As dera hapur, as dritaret
As dera hapur,
as dritaret,
e ti mbin,
pikërisht në pikën
ku diagonalet e qilimit
takohen.
Lagur, lakuriq,
si e dalë prej banje.
Jo, jo.
Ti del prej ëndrrash,
dhe drita t’përkulet,
dhe muret, dhe pikturat,
dhe vazot, tavolina,
dhe makina e shkrimit…
Ndodh kështu,
ndodh kështu
dhe frymë
t’bëhem
n’gojë…
Lakuriq çasti, lakuriq shikimi, lakuriq ti
Lakuriq çasti,
lakuriq shikimi,
lakuriq ti.
Duart e tua,
lozin, latojnë,
mbi format e bardha
të trupit tënd.
Nga dritë e mishtë e bukurisë,
ekzaltohet dita,
dehet.
Fshanë çasti,
deti im rënkon, bymehet,
sytë e dritës shpërngulen.
Sytë e dritës
bien mbi sytë e tu,
si dy thëngjij t’ndezur…
Vashë
Sajesë ëndërrore,
shtrojanë trëndafilash.
Kurm që shpërndan erë jete –
ah, kurm i ri!
Trup
ku drita prarohet,
si zjarr përpjekës,
që djeg e vragë nuk lë.
Flokë që t’i derdh era,
ku flakërojnë hareshëm,
qiej të tejdukshëm jete.
Lëndinë e ujëtuar,
ku rri e çmallet,
e brishtë dhe e blertë,
e blertë dhe e begatshme,
bima e panjohur
e frymëzimit.
Pllajë e pashkelur,
ku qiellzohen përjetësisht,
avuj të dendur drithërimash.
Kruajanë e pashijuar,
që pret ta shijojë afshgjuha,
në ujërat më të freskët,
në ujërat më të njelmët,
në ujërat më të thellë…
Klithmë e lules,
që me durim e xhelozi,
e fsheh vashërinë,
në fytin e lëngësht
të atij zogu t’ndrojtur…
Flutur
Në qytetin e hijeve,
pagëzuar të kishin
me një emër të keq,
por mua më këndet
të të quaj Flutur.
Për sytë e mi jermakë,
ti ishe e largët, e paarritshme –
ishe ylli i përtejreve.
Eh,
seç ndodhi e të zuri
një magji harbimi –
vet më erdhe, si këndimi.
M’erdhe pak pas perëndimi,
mu në çastin
kur një hënë e vogël
ligej e zbehej nga marramendjet.
Aq lirshëm u fute brenda dhome,
i fike dritat,
i lëshove perdet,
i zgjove ëndrrat.
Dhoma ime e vogël,
u bë pus errësire –
mezi i dalloja yjet matanë dritares,
mezi ia shihja hënës fytyrën.
Si t’ishe në shtëpinë tënde,
e hape lirshëm çantën e grimit,
ndeze dy qirinj të hollë, të kuq,
dhe i vendose n’kënde.
Boshësinë e fjetur midis flakësh,
sakaq e mbushe me muzikën e trupit,
me derdhjen e nurit,
me dridhjet e ajrit,
që të tulatej flokësh,
të tulatej vithesh.
Dehur n’agminë e përqiellzimit,
dehur n’agminë e përjetimit,
me ijët, me gjinjtë,
me hapat lozje ti.
Sipas një ritmi të tejanshëm,
ia hiqje veshjet trupit
dhe i hidhje mbi qylim.
Lëkurësh të hapej blerimi.
Muresh të vinte bekimi.
Q’andej, syri i zjarrtë
i Njësyshit tim t’pikturës,
t’i përthithte lëvizjet,
t’i përthithte format.
Oh, ti i hoqe edhe mbathjet
dhe m’i hodhe mbi fytyrë,
dhe shkrive gazit,
teksa ma shihje dridhjen,
kur ua merrja erën, aromën…
Ti flutur e bardhë
e asaj nate,
e zgjove, e nuhate,
gjithë formësinë virgjine
t’yllit tim njomak…







Be First to Comment