Poezi, jo!
Nuk janë sekondat,
ato të paktat,
në çastet e gjumit,
që bëjnë ëndrrën të jetojë,
pastaj të harrohet.
Është harresa,
ajo e zymta,
që shuan dritën
në dhomën e ëndrrës
në një kohë thuajse zgjimi.
Kështu edhe fjalët
nuk shkruhen kur zgjohesh.
Rrjedha jemi
Rrjedha që bashkohen, bëhen një.
I futen lumit thellë.
Aq thellë, sa i ndërrojnë shtrat.
Rrjedhim e rrjedhim
sepse ndoshta jemi nga ato,
të tjerat,
që përdridhen rrugës e derdhen të vetme
në det.
Mos ndalo, dëgjon?!
Ta thashë, rrjedha jemi.
Në mundshim, më mirë të ndërrojmë shtrat.
Një ditë, patjetër, do të tretemi në det.
Heshtje mbushur me ëndrra
U dhamë!
Kështu, herë pas here,
u dhamë në ëndrra.
E folëm, kënduam, qeshëm.
Tutje shtymë heshtjen.
U morëm!
Kështu, herë pas here,
me heshtje.
Fjetëm pa ëndrra.
U zgjuam përsëri në heshtje.
Heshtje mbushur ëndrra.
U zhytëm pastaj në vetvete e thamë:
“Ëndrrat nuk kanë vend për heshtje.
Por heshtjet janë plot me ëndrra.
***
Jemi duar.
Kur flasim për duar,
zgjojmë prekje.
Duar mbi duar duam,
e prekje mbi prekje.
Jemi prekje.
Kur flasim për prekje,
mendojmë duart.
Prekjet pas prekjesh ndjejmë.
E duart në duar.
Jemi zemra,
kur flasim për ndjenja,
mendojmë prekje.
Prekje me duar.
Ma jep dorën
Shtrëngoje pak më tepër,
të të ndiej që më mban.
Jepma dorën dhe eja.
Eja të ecim, por pak më tepër.
Të ndiej që më mban.
E vështirë…
Të ekuilibrosh mbi një fije.
Vetëm…
Të ekuilibrosh në heshtje,
pa një dorë të të flasë.
Shtrëngoma dorën!
Të ndjej gjakun të lëvrojë,
e pulsin të këlthasë.
Që ekuilibroj në një fije të harroj.
E të pranoj se thjesht jetoj.






Be First to Comment