
duke thyer rregullat.
Por rruga duket e njëjtë.
Milingonat me zor presin dhjetorin.
Dua çdo ditë, çdo natë
për të kaluarën e re.
Kilometrat larg shtëpisë nuk më tregojnë ku jam.
Por duke thyer rregullat,
nuk jap llogari ç’të bëj.
Milingonat një ditë do më hanë.
Hermetik
Ishe i dashuri im!
Dhe t’u luta të ma burgosje emrin në një kthinë të zemrës.
Ishe i dashuri im
kur bota u sëmur,
– tha ajo duke parë një gjysmë vete
në liqenin e syve.
Ishe i dashuri im
kur detet na ndanë
e malet zunë të qanin.
Je i dashuri im!
Deri sa era e mallit të vrasë çdo dashuri.
Përballje e munguar
E ndiej të nevojshme ta çmendoj gjithë këtë botë,
Sidomos të të çmendoj ty.
Përpiqem pa fund
e prapë kur bëj kafen për vete,
bëj edhe një për ty.
Vendos karrigen bosh përballë vetes e të dredh një cigare.
Të flas sikur je aty.
Të them përsëri ç’të kam thënë,
edhe ato që kam menduar,
ato që nuk arrita dot.
Zemërohem ndonjëherë,
por edhe buzëqesh.
Qaj kur të mendoj shikimin.
Dhe e thyej atë dreq filxhani.
Në përpjekje të çmendimit,
përsëri e përsëri të bëj kafe në tavolinën bosh.
Çdo mëngjes!
Origjine
Mbyllini mirë dyert!
Viktimat e oreksit të pangopur nuk ndalen.
Mjerisht duke u zënë si qeni me zinxhirin e vet.
Ushqej atë pikë truri ulok që më ka mbetur.
E ndaj edhe me fqinjin që përpiqet ta mbjellë.
Të nesërmen ngrihem të shoh.
Korbat kishin shuar urinë me ato dy koqe grurë të mbetura.
***
Ngecur në grackën e mallit.
Statujë e mpirë me kristale bore në muajt e verës.
Zoti më mbuloi me hijen e tij dhe mallin tënd.
Bardh e zi
Gjuhën e vdekur arrij ta kuptoj.
Aftësi idiote për të mrekulluar kalbësirën.
Si gjethe që bie pa ditur kohën,
pa treguar dhembjen.
Kështu funksionon:
toka nuk flet, të gjithë e duan.
Dhe unë, kokëfortë, nuk mund të lind përsëri.
Groposem thellë në pisllëkun tim.
Pa u rritur, fshehur nga gjithçka.
Duke ju dëgjuar çdo parathënie.
Duke ju lexuar çdo klithmë.
Toka, alternativa e çdonjërit prej nesh.
Suitë
Dikur isha shumë e re.
E bukur, kryelartë si tulipan.
Askush nuk guxonte të më këpuste.
Mbajtur erë nuk bëhej fjalë.
Ironike kur e mendoj.
Dëshiroja të fluturoja, të shihja, të provoja.
Paketova valixhen dhe u nisa.
Kisha pritur kohë për këtë udhëtim.
Duhet të mësoja ‘botën”, po a mësohet ajo?
Jeta ka mënyra qesharake.
Më çudiste çifti ngjitur.
Lëpihej pa pikë turpi në sediljen e pasme.
Dhe ndërsa avioni u rrëzua,
mendova pse po i bëja shoqëri këtij trapi.
Kohë më vonë kaktusi ma dridhte me luledelen.
Shkëlqente sikur diellin e kishte aureolë.
Në opera vajta e dehur atë ditë.
Mblodha të gjitha bimët dhe i dogja.
Duke i parë të shtata aktet në skenën e madhe,
kuptova që paskam paguar tashmë.
Duhet të rri deri në fund.