Për frymët këndon ky zog nate
Këndon ky zog nate,
çasti na shpërfaq, na fsheh –
nata është
bukuri e trishtë.
Oh, zemër,
ta vrasim, ta varim
atë vrasëse tinëzare –
vrasëse tinëzare
është heshtja,
të gjëmojmë,
të duhemi,
t’i kallim frymët,
për frymët
këndon
ky zog nate…
Prekje e verbër
Ah, prekje
e verbër,
mendim i vonë,
që veten humb,
rrugën,
qeli
e përhumbur
drite,
vajzë e erërave –
lazdrane,
që jashtë vetes
del,
farfurimë e hollë
e bredhjes
së gishtave,
çast
i festës,
i lëkurës,
duar të lëmuara
ndjesie
që lajnë,
lajnë, lajnë,
ti
m’je
hukamë
që m’bie
n’vesh,
o grua
frymë…
Njashtu si t’ka bërë dorë e mirë e perëndisë
Njashtu
si t’ka bërë
dorë e mirë
e Perëndisë,
pa lyerje,
pa grim,
pa asfarë kimie,
buzën
ta puth,
ta pi
shikimin.
Mëngjesi qesh
me sytë e tu –
ndodh alkimia –
e ndjej
si bëhem ujë.
Ujë jam, zemër!
Ti m’je dhéu
i rreshkur
i Perëndisë!…







Be First to Comment