Marta la filxhanin e kafes mbi tavolinën e rrumbullakët të kuzhinës, që e kish blerë para gjashtë vjetësh dhe, që javën e parë, pat vendosur ta hiqte. Por gjërat zënë vend e me kohë, në kokë i kish ngelur veç ideja e papëlqimit të asaj mobilieje bajate druri të rëndë me lustrën e djegur aty-këtu nga tavat e nxehta.
Hapi laptopin. Kërcitjet e brendshme të makinës së çuditshme, që për të funksiononte me magji, e bënë të ngrihej me padurim nga karrigia, sepse veç ideja e të menduarit se ç’bëhej brenda plastikës, nën tastierën e rrjepur, i jepte dhimbje koke. Gjërat funksiononin; të tjerat ishin të parëndësishme, banale, jashtë rrethit të bukur të mendimeve të saj.
Mori filxhanin dhe doli në verandë, ku dielli i mesditës digjte edhe pse jashtë atij cepi të mbrojtur nga erërat e nëntorit. Njerëzit, mbështjellë paq, nxitonin për ku ishin nisur, akoma të pamësuar me dimrin që po vinte. Po ta zgjaste veç pak kokën mund të shihte rrugën, por s’kish pse. Bota ish gjithnjë atje, jashtë, lebetitur nga makinat që nxitonin çdo mëngjes e që shpesh nuk ndalonin as për kalimtarët në vijat e bardha.
Pastaj, ç’i duhej asaj? Kur bota ulej të hante drekën, kafeja dhe tymi i cigares së parë i sillnin atë që donte, mbështjellë me velin e trishtimit që i rrinte si mjegull mbi sy. Pas ëndrrave të këqija të natës, ai moment me shijet e aromat e saj të preferuara, i mjaftonte; të tjerat ishin larg, diku përtej cepit të shtëpisë, që fshihte rrugën e që po të zgjatej pak mund ta shihte.
Mendoi se çfarë do gatuante. Koka i dhembi nga ideja se Piteri do kthehej rreth gjashtës e do pyeste nëse kish diçka për darkë. E njëjta pyetje monotone, bajate; pak kishte mendimet e veta, por duhej të mendonte edhe për darkën e tij!? Këqyri më kot frigoriferin se mos gjente ç’të bënte dhe në fund e mbylli me padurim e ndezi një tjetër cigare. Tymi i ngrohtë i erri shikimin e iu morën mendtë. U ul përballë laptopit dhe shpejt harroi dilemën e bezdisur të gatimit.
U kujtua se në lavanderi, rrobat kishin ngelur në tharëse që një natë më parë e me siguri kishin rimarrë lagështirën. Një tjetër cikël i shkurtër do mjaftonte të thaheshin e të ngroheshin paq; nuk donte të prekte asgjë të ftohtë.
Coha e ngrohtë ia ëmbëlsoi momentin; pse mos bënte një dush? Mori ndërresat e sapo thara e nxitoi drejt banjës. Donte të lahej me nxitim e të ndjente mbi lëkurë ngrohtësinë përkëdhelëse të pambukut.
Kur doli nga banja, kafja mbi tavolinë qe ftohur. Mendoi të bënte një tjetër, por përtoi. U ul para laptopit e kaloi një e nga një gjithë mesazhet e komentet e një nate më parë në “Facebook”.
Çfarë të gatuante? Ndezi një tjetër cigare. T’i shkruante Piterit që të merrte diçka të gatshme në fastfudin në krye të rrugës kur të kthehej? Më mirë ashtu; të paktën nuk do vriste mendjen më dhe ai mund të zgjidhte ç’të donte.
U ngrit të bënte një tjetër kafe. Kish boll kohë t’i shkruante. Më mirë t’ia thoshte pak para se i shoqi të kthehej në shtëpi, pa i dhënë mundësinë t’i kërkonte të nxirrte nga frigoriferi ndonjë mish; sa të shkrihej e të gatuhej do shkonte ora nëntë. U ndje keq për sa mendoi, por një tjetër cigare ia qetësoi nervat e u ul të shkruante artikullin që i rrinte në kokë prej një jave.
Jashtë dielli kërceu nga reja në re e më në fund mbrëmja e herët qetësoi edhe insektet e gënjyera nga ajo ngrohtësi vrastare e fundvjeshtës. Përtej korridorit ndjeu derën e jashtme të hapej dhe pesë hapat e të shoqit deri te portmantoja. Kish kaluar gjashta… Dreq! Harroi t’i shkruante për ushqimin. U ngrit nga tavolina e gjaku i skuqi fytyrën nga tensioni që i solli dëshira që të gjente një zgjidhje për darkën.
E priti me ankth të hynte në kuzhinë e ta pyeste si zakonisht: “A ka gjë për darkë?”, por u lehtësuar kur e dëgjoi të ngjiste shkallët drejt katit të dytë; me siguri kish ndonjë punë urgjente, sepse ndjeu kërcitjen e dyshemesë së studios së tij, mbi kuzhinë.
Me siguri do kish ngrënë jashtë, ndaj dhe nuk erdhi ta bezdiste me atë qesëndinë e tij, që e bënte të ndihej aq të vogël, të paaftë.
U lehtësua disi, por prapë priti me ankth të dëgjonte hapat të zbrisnin shkallët e drunjta e të shfaqej në derën e kuzhinës me supet e varura dhe shikimin e lodhur, që nuk ia duronte dot më. Pale pjatat e gotat që linte kudo nëpër shtëpi… Rrobat e hedhura kuturu në krah të shtratit… Bisedat bajate për gjëra që asaj jo vetëm nuk i interesonin, por i qenë kthyer në dhimbje tek i dëgjonte…
E ndjeu të zbriste dhe ankthi i ndrydhi zemrën. Donte të ikte, por ku? Doli vrapthi në verandë e ndezi një tjetër cigare në pritje të të njëjtit refren…
…por dera e kuzhinës nuk u hap dhe pak më pas ndjeu derën e makinës së tij të mbyllej me zhurmë dhe uturima e motorit e lehtësoi, sikur dikush t’i kish prerë telat me gjemba që ia mbanin zemrën lidhur e mezi i rrihte. Do kish ardhur të merrte ndonjë letër e po kthehej prapë në zyrë. Por ç’rëndësi kish pseja? Një tjetër shtëllungë tymi ia lehtësoi kokën e më në fund u ul para laptopit të mbaronte shkrimin.
Kaloi dymbëdhjeta. Mendoi ta merrte në telefon, por… Kush e di ç’punë kishte?! Po t’i duhej ndihma e saj me siguri do kish ardhur t’ia kërkonte si zakonisht: “Ku është këmisha blu? Ku janë ato letrat që lashë mbi komo? Ku, ku, ku?”.
U ul para televizorit në dhomën e ndenjes. Diku në një fshat në Angli, një mjeke e re përpiqej t’i mbushte mendjen pacientëve që edhe ajo ish po aq e aftë sa edhe kolegu i saj i vjetër. Pastaj, një baba i vetëm u përpoq sa mundej të bënte më të mirën të rriste i vetëm fëmijët. Një shitëse çokollatash në një fshat francez… me ca ciganë…
U zgjua e djersitur. Televizori shfaqte akoma pyetjen: “A po shikoni akoma?”. Qafa i theri dhe jastëkun e vogël të divanit e ndjeu qull nga jargët e veta e iu pështiros shija e keqe në gojë. U ngrit nxitimthi të lante dhëmbët para se ajo pështirosje e përzier gjithë natën me frymën e duhanit ta bënte të nxirrte zorrët.
Në verandë, dielli shkëlqente. Piteri me siguri qe kthyer e kish ikur prapë atë mëngjes.
Kafe, cigare, bukë me gjalpë e me djathë. Kafe, cigare… “Ua, kur do ta lemë për kafe?”.
Dielli prapë zhgërreu retë si lavjerrës në qiell e mbrëmja i solli sërish ankthin e një nate më parë. E ndjeu të shoqin, lart në studion e tij, dhe u lut që të paktën as sonte mos ta bezdiste.
Mori ndërresat e lëna palosur pranë tharëses e bëri dush. Të shkonte në dhomën e gjumit të merrte jastëkun e vet? Nuk donte të përballej me Piterin. Ekrani i telefonit ndriçoi derisa bateria u venit dhe e vuri të karikohej pranë divanit, ndërsa një violiniste përpiqej t’i mbushte mendjen profesorit…
Diçka kërciti në studio.
Çne në këtë orë në shtëpi ky?
Kush e di ç’punë kishte!
Mori në lavanderi ndërresat e hyri në dush.
Sytë iu lodhën para kompjuterit dhe divani iu duk si gjëja më e ëmbël në botë.
Një shofer taksie dhe një zonjë e moshuar udhëtonin nga Napoli drejt Romës.
Një jetim i vogël, i braktisur, kërkonte prindërit e vet artistë.
Një zhurmë shurdhuese mbushi botën jashtë dhe rrebeshi u derdh mbi çatinë e verandës sikur të donte ta shembte. Vjeshta po jepte shpirt dhe ajo natë ulëritëse ishte rënkimi i saj i fundit. Dëgjoi Piterin, lart, në studion e tij, por këtë herë zhurmat vazhduan me kërcitje, sikur i shoqi të përplaste këmbët në dysheme me inat.
U ngrit nga divani dhe ngjiti shkallët me droje.
“Piter! Mirë je?”.
Studioja qe në errësirë; me siguri i shoqi qe shtrirë në dhomën e gjumit, ngjitur, por shtrati qe bosh. Mbi mbulesën e paprishur ca bluza e këmisha hedhur kuturu ishin e vetmja shenjë që aty kish qenë kush.
Ndjeu prapë zhurmën nga studioja. Po drita pse ishte e fikur kur i shoqi qe aty?! Edhe kaq vonë?! Mos i pat ndodhur gjë? Zemra iu ndrydh nga ankthi. Hapi derën dhe pa me droje brenda dhomës së vogël, me idenë se do ta shihte burrin në dysheme. Zot!
Ndezi dritën. Studioja qe bosh dhe veç dritarja e harruar hapur u përplas përsëri me zhurmë. E mbylli dhe zbriti poshtë.
Celulari shënonte katër e tridhjetë e dy. Ku ishte ky? S’kish ardhur as sonte në shtëpi?
I ra numrit të tij dhe sapo u bë gati ta pyeste me inat se ku qe, një zë femre e ndërpreu:
“Ky numër është jashtë shërbimit. Kontrollojeni dhe provojeni përsëri.”.
