Press "Enter" to skip to content

Megjithatë, asgjë nuk kthehet – cikël poetik

***

Provë e fshehur në krijesën që s’përket
të jesh asgjë dhe të kesh besim te qenia
ndërsa lexoj poezi ballë pasqyrës
për aq sa është e mundur ndonjëherë
të mbes e lirë. Duke lëshuar flokët, kështu
me hijeshi psherëtij; mbyll sytë sërishmi
mashtroj kohën me një britmë kënaqësie
fatlume që asgjëja nuk e përsërit vetveten
mes hollësirash pleksur; çorap’ i grisur
që fetish nuk është – shkëlqim verniku,
hija dhe një zemër e grafulluar –
o qenie.

***

Mos u përpiq të kuptosh tjetrin,
jo aq për tjetrin sesa për veten.
Shtëllungë avulli në pasqyrën e gërvishtur
dhe pas kësaj hapësira mbetet bosh;
asnjë fjalë a shëmbëllim trumcaku;
asnjë engjëll që hidhet nga katet e qiellit.
Ndërsa ti pret në llokma shalqirin,
avash përkundër së tashmes dhe meje,
shalët e muzgut kapërcejnë degët e vidhit.
Asgjë veç pyetjes: çfarë po mendon?
Me këmishën e kaltër në të çelët
dhe gjatësinë e mëngëve aq sa ç’duhet
– hollësi që ndryshon krejt rrjedhën.

***

Shi dhe stimuj gulçues; ose shi dhe nevojë
për t’u përqafur. Dashuria është diçka…
mund ta provojmë prap’ si gjën’ e duhur.
Kukulla të hershme me fytyra ngacmuese;
ose paqartësia e rritjes – sidoqoftë
më ndjek. Midis dy shpërqendrimeve
heq çorapet dhe mbyll dritaren. Kërcitje
pastaj qetësi shiu, dalë nga peizazhe hijesh
sy të menduar rrëqebulli dhe fytyrë e butë burri.
Sidoqoftë, jo!

***

Asnjëri prej nesh nuk mbaron pafajshëm
aty ku e nisëm. Në të thellë andaj
kur vëmendja bashkon trupat ndihet:
dashuri nuk është porse zgjerim i qenies.
Çka duhet lënë – duhet lënë tek e fundit,
vetëm ajo që harrohet është e shëndetshme.
Çka duhet marrë – duhet lënë gjithaq,
nëse hap një portë në errësirë gjendesh
në anën tjetër t’errësirës; thellësia e pabanuar
shformohet ngadalë në zbërthim kopsash
nga një dorë. Ashtu siç e nisëm. Ku? Kur?

***

“Të gjitha letrat e dashurisë
janë qesharake…”¹

Letra e parë e dashurisë qe veç një lule
iris pallida – natyra është kaq e vrullshme
prapë asnjë arsye nuk e shfajëson dëshirën.
I mëshova lapsit fort gjersa maja u thye
me një shije të çuditshme në gojë prej
ngase ethet e shpengimit pat gëlltitur
gjuha e vështirë e trajtave të heshtura
që shtrihen të flenë nën hutim mendor.
Letra e fundit e dashurisë qe një ëndërr…

***

Megjithatë asgjë nuk kthehet, shpirt,
më së pari kujtesa ngatërron radhën
e kësisoj ndjesitë veniten, gjersa mbetet
një buzëqeshje e butë dhe e pazgjidhshme
si asgjëja.

*

Tash lypset dashuri dhe gjëkafshë tjetër
e gjelbër, e paqme përkundër hamendjes
fshehur në trupin lëvizor. Heshtur prapë
shëmbëllim i lëndës inerte – besomë! –
kësisoj ndjesia e përsërit kujtesën
me konture të çrregullta, dikush ngrihet
natën dhe kundron jetën nga dritarja
o diç të ngjashme mbështjellë me garzë
qiellore. Herë mendoj: po sikur të jem…?!
Gjithë fillimet e humbura më joshin
sërish. Duart e tua qenë të parakohshme
për të pritur këtë trup me lastarë
në vend të brinjëve.

***

Hoqa dorë kësisoj përkundër absurdit
e pata dorën aty dhe e hoqa. Pa mundur
të shquaj çka ngjet, mikluar me tingullin
që lëshohet prej irisit në plasaritje –
shpërqendrim dhe frymë shamani pulson
një mënyrë e mirë Contraria sunt Complementa
sepse asgjë s’është vetëm, shpirt, (mbaj vesh!)
plotësia morale na mbështet sipas një rregulli
e ngase tjetër zë kërkon bash aq thellë –
siç dora që ngulmon dramën e irisit –
ca ndjesi vërtiten në heshtje (ç’heshti!)
dhe nuk jemi vetëm; dhe jemi kaq vetëm.

***

Gjunjë të ngutur veç asaj çka shkon
marrë (impuls i butë me gjurmë gurësh
që lëvrijnë mes tyre si trupa udhëtues
në pasqyrën e mbuluar) netëve të palume
përherë brishtakë përtërijnë forma thellë
në Kopshtin Magjik të lëndës – lule ankthi,
kokrra të kuqe murrizi. Në gjunj’ e vuaj kthimin
te vetja. Çfarë sheh, thuamë? Ç’shoh s’mundem
ta them; pra pyet sërish. Etika e gurit lëviz
hijen e rëndë të zakonit. Lëng dhe gjunjë.

***

Gishti yt zhytet në syrin tim, ngadalë
në terr prek një plan të paqartë gjurmësh –
këpucët e hequra pranë shtratit, ibriku
mbi stufë. Avull. Krijesa avulli në sakrilegj
lëngu mblidhet, trashet, gishtit të forcuar
si bukë misri në nuhatje shqisash.
Nuk ka kthim në gjendjen fillestare, ngase
më dhemb kënaqësia e ashpër e kohës
dhe lëmshi që sillet me gjuhën e kujtesës
brenda kokës – tek e fundit –
dëshirat përherë të dhunshme janë…

***

Ç’e paqtë kjo gjendje pas vdekjes ngado
mureve me shputa të buta, të djersitura
teksa ngjitet. Po ashtu mbi kokën e shenjtit
lëpij fytyrën e shuar nga flak’ dhe nuk mendoj
asgjë, është fati i shkrirë i paranojës. Veç
zëri i dikujt nga tej dritares që grindet me veten –
hiçgjë më shumë – prej ngase kohë pa vdekur.

¹ Varg i Fernando Pesoas

(Shkëputur nga Revista Letrare – Verë 2023)

Autori
Daniela Xhani