Press "Enter" to skip to content

Xhevahir SPAHIU: Shembja e një nate dashurie

Ktheva kokën, mbajta hapat:
binin tjegullat, binin trarët,
binte qielli i një nate dashurie.
Atje mbi papafingo, pranë yjeve e pata puthur,
shëmben yjet tani, bëhen pluhur.
Dritare s’ka, ka sy të zgavërt,
s’ka mure me plasaritje të etshme,
skelete fjalësh në gjysmërrësirë,
skelete ëndërrash, premtimesh të nesërme.
Ngrihet tymi si një mjegull e bardhë,
një grusht eshtrash të një nate gërmadhë.
Në cep të rrënimit
dy burra po pinë qetë-qetë cigare.
Ej, ju atje! Nuk dëgjoni si ulërijnë brenda meje xhindet,
edhe pak e llava do të dalë jashte meje si tek vullkanet.
Mos u kthe në kujtim, i thashë
mos u kthe në harrim, më tha;
botës i falëm një natë dashurie
dhe kjo s’është pak.
Një natë. Dhe çfare nate!
Dora mbi sup,
hëna mbi mal,
qielli i kaltër i botës mbi krye…
Mbajeni, mbajeni!
Ajo po bie… po bie…
Dhe ishte një natë e paemër,
siç ishin të paemërt yjet.
Kini mëshirë, mos e shembni atë natë!
Është rënkimi im apo klithma e saj?
Kini meshirë, kini mëshirë!
Ajo ishte një natë dashurie
që kurrë s’duhej të kish gdhirë.
Kini mëshirë,
në mos po atje nën gurë,
nën peshën e natës së shembur do të shembem,
i vrarë jo nga urrejtja, po nga dashuria,
që, përjetesisht quhet dhembje…

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *