Kush e mundi fatkeqësinë
I ra kangës, preu kushtrimin
I ra bjeshkës, thau blerimin
I ra zemrës, copë u plas
I ra detit, ktheu tallaz
I ra trimit, humbi shokë
I ra malit e u ba gropë
I ra lisit, u kalb e u tret
I ra tokës e shmoj termet
I ra qiellit e ndezi rrufetë
I ra jetës e u ba kurbet
I ra të bardhës e u nxi
I ra gurit e u ba hi
I ra frutit e gjymtoi farat
I ra korbit, zbuloi varret
I ra zogut e u ba qyqe
I ra natës e mbeti pa hanë
I ra dasmës e u ba gjamë
I ra diellit e i mori dritë
I ra besës e polli pabesitë
I ra nanës – Ajo rriti fëmitë!
Rrjepsave
Kur më ka rjepur brisku i mençur,
lëkurën ma banë portofola, bufana, çanta.
Kur më ka rjepur brisku budalla,
as zhabë për krunde lëkura s’më ka vlejtur.
Kur më ka rrjepur brisku i mençur,
lëkura ime shark lahute, defi, daullje.
Kur më ka rjepur brisku budalla,
pa regjur më hangren krimat, molat, tejat.
O rrjepsat e mi, të vjetër e të ri, pash Krisht e Allah
mos më rjepni gjithmonë
me briskun budalla.
Muaj mjalti
Me emrin e mjaltit
u pagzue muaj i parë i martesës,
ku nuset u ngjajne luleve,
dhandurët të kujtojnë bletën.
Aromë puthjesh mbushen ditët, netët,
ballkonet, kuzhinat, rrobat, krevati.
Toka e qielli çuditërisht,
pikojnë hoje mjalti.
O muajt e nuseve e dhandrave të lumtun,
mbushur mjaltë besimi, dashurie,
tanë nektaret e luleve
i përkundshi mbi ninulla fëmijësh!
Mos më kërko larg
Në më kërkon larg
harresa e paska mundur
bashkëjetesën
Në më kërkon larg
gjurmat tona të mira
i paska shlye nata
Në më kërkon larg
gabohesh dashuri se largsia
nuk ma mat vështrimin
Në më kërkon larg
pranë vetes më ke
ku merr udhë fjala
Në më kerkon larg
jam brenda teje
ku merr dritë shikimi
Në më kërkon larg
jam vetvetja jote
që të dukem vetmi e heshtun
Në më kërkon larg
Jam tjetërsimi i gjthçkaje
që ti dashuron pranë vetes
Meteor digjem për ty
(Lirikë popullore)
Kaçurrelat lëshue mbi ballë
Lumja unë që të kam në mahallë
Edhe pse po shihna rrallë
Shtatë herë në deksha mori zanë
Prap për ty, unë me u ngjall kam
Do t’i marr bjeshkët përpjetë
Në mrize e stane ku ke tretë
Do u la zogjve nji amanet
Buzët e tua t’i bajnë sqep
T’i bajnë sqep e të këndojnë me ty
kur të ndriçojnë yjet mbi Dri
kur të shndrit hana n’liqen
kam me lyp unë… synin tand
Zani yt ka me më çue peshë
Goja e vogël dhamtë e shpeshë
Buzët e ndryme si kuti
Gjallë mos mbetsha unë pa ty
Do ti puth gjoks e nisana
Krejt picak si të ka lind nana
Nuk due kod, ligj as kunorë
Më len ta prek qiellin me dorë
Krejt prenverën ta baj varkë
Veç për diellin që ke në bark
Fjalë e zemër dritë e sy
Meteor digjem për ty!
Qershor 2013 Katopatisja Athinë
Dashuri të pashijuara
Në mungesën e syve të largët
Nëpër ankthet e netëve
Sonambul jam zgjuar
Kështjellat e fildishta të zemrave
Dashuri e pashijuar
Thinjat pa moshë
Ku çerdhe ngre trishtimi
Në djepet e shpresave që nuk vdesin
Ninullat mi përkund qielli
Sikur të mbetem gjymtyrsakat,
Ulok i pamundun në krevat
Buzëqeshja e puthja e ngrirë
Për ju do më bahet pëllumb i lirë
Bunar errësine po të më bahen shikimet
Genet shtazore të ma mundin fisnikërinë
Mbi trup, zemër, shpirt e kufomë
Dashuri të pashjiuara
Vargjet do më mbijnë…
O busullat e dashurive
Gjithnji magnetet e akrepave tuaj
Më adresojnë aerodromet
E fluturimeve të shqiponjave
Kocka mallëngjimesh
Brenda xhamave me drita të thyera
Kafshata qielli gëlltis çdo ditë
Duke përtypur imazhe vendlindje
Kocka mallëngjimesh…
Më ngecin në fyt
Skelete lotësh të thara vetmije
Dy sy nane xixëllojnë Afërditë
Nan ankthet e mallit të pashuar
Me bateri dielli…
I ushqej dashuritë.
Je vetë puthja që zgjon dashuritë
Je mangalli zjarr e prush
Je si vneshta plot me rrush
Je vetë lumi kur shkri bora
Je si nusja kur vjen ora
Je petalja që mbledh vesën
Je ylli që thërret mëngjesin
Je buza që pret me u puthë
Je medalion varun në gushë
Je magjia e lumturive
Je vetë andrra në mes stuhive
Je ylberi plot me ngjyra
Je parajsa që fsheh natyra
Je vetë syni pa tavan
Je si zogjtë mbi pentagram
Je pranverë gjithnji e vërtetë
Je vetë qielli krejt i kthjellët
Je era që largon retë
Je vetë pylli që mposht rrufetë
Je si shqipe ba me duar
Je vetë lulja mbi në gur
Je shpresa që s’shteron kurrë
Je agthi që më sjell dritë
Je si deti uji e kripë
Je vetë puthja që zgjon dashnitë







Be First to Comment