Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

Si një copë bukë

Dua tё zgjohem
si njё copё bukë
nё duart e tё uritёrve.
Tё shoh se si shkёlqejnё
sytё e tyre tё vuajtur
para kotheres sё thatё.
T’i ndjej duart e tyre
se si mё shtrёngojnё,
dhёmbёt si m’i ngulin,
mё kafshojnё,
mё pёrtypin.
Si mё rrokullisin me ngut
drejt stomakut tё zbrazur
pёr t’ua shuar frikёn
nga vdekja kёrcënuese.

Kujtimet

Më thërrasin me zërin e shteruar.
Të mjegulluara në mijëra copa
më shfaqen.
Më buzëqeshin tek pikojnë si lot.
Me mall më gjunjëzojnë
para gjysmë-hijes sime,
që më godet me dhimbje
e më bën të qaj
me zërin e fëminisë.

Nënë, mos lejo vitet

Një mall i tërbuar
ma zgjoi dëshirën
të zhvishem nga mosha.
Duke iu rikthyer me vrap
rrugës së viteve të moçme,
të mbushura me sfidat e ndjenjave.
Më shpie drejt zanafillës
e më transformon në fëmijë.
Me të qarën e foshnjës
ta kërkoj qumshtin e gjirit,
të shuaj etjen dhe urinë e mallit,
që ma mblodhën vitet
për vatrën e dashurisë dhe dhembshurisë.
Të strukem në gjoksin e saj të ngrohtë.
Të dëgjoj zërin ngushëllues
dhe para se gjumi të më marë, t’i lutem:
Nënë, mos lejo të më rrëmbejnë vitet.

Përballë syve të padukshëm

Unë jam një personazh
i një romani të moçëm,
që vazhdon të shkruhet.
Me ngjyrën e ditëve të mia,
kopertinën e tij të rënduar
e hap rregullisht agimi
dhe e mbyll
mundimshëm gjumi.
Fletët e tij kundërmuese
i shfleton ngadalë era
e mbi to rrokulliset
qenia ime, përditshëm,
tek skalit imazhet e ndjenjave,
kur bëhen të zëshme
nga shkronjat e zeza,
përballë syve të padukshëm të qiellit.

Autori
Ramadan Bozhlani

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *