Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

Art

Një këngë është plaga e dashurisë që na hap shpirtin.
Burrë vulgar, e vetmja gjë që të ndez është barku i gruas,
një masë femërore mishi. Por shqetësimi ynë është i vazhdueshëm;
ne ndjejmë shtytjen e gjithë bukurisë së botës,
sepse nata plot yje ishte për ne një dashuri e mprehtë sa dashuria trupore.

Një këngë është përgjigja që ne i ofrojmë bukurisë së botës.
Dhe e ofrojmë atë përgjigje me një dridhje të papërmbajtshme,
ashtu siç ti dridhesh para gjoksit të zhveshur.

Dhe sepse e kthejmë në gjak, këtë përkëdhelje të Bukur,
dhe sepse i përgjigjemi thirrjes së pafundme të Bukurisë nëpër shtigje,
ne ecim më nervoze,
më të përbaltura se ju:
ne, të pastrat.

Poezitë e nënave

Më puthën, dhe unë jam tjetër
një tjetër,
për shkak të pulsit që jehon në venat e mia;
një tjetër,
për shkak të frymëmarrjes që ndiej brenda frymës sime.

Barku im tani,
është po aq fisnik sa zemra…

Dhe tani ndjej sikur me frymën nxjerr lule:
për shkak të atij që butësisht pushon brenda meje,
si vesa mbi bar!

Flokët e fëmijëve

Flokë të butë, flokë që mbartin krejt butësinë e botës:
pa ty shtrirë në prehrin tim, çfarë mëndafshi do shijoja?
Ëmbël shket dita prej këtij mëndafshi, ëmbël ushqimi,
dhe trishtimi i lashtë, të paktën për ato pak orë,
ëmbël më rrëshqet mes duarve.

Preke në faqe;
mbështille në prehrin tim si lule;
më lër ta gërshetoj që ta zbus dhimbjen time,
e ta zmadhoj dritën me të, tani që ajo po vdes.

Kur të jem me Zotin një ditë,
nuk dua që të m’i freskojë plagët e zemrës
krahu i një engjëlli,
por dëshiroj që të zgjaten deri në qiell,
flokët e fëmijëve që desha
dhe era të m’i valëvitë përjetësisht mbi fytyrë!

Përktheu: Divina Kiçi

Gabriela Mistral lindi më 7 prill 1889 në Kili, me emrin Lucila Godoy Alcayaga. Ishte një nga poetet më të shquara të letërsisë kiliane dhe krejt Amerikës Latine, si dhe hispano-amerikania e parë e vlerësuar me çmimin “Nobel” në letërsi në vitin 1945.
Emrin si poete e krijoi në vitin 1914, kur fitoi çmimin letrar “Huegos Florales” për poezi. Për “Sonetet e vdekjes”, botuar me pseudonimin Gabriela Mistral, për nder të dy poetëve të saj të preferuar, italianit Gabriele d’Annunzio dhe francezit Frédéric Mistral, u frymëzua pas vetëvrasjes së të dashurit të saj, punonjësit të hekurudhave Roumelio Ureta. Disa nga veprat e saj janë: “Shkretimi”, “Tala”, “Butësi”, “Retë e bardha: poezi dhe lutja e mësueses” etj.
Mësuese, poete dhe diplomate, temat qendrore në poezitë e saj janë natyra, tradhtia, dashuria, dashuria e nënës, pikëllimi dhe shërimi, udhëtimi dhe identiteti i Amerikës Latine. Imazhi i saj është përdorur në një nga kartëmonedhat kiliane.
Mistral i donte shumë fëmijët; vetë nuk lindi dot, por ndjesinë e mëmësisë e zhvilloi duke rritur nipin, Juan Miguel Godoy, i cili e konsideroi gjithmonë si nënën e tij të vërtetë. Për fat të keq, në vitin 1943, nipi i saj u helmua me arsenik, gjë që e shkatërroi poeten. Ndonëse autoritetet e cilësuan vdekjen si vetëvrasje, Mistral refuzoi ta besonte. Një tjetër vetëvrasje e një tjetër njeriu shumë të dashur nuk mund ta pranonte dot. Ajo këmbënguli deri në fund se Juan u vra nga shokët e shkollës për shkak të zilisë ndaj tij.
Prej punës si diplomate, por edhe si aktiviste për të drejtat e grave dhe fëmijëve, duke e vënë fort theksin në shanset e barabarta për arsimim, ajo udhëtoi shumë nëpër botë. Shërbeu si konsulle në Madrid, Lisbonë, Napoli, Nisë, Los Anxhelos etj.
Në vitin 1956, Mistral u diagnostikua me kancer në pankreas, që i mori jetën më 10 janar 1957. Vdiq në Nju Jork, në moshën 68-vjeçare, por trupi i saj prehet në fshatin e lindjes.

Autori
Gabriela Mistral
Autori
Divina Kiçi