Pluhur nuk jam
dhe pluhur
nuk bëhem.
Nuk zbrita nga qielli
dhe në qiell
nuk ngjitem.
Jam vetë qielli
si tavani prej xhami.
Jam vetë toka
si terreni pjellor.
Nuk jam arratisur nga asnjë vend
dhe askund nuk do të kthehem.
Përveç vetes, largësi tjetër nuk njoh.
Në mushkërinë e fryrë të erës
dhe në gëlqerizimin e shkëmbinjve
vetveten të shpërndarë
më duhet ta rigjej.
Përktheu: Elona Caslli
Zuzanna Ginczanka është pseudonimi i Sara Ginzburg, poetes polake-hebreje, e cila lindi më 22 mars 1917. Ajo botoi vetëm një përmbledhje me poezi gjatë gjithë jetës së saj, në vitin 1936 “O centaurach”, e megjithatë mori vëmendje tepër të madhe në qarqet letrare të Polonisë. U arrestua dhe u ekzekutua në Kraków, pak para fundit të Luftës së Dytë Botërore, në janar të vitit 1945.










Be First to Comment