
Me krijimtarinë letrare të Jonuz Fetahajt u rritëm unë dhe brezi im, më pas nxënësit e mi dhe fëmijët e mi. Ajo, ka shtrirje kohore më tepër se gjysmë shekulli, me gati shtatëdhjetë tituj të botuar! Kjo krijimtari është e gjatë dhe e begatë, e rrallë dhe e veçantë si vlerë kombëtare.
Nuk ka dyshim, vetë puna e tij kapitale me një numër kaq të madh veprash cilësore të botuara, e bën Jonuz Fetahajn autor, i cili lexohet me ëndje e vlerësohet edhe nga figuara të shquara me çmime të ndryshme letrare kombëtare, si brenda atdheut- kufijve shqipfolës, po ashtu edhe jashtë tij. Prandaj, lirisht mund të shprehemi, se krijimtaria e tij, përbën një sistem letrar diellor më vete, brenda hapësirës-kozmosit të përgjithshëm letrar shqiptar. Yjësia e këtij sistemi, rrotullohet duke ndriçuar me libra e tituj të shumtë, tematikash të ndryshme. Ka shkruar për tema e probleme të mprehta e të llojllojshme të jetës, duke i trajtuar në bazë moshe, kështu që, njëkohësisht Ai mbetet, krijues për fëmijë dhe krijues për të rritur, me të gjitha llojet e zhanreve: poezi, sonete, poema, prozë poetike, tregime, romane, monografi, kritika- vështrime etj.
Tërë kjo veprimtari letrare, të nxit, të intrigon, përhumbesh brenda saj…, por kësaj radhe interes i veçantë, si një tufë lulesh në dorë, është libri më i ri me prozë poetike, titulluar ‘’Muzeu i shpirtit’’. Një libër letrar me proza poetike, ku në përgjithësi nuk ka përmbajtje të rregullave të metrikës, mirëpo këtu autori sikur është përpjekur ta bëjë të veçantë diku-diku edhe me këtë element. Aty, përmes ndjenjave që përshkohen, frymëzimit, tonit e ritmit, libri përafrohet edhe me poezinë edhe me prozën. Sikur do të na thotë, se është një lloj poezie në prozë, e cila shtegton rrugën e përthithet si një poemë poetike, si tërësi.
Struktura apo ndërtimi i këtij libri, dallon prej librave tjerë që ka shkruar i njëjti autor. Forma dhe përmbajtja e librit qëndrojnë të pandashme dhe janë të mirëunifikuara ndaj njëra-tjetrës. Ky vëllim, përmbledh gjithsej shtatëdhjetë e shtatë proza poetike, të ndara në dhjetë cikle, të cilat janë: Hyrja në muze (ka një prozë poetike), Shtatë pamje e një vinjetë (ka shtatë proza poetike), Pak janë njëzet rrëfime (ka njëzet e dy proza poetike), Shtatë pamje e një kornizë (ka shtatë proza poetike), Shtatë net me ëndrrën (ka shtatë proza poetike), Shtatë lutje (ka shtatë proza poetike), Cikël për vetveten (ka njëmbëdhjetë proza poetike), Matësi i kohës (ka gjashtë proza poetike), Dialog me shpirtin (ka pesë proza poetike) dhe cikli i fundit, është emëruar me të njëjtin titull, E fundit, (ka një prozë poetike përmbyllëse). Secila prozë poetike brenda këtyre cikleve ka arterien e vet, merr frymë lirshëm me emërim të veçantë apo titull.
Përmes këtij vëllimi dëshmues, autori adreson tek lexuesit e tij, si krijues i mirëfilltë, duke na përçuar domethënien e vargjeve se përse është shkruar dhe si është shkruar ky libër?! Shohim që janë vargje vlerash, në të cilat përmes përmbajtjes së tyre autori trajton tema e motive nga më të ndryshmet e më të rëndësishmet, duke e mbajtur kujtesën, apo siç thoshte V. Zhiti ‘’celuloidin e trurit’’, të freskët, për të treguar e sjellë në vargje kujtime të largëta e të afërta, gjendje, emocione, dashuri, krenari, histori etj., të shtrira përmes dimensionesh të ndryshme kohore.
Shkurt e shqip në këtë libër J. Fetahaj, flet shumë për të gjithë-a, e me sinqeritet gjithçka për veten.
Tek proza poetike Muzeu i shpirtit, autori e fillon udhëtimin me prologun pëshpëritës, duke i thënë vetes:
Rri edhe pak zgjuar
Ke kohë për të bërë gjumë.
Jo rastësisht poeti përzgjedh kuvendimin e parë me Khajamin, kështu sikur me magjinë e rubairave, njërën nga veprat më të bukura të botës, mundohet të shpjegojë frymën e tij liridashëse, ashtu si të rubairave. Jo më kot, gjatë leximit të kësaj proze dëgjojmë një zë, mbase është zëri i poetit që të prek me përmendjen e Khajamit, rubairave të bukura, Nolit. Përmes këtyre emrave të sipërthënë, poetit-prozator, ia dëgjojmë këngëtimin me zë të thekur e të dhimbshëm teksa kërkon në kohë, lufton me veten, për t’u nisur drejt një udhëtimi të gjatë marathonomak. Ashtu siç vijnë nga lashtësia vargjet e rubairave plotë dashuri e rimë, duke qenë thesare të qytetërimit njerëzor, ato tashmë bëhen motive për J. Fetahajn. Tani më, s’ka vend hamendësimi, as frika e të qëndruarit vetëm në errësirë, sepse nga ky çast zë fill e konkretizohet gjithçka për të, duke shpalosur muzeun e shpirtit, për të shpjeguar malin e mistershëm që rëndon brendinë e poetit. Esëll, netëvonave, uron gjumin me udhë të mbarë, siç thotë Markezi, ‘’…Sepse netëve ndodhte që sendëzoheshin fantazitë dhe parashikimet’’, edhe për J. Fetahajn, brenda qetësisë së studios krijuese, si instrumente për vetërrëfimin e tij nëpër ecejaket e muzeut të jetës, fton mendjen e fjalën që ta shoqërojnë përgjatë këtij rrugëtimi. Ja pasimi i vargjeve:
Thuaj gjumit: udhë e mbarë
Thirr mendjen dhe fjalën që ta kapërcesh natën pa gjumë…
Përgjatë leximit të këtyre prozave poetike, ndeshim katër cikle krijimesh të emërtuara me numrin shtatë. Nga ky nëntekst vargjesh: Shtatë pamje e një vinjetë, Shtatë net me ëndrrën, Shtatë pamje e një kornizë, Shtatë lutje, mësojmë se jeta jonë njerëzore është thellësisht e ndikuar nga numrat. Numerologjia në veprën poetike prozaike ‘’Muzeu i shpirtit’’, është një veçori që e intrigon lexuesin, ky emërtim i njëpasnjëshëm i numrit shtatë nëpër cikle poetike të sipërcekura, të ngjan sikur renditet diçka e shenjtë mbi kabalat hebraike. Nga kjo teori Pitagoriane e magjisë së numrave, krijuesi i kësaj vepre, shkoqit pikërisht numrin shtatë, ku përmes këtij numri apo katërvargëzimit të tij, tenton t’na vërtetojë ekzistimin e lidhshmërisë apo harmonizimin e filkave fjalë, ideve, vargjeve ideoartistike të universit të tij letrar, duke vënë në pah përsosshmërisht veprimin hyjnor të numrave. Numri shtatë konsiderohet si numër shpirtëror, mitik i shenjtë, është numër i diturisë dhe suksesit, ngase bota u krijua për shtatë ditë, janë shtatë ditët e javës, pastaj është simbol i magjisë. Edhe në letërsinë popullore, në përralla e legjenda është e njohur fraza: Përtej shtatë malesh e shtatë detesh, shtatë palë tokë e shtatë palë qiej etj.
Kështu pra, numrit shtatë, autori i jep shtrirje, me pasion e përhap në cikle përmes teknologjisë së vargëzimit, pa u bërë asnjëherë monoton, vazhdon t’na frymëzojë e josh parezistueshëm, duke u bërë kështu një korrespondent mes autorit e lexuesit.
Në ciklin Shtatë pamje e një vinjetë, poeti tashmë i ka shaluar udhëtimit, në poezinë Nuk më mërzit vetmia…, herë i veçuar e herë i përzier me turmën, me hapat e lodhur, ndarjen e kohës për t’i bërë gjërat siç do, për të gjithçka është e ngjajshme, s’kanë rëndësi gjërat e rëndomta, nuk do t’i kujtojë, sepse ai ka botën e tij në natën e gjatë…
E kanë edhe emëruesin e përbashkët: s’më kujtohet, kam harruar, si e pati emrin filani, ç’ditë ishte dje.
Bukur janë renditur kundërshtitë në fillim të prozës Kontrast…e ndërtuar përmes figurës së polisindetit, duke ngjeshur emrat njërin pas tjetrit, u jep më tepër forcë vargjeve të mëposhtme:
As natë, as ditë.
As terr, as dritë.
As mjegull,as shi.
As erë, as furtunë.
Duke shtresuar jetën, nëpër kundërshti kohësh, me zymtësinë, çiltërsinë, turbullirën e dallgën, subjektivisht tregon gjendjen e njeriut kontradiktor, jetë mes udhëkryqesh e hapësirash. Në fund ndjeshëm e zakonshëm, mishërohet vargu i fundit, teksa lutet poeti për njeriun e humbur nëpër kohë, hapësira e vende:
Zot, fale se i janë përzier valët dhe ditët…
Vargjet e prozës Në një dhomë me Monalizën, na bën me dije autori se secili brenda vetes ka një Monalizë të ndryrë:
Unë ia ruaj shikimin Monalizës së Fshatit tim
Mjafton që e dua…
Ky portret autorial i Da Vinçit dhe personazhi në kujtesën e autorit për Monalizën e fëmijërisë, janë sa afër po aq edhe larg njëra-tjetrës.
Përshkohet ndjeshëm lirizmi i vargjeve të autorit në vetën e parë njëjës, vazhdon udhëtimin e tij imagjinar, hap dritaret e shpirtit, sepse nuk mund ta përballojë dhimbjen e përjetuar përgjatë kohëve, ato tashmë e kishin rënduar, kishin ndërtuar muranë nëpër gjymtyrë, sa që autori herë mbështetej në të, e herë pengohej nga ajo, por vazhdimisht duke mbajtur brenda asaj peshe mallin për Nënën, mësuesen, shpirtin që i dha dritën për jetë, për Motrën. Këtu trajtohet fëmijëria, janë vargje që zbërthejnë autobiografinë, tregon se si është rritur e nga është rritur. Personifikimi i të dyjave nënës e motrës përmes krahasimit, të kujton dhe njëkohësisht sot ende jeton legjendën:
Nëna kur isha bërë nëntë vjeç m’u pat dukur se më pati thënë:
E ke motrën si të Gjergjit.
E kush ishte Gjergji
Ky dyzim emocional, ngjall kërshërinë në botën imagjinative të një fëmije për mungesën e një burri që t’ua përcjellë historinë brezave:
Nuk kisha pasur mësuesin e jetës-gjyshin
për t’ma rrëfyer historinë.
Isha vërtet i varfër.
Jetim.
Autori prek e mundohet të japë përmes vargjeve të kësaj proze poetike ekzegjezën e tij, përmes ekzegjetëve: Nënës, Motrës e Gjyshit. Vetëm përmes kësaj diareze fjalësh, apo thjesht mbetet vetëm Nëna?!
Sakaq, brenda këtij muzeu shpirtëror, del si brohori zëri i rebeluar i autorit që kërkon lirinë, ecjen ecejakeve, udhëve të jetës në zjarre përcëlluese e shira rrëmbyese, për ta nxjerrë nga brendia e shpirtit rrëfimin e munguar, në këtë rast, do të theksoja, rrëfimin e tij për ne-lexuesit.
Mpreh skutave të kujtesës armën më të bukur- fjalën artistike, për ta çelur dryrin e heshtjes, atëherë kur mungon fjala. Tek proza Rob i fjalës rrëmon nëpër sirtarë shpirti, duke shpluhurosur hirin e harresës, ka drojë nga burgosja brenda vetvetes. Koncepton rrëfimin, ku si kryefjalë vendos dëshirën për dritën, anipse largësitë janë kaq të afërta:
Largësitë i kisha të prera me një presje.
Vuan si rob e shërbëtor i fjalës, ndjen, rrëfen, kërkon që mos ta zgjojmë, na kursen me dhimbshuri nga ëndrra e trishtimit.
Në ciklin krijues Pak janë njëzet rrëfime, jeta brenda vargjeve të këtyre prozave poetike vjen nga bota femërore. Emra femrash që përbëjnë historinë e kombit: Teuta, Bubulina e Shota nga historia, Nora e Rozafa nga legjenda, Bukuroshja e fjetur dhe E bukura e dheut nga përralla, Tanusha nga Kënga Martesa e Hlilit ‘’Cikli i Kreshnikëve’’, Konstandina. Figura e gruas zë vendin qendror në këtë vepër, qoftë e njohur historikisht për lexuesin ose e panjohur, siç është këtu Nusha, jevgja e fshatit, Hana, Nina etj. Gruaja është e lidhur pashmangshëm me fatin dhe historinë e popullit kurdoherë. J.Fetahaj, përmes vargjesh në këtë përmbledhje, e ngrit në piedestal portretin femëror, e përshkruan si shtyllë të fuqishme të rezistencës, si luftëtare që mori pjesë në luftëra, si nënë që rriti e edukoi gjenerata e breza, nisur nga ninullat, për të mbajtur të gjallë përherë ndjenjën liridashëse për atdheun. Na rikujton vazhdimisht, se brenda historisë shekullore të popullit shqiptar, roli i gruas shqiptare, ka vendin meritor.
Tabloja e këtyre prozave nis me emrin e njohur të botës antike Teutën, mbretëreshën e Ilirisë. Rizgjohet nga historia këtu Teuta, mbi syprinën e detit lan fytyrën, pikërisht në Risan, flet në veten e parë, është më shumë monolog, përqendrohet më shumë në çështjen e atdhedashurisë, për pagëzimin e saj, lënien përgjysmë të ninullës, nga Nana, në kohën kur Adriatikun e kishin pushtuar piratët. E patrembur për të ardhmen, e dukshme që në vegjëli, kur thotë:
Unë-Teuta nuk kisha qarë.
As gjumë nuk kisha bërë.
Shihet personazhi i gruas së fuqishme, e cila trajtohet e përjetohet si dashuria për lirinë e pritur gjatë në jetë si përrallë përjetësie.
Shprehjet në këto proza janë ndërtuar mbi themele të vërteta historike, me objektivin kryesor që tërheq vëmendjen emri i Nanës, i cili permendet me dhjetëra herë, si: Nana më pagëzoi, dashuria dhe ninulla e Nanës, uratën ia kishte falur Nana, Nana ia vizatoi bukurinë e njomësinë, e kishte pasur bekimin nga Nana, e kish uruar Nana, tambli i gjirit të Nanës, kështu ka thënë Nana, e Nana si Nanë më etj.
Është embrioni që lind jetë, përçon dashuri e mirësi, këndon e ndjell fatbardhësi në jetë, rrit e përjetëson historinë e jetës, këngës e legjendës, flinë për Besën e dhënë:
Rron Nora edhe përtej ditëve e moshës së shekujve. (Nora)
Maratona vazhdon…
Ne shkojmë e vijnë të tjerët….
Legjenda dhe Rozafa rron….
Rron Rozafa, rron! (Rozafa)
Duke lexuar prozën poetike Shota, kuptojmë një tipar themelor të artit të mirëfilltë, që portretit, sado i madh qoftë, nuk duhet t’i mungojnë cilësitë përshkruese, të cilat e karakterizojnë. Po kështu, e pikturon me anë të fjalëve në vargje Shotë Galicën:
–Po vjen Azemi-thanë.
Bashkë me Shotën.
Me gërsheta!
E plis të bardhë.
Hije i kanë tirqit.
Çështje parësore në këtë vepër është udhëtimi imagjinar i poetit, duke u shprehur natyrshëm, i duruar, udhëtimi i tij është i largët, tre mijë vjet, është i palodhshëm, shprish mjegullnajën. Ai ec e ec, si marathonomaku, ka qëllim të shkojë shumë larg, caku këtu është të hyjë në përrallë, ta zgjojë nga gjumi Bukuroshen e fjetur.
Bukuria është frymëzim për autorin, nga kjo do të kuptojmë që lindi proza poetike Tanusha, nga Kënga ‘’Martesa e Halilit’’, Cikli i Kreshnikëve. Ku për nga ndërtimi dhe shprehja e tonit të vargut të njohur të këngës, përmban pohimin e plotë nga autori, të cilën e refrenizon disa herë:
Vetë e kam parë Tanushën.
Po Tanushën vetë e kam parë…
Unë Tanushën vetë e kam parë.
Ajo mbetet personifikimi i bukurisë absolute të një femre, rrjedhën e kësaj bukurie frymëzimi e shfaq teksa rikujton me dashuri, duke e zhvendosur nga Jutbina, në fshatin mes dy lugjeve, unike pakrahasimisht për nga bukuria:
Vetë e kam parë Tanushën.
Në fshatin mes dy lugjeve.
Nuk ia gjeta shoqen tjetër.
Në prozën poetike Konstantina, që në fillim të bën përshtypje ky tekst i thurur:
Kur më iku ëndrra, vrik më ra malli në shpirt.
Në Kalanë e Preshevës, një mijë vjet më parë ishte mbyllur
Konstantina dhe priste t’i këndohej kënga.
Tërësisht proza, të ngërthen emocione, vë në spikamë mallin e poetit për vendlindjen, mungesa e lirisë, koha, pritja, mosha, me një fjalë, malli e ëndrra nuk i shqiten dot kurrë.
Realiteti i dashurisë së poetit për simbolin kombëtar-Shqiponjën, shihet tek proza Shqiponja, e cila dallon për nga forma strukurale, ritmike, ka më shumë elemente poetike, e formuar nga figura gramatokore e polisindetit, në përgjithësi:
Bënte roje:
Edhe ditën.
Edhe natën.
Edhe në furtunë.
Edhe në përcëllimë.
Kjo figurë ka përdorime të shpeshta në këtë përmbledhje. Vlen të ceket, se forca e gjallërisë së shprehjes artistike gjuhësore në këtë libër, është e posaçme, tëheqëse e mjaft e pasur, ku shkrimtari ka krijuar figura të larmishme stilistike përmes sintaksës poetike. Është e veçantë trajta e emrit Nanë, e shkruar shumëherë kështu, e cila krijon idiolekt të veçantë të J. Fetahajt në këtë libër.
Kur rilind jeta, e shohim tek prozat Hana dhe Nina, shkëlqejnë vargje që ndriçojnë jetë, rilind shpirti njerëzor, është një botë e re që vjen përherë pas…është nostalgjia dhe gëzimi njëkohësisht.
Brenda këtij cikli poetik a prozator, është legjenda, është historia, është realiteti, ky trinom është shkrirë, është bërër njësh. Periudha kohore fillon nga sot e zgjat deri në tre mijë vjet, për të vazhduar përherë. Përderisa je duke lexuar disa nga prozat, të duket sikur je brenda skenave të caktuara, ku zhvillohen ngjarjet që karakterizojnë personazhet, qofshin abstrakte apo konkrete, siç janë: Rizani, Kalaja e Shkodrës, Drenica, Arbëria, Kalaja e Preshevës, gjeografia e fisit, Janina.
Këto proza poetike përmbajnë motive të thella, me figuracione të shumta stilistike, ngyrosin portretin individual të poetit, por edhe atë imagjinativ, hipërbolizohet dhimbja, sa që Një herë loti fiku diellin nga pesha e dhimbjes, pa u vonuar i ngre edhe një lapidar dhimbjes. Në mungesë kuptimi, kur nuk kishte as vend e as mbulojë për dy veta, dialogon me lotin, sepse vetëm loti është produkt i dhimbjes dhe i besnikërisë së pazëshme.
Vetë titulli Muzeu i shpirtit, është një tregues që lidhet me shpirtin e krijuesit të veprës që përveç dhimbjes së kujtimeve, ndjen edhe zhurimën e mallit pas netëve të gjata, si ajo e Bartolemeut, i krijon pritë, të qëndrojë pritja dhe malli, brenda Muzeut të shpirtit edhe në rast tjetërsimi- kur del nga dhoma dhe lëkura e vet…
Poeti, këtu krijuesi mendimtar J.Fetahaj, kur bën bashkë erën me vallen e zogjve, shushurimën e skalit me brushë në letër për të krijuar akuarelin e fjalëve, duke i kufizuar në kujtime të papërsëritshme e të përhershme tek proza Akuareli:
E mori brushën dhe letrën
dhe filloi të krijojë akuarelin me fjalë.
Cikli Shtatë net me ëndrrën, i tëri është rikujtim nga përjetimi i autorit në burg, në tetor të vitit 1991. Është një rikujtim kolektiv, atëherë kur një populli iu burgosën, maltretuan e vranë intelektualët, vetëm e vetëm që kërkonin e që luftonin për lirinë e atdheut. Në rrethana të caktuara të krijuesit, edhe krijimtaria e tij merr fatin e popullit e të vendit që i përket. Përjetësohet përjetimi që nga nata e parë:
Ti je më i riu në dhomën numër 27
Është vetëm nata e parë.
Përshkrimi i ambientit është detajizues, ku drita nuk shihet, vetëm terr, natë, grila, mashtron veten me ëndrra, rikujton në atë boshësi ku mungojnë fjalët, detyrohet t’ia fshijë kujtesës pluhurin, mësohet, ambientohet, edhepse natë burgu, e stërgjatë sa një shekull, njeriu qëndron!
Humaniteti, pavarësisht zhgënjimit, reflektohet në libër, teksa autori lutet për njeriun, ndjen keqardhje për t’bëmat e tij, qoftë edhe atëherë kur ndahen rrugët paç, ai i lutet Zotit ta mëshirojë e ta falë.
Mbi të gjitha, është shumë prekëse proza Lutje për Nanën, duke qenë mirënjohës ndaj saj, ai i kushton vargjet më të bukura, vargje epitaf, të cilat e cilësojnë përjetësisht të idealizuar Heroinën e jetës së tij, duke e quajtur Ajo-shenjtëresha ime. Nuk mjaftohet me lutjen, ai është mirënjohës, i thur uratë e mirësi mendimit të sinqertë dhe fjalës që dhuron, duke rrëfyer edhe zhgënjimet për ata që e deshën dhe më vonë e shanë. Është falënderues për gjithçka, si: për dritën e re që po lind, për frymëmarrjen e shlirshme, për dialogun me Nanën.
Të luash me flakën e ndezur, duhet të jesh trim, kërkues, jo ndaj të tjerëve, por ndaj vetvetes. Autori, kur kuvendon me vetminë, përherë me vetminë, me vetëdije niset për udhëtimin shekullor, në kërkim të asaj që kish humbur, por që me ngulm kërkon ta gjejë e ta marrë, sepse i përket atij, është gjeni i tij, është dosja e frymorëve të fisit. E shkuara rri pezull përherë, durimi forcohet duke pritur simfoninë e prehjes, mban ndezur shpresën e flakës, duke akorduar këngën e melodinë për ta qetësuar ofshamën e shpirtit.
Në çdo kohë, sidomos natën, edhepse nata ka errësirën, ka qetësinë, ka heshtjen, brenda tekstit të këtij libri poetiko-prozaik apo prozaiko-poetik, lexuesi përjeton shpirtërisht simfoninë e fjalëve, paralelisht me simfoninë e erës dhe këngës së një zogu, të humbur tutje thellë errësirës. Kohët në laboratorin krijues të kësaj vepre, J.Fetahaj i ka shkrirë, bën aluzion mes vetes, territ e qetësisë absolute, dëshmohet me vargje nga proza poetike Qetësia:
Nata ishte mikesha ime më e mirë
Që nuk ma trazonte përrallën e gjyshes.
Kështu, pra, përkundër dhimbjes, nuk ndalon galopi i prijes, ngriten pyetje absurde që këkojnë shpjegim, sqarim, nevojë për t’u rrëfyer, kur e ku gjithçka është amorfe.
Pas tërë kësaj odisejade, nga udhëtimi në kërkim të enigmës së jetës, na bëhet me dije se jeta është e shkurtër, vjen si një mesazh i bukur se njeriu me plotë zemër, duhet t’i thurë uratë shpresës, me këngën e shiut, mallin për fëmijërinë, lutjet e Nanës që i japin kuptim besimit të autorit të kësaj vepre, për t’u lartësuar drejt përjetësisë!