Zakonisht ulej diku aty në cep të bar-kafesë me një emër disi të ngatërruar. Febit i pëlqente fushë-pamja që kishte përballë, me hijet transparente që krijonin degët e blirit aty afër në të djathtë. Pasditeve, ky ishte i vetmi argëtim, në mund të quhej kështu. Rrugët nga kalonte, akoma ndjeheshin të lodhura nga vapa e mesditës dhe me vështirësi u jepeshin njerëzve, që shkelnin mbi asfaltin e tyre me një kënaqësi epshore. Ajri, përherë i ngarkuar me tymra e pluhur, si një kafshë gjigante e padukshme, rëndonte gati fizikisht mbi njerëzit, të cilët, të asfiksuar nga të nxehtët në shtëpitë e tyre të vockla, turreshin jashtë për të gjetur shpëtim nëpër hije dhe freskun e pasdites. Tradicionalisht, strehimi kërkohej në parkun e madh diku në qendër të qytetit. Megjithëse i kafshuar përdhunshëm nga dhëmbët betonarme të kioskave, njerëzit u mësuan ta shohin parkun ashtu dhe ndoshta dikur do ta kujtonin siç kujtohen kafshët prehistorike nëpër libra. Parku, nga ana e tij, ishte përsëri bujar, i pranonte njerëzit të uleshin mbi të jo më në bar, si atëherë ku afërsia me tokën e bënte kontaktin më intim mes tyre, por mbi karrige hekuri a plastike, që ndiheshin të përkëdhelura për rolin e tyre drejt evolucionit.
Në një karrige të tillë prej hekuri ishte ulur Febi. Rreth orës 18:30, aty vinin shokë e miq të tjerë, kështu që vetvetiu ky bar ishte kthyer në pikë takimi. Qëllonte që nuk vinte asnjëri; atëherë Febi i ngeshëm shikonte gjithshka rreth tij. Shihte pa impenjim dhe kotej në ëndërrime, por ndonjëherë i pëlqente të vërente me vëmendje ndonjë tip që i dukej interesant apo që binte në sy. Vështronte me kujdes aq sa mund të thoje se ishte krejt indiferent për ambientin përreth. Njerëzit, në përgjithësi të rinj të zhurmshëm, të gjithë të hallakatur në bisedat mes tyre, pasqyroheshin në xhamat e zinj të lokalit, në sfondin shumëngjyrësh të banakut të mbushur me shishe dhe transparencë delikate gotash. Pasqyrimi sikur dyfishonte njerëzit dhe lëvizjet. E gjithë kjo krijonte një atmosferë piktorike tepër lodruese, e ngjashme me skenat festive në tablotë e Renuarit.
Mbështetur me bërryla mbi tavolinën e rrumbullakët, ai pa të afrohej kamerier, një djalë i hollë me kokën gati të rruar. Mbante syze të vogla me skelet të zi, ndërsa pas tyre lëviznin dy sy të zgjuar ngjyrë kafe. Qafën ia zbukuronte një papijon po i zi. Febi për një moment u hutua; atë çast nuk dëshironte të pinte, por për forcë zakoni porositi coca-cola të ftohtë. Kamerieri nënqeshi pak nga hutimi i tij dhe u largua. Febi pa rrotull. Në tavolinën përballë, rreth pesë metra distancë, njohu çiftin e çuditshëm që e kishte parë shpesh aty, madje në të njëjtin vend. E shkëputi disi vëmendjen nga ardhja e porosisë. Coca-cola ishte vërtet shumë e ftohtë, si të kishte ardhur nga poli i veriut. Syze-papijoni me kokë të rruar hapi shishen dhe nxitoi për në tavolinën tjetër, por Febi nuk e ktheu menjëherë; e la të binte disi dhe aq e ftohtë nuk i shijonte. Vapa mezi po largohej dhe vetëm një puhizë e lehtë, që i freskonte paksa shpinën e djersitur, lajmëronte për ardhjen e ndonjë shiu të shumëpritur.
Ai pa edhe njëherë nga çifti. Asnjë nga shokët s’po vinte, kështu që filloi t’i shohë më me vëmendje ata të dy. Vajza po lëpinte me naze një akullore, ndërsa djali me mustaqe dhe një bluzë të stamposur shijonte me gllënjka të vogla një pije me akull. Ishte i shëndoshë, por nuk mundohej ta fshihte barkun e dhjamur. Diç tregonte me gjeste, ndërsa ajo qeshte ëmbël, shumë ëmbël, por Febi nuk arriti të kuptonte nëse ishte vërtet e kënaqur apo i bënte qejfin atij. Ishte veshur bukur. Një bluzë e lehtë mbulonte torsin e vogël, por tepër joshës, këmbët të ndrojtura, por të sigurta për hijeshinë e tyre, kishin fituar lirinë falë minifundit, ndërsa në fund të tendinave të Akilit spikaste ngjyra e argjendtë e sandaleve të sheshta. Supeve lëshohej koketërisht ujëvara e artë e flokëve, efekt i rrezeve të fundit të diellit që depërtonin mes gjetheve për të përkëdhelur vajzën nazike me linja të përkryera. Febi hodhi kola në gotë, rrufiti pak dhe u kujtua se kishte kohë që s’kishte punuar; u ndje keq. Nuk mund të kërkonte model më të mirë. “Duhet pikturuar nudo”, tha me vete, duke parë përsëri nga flokarta. I ngacmuar nga kjo ide, përfytyroi telajon aty para tij, ndërsa modeli ishte ajo, me ndryshime të vogla nga modelet që kishin pasur egjiptianët, grekët, Rodeni apo Mane. Filloi të heqë vijat e para me ndrojtje, mbi bardhësinë prej virgjëreshe të telajos, pastaj më i sigurt. Shikimi iu bë më i mprehtë, trupi iu tendos e gjaku rrodhi më i vrullshëm ndër deje. Vajza nuk po zinte vend, por, si të kuptonte dëshirën e Febit, u kompozua mjaft bukur. Të gjitha linjat e saj vallëzonin e ai s’mund të priste më. Në fushën e papunuar të tavallozit, tubetat shkarkuan ngarkesën e tyre plot ngjyrime marramendëse. Febit nuk i durohej, donte ta mbushte sipërfaqen sa më shpejt, me frikën se mos modeli i tij largohej. Flokët në telajo filluan të njomen nga e verdha indiane, por ai e ndjeu se duhej diçka tjetër. Emërtimet e tubetave nuk vlenin. Këtu, çdo pjesëz e sipërfaqes kërkonte diçka më magjike, pa përjashtuar të vërtetën. Febi u ndal një çast. Në ekranin e trurit të tij, me xhiro të shpejtuara parakaluan nudot e njohura të artit botëror, me magjinë, misterin dhe sekretin e krijimit. Ajo që kishte mësuar i dukej e largët, kurse ajo që gjendej para tij e rrëmbente dhe nuk e linte të mendonte gjatë. Ja, linja diku zhdukej dhe nën bombardimin e grimcave të arta shumëmilionëshe prej kurorës perandorake të Heliosit, krijohej një brez i butë, i ngjashëm me pushin e pjeshkave të ardhura mirë apo me vijën e tretur të horizontit në agim.
Përhapi mbi sipërfaqen e telajos ngjyrën e barit të vesuar. Më pas, spatula filloi të rrahë me goditje të lehta e të shpejta; diku heq apo shtron ngjyrën dhe pasi ndjen lodhjen tërhiqet në pritje. Pa e zgjatur futet peneli që i pëlqen të ledhatojë këtë brumë njerëzor, të epshëm e kaq kapriçoz. Tek duart u ndal. Iu kujtuan thëniet për delikatesën, karakterin dhe psikologjinë e tyre të veçantë, të ngjashme me vështirësinë që paraqesin sytë. Megjithatë i harroi të gjitha; ndjente nevojën të harronte. Ato që kishte përpara iu dukën ndryshe apo ndoshta ashtu iu ishin dukur të gjithëve nëpër shekuj. Vajza i kishte mbështetur duart mbi gjunjët e saj të fortë, si të gdhendura në mermer. Mes këtyre masave të vogla ngjyrë rozë vibronin gati të padukshëm përrenj të vegjël blu.
“Argjendi i kristaleve të borës do i bënte mirë”, tha gati me zë, duke picërruar sytë si për të parë më qartë tonet.
– Doni cigare? – Një djalë i vogël qëndronte para tij në pritje, me një kuti të vogël në dorë, ku dalloheshin disa marka cigaresh.
Febi u nervozua nga kjo ndërprerje, e përzuri me një shenjë dore dhe, pasi u bind se nuk po e shihte njeri, piu pak kola dhe u zhyt përsëri në botën e tij. Nuk ishte i kënaqur me dritën në tablo. Diku gjetkë duhej ngjyer peneli. Preku lehtë me pëllëmbë hapësirën e pikturuar, duke ndjerë dridhjen e trupit, e spërkati me të bardhë pëllumbi trazuar me pluhur perlash dhe iu duk se arriti diçka. Ishte i vetëdijshëm se nuk mund ta gjente kaq shpejt formulën e asaj drite hyjnore, por, gjithsesi, diçka kishte bërë. U shtriq si për t’u kënaqur me punën e kryer. Ndërkohë, djali me bark të madh e mustaqe të vogla preku duart e më pas flokët e vajzës. Febi mbajti frymën, por modeli nuk lëvizi. Ai qeshi me frikën e tij, se fundja ç’rëndësi kishte në lëvizte ose jo. Përqendroi vëmendjen te gjinjtë, në këto masa plastike aq të ndjera, me lakimin e përkryer, joshjen dhe fuqinë jetëdhënëse. Këto kodrina të vogla në veri të torsit femëror, aq të ndryshme në prezantimin e tyre, janë në fund të fundit simboli më i spikatur i pasardhëseve të Evës.
“Ngjyrë trëndafili, qumështi e bari, kjo është formula e duhur”, tha nën zë, duke u stepur një grimë. “Ndoshta dhe pak të kaltër qielli nuk do të bënte dëm”. Fshiu duart pas bluzës, duke u përpjekur të gjente ngjyrën e duhur për ato hije intriguese në raportet që krijonin mes tyre vëllimet e këmbëve. Masa të plota, të fuqishme, si tokë e ngjeshur, por që mbështeteshin butësisht mbi njëra-tjetrën, aq sa konturet e tyre sfumoheshin si objektet nën ujë. Të shëndetshme, plot lëng, si pemët e reja, drithëruese si valët e detit, ato të dehnin dhe vetëm spatula mund t’i nënshtronte. U hodh më pas në strukturën e kadifejtë të flokëve, duke përzier të kuqen e gjetheve të vjeshtës me vezullimin e verdhë të rrushit të pjekur, disa gërvishtje me bishtin e penelit dhe u ndje i lehtësuar. Diçka e shqetësonte në fushëkodrinën e butë dhe pjellore të barkut. Ishte tepruar disi me të ngrohtën e grunjtë. Duhej spërkatur me pjalm, pastaj një velaturë me të blertë lëndine dhe ngjyrime petalesh. Buzëqeshi i kënaqur, duke e kthyer me fund lëngun e mbetur në gotë. Sytë e vajzës ishin të mëdhenj dhe disi melankolikë. Distanca jo shumë e afërt e bënte të pamundur përcaktimin e ngjyrës së tyre. Gjithsesi, Febi mendoi se ngjyra e tyre duhej nxjerrë nga thellësitë e nëntokës dhe fund-deteve, duke i shtuar edhe shkëlqimin e diamantit. Në faqe i pëlqeu të vendoste ngjyrë prushi, ndërsa për buzët mjaftonte një kalim i lehtë peneli ngjyer në të kuqen e shegës. Instiktivisht lëpiu buzët e thara dhe u lëshua me tërë trupin mbi karrike. Nuk kish ç’të bënte më. I ekzaltuar shikonte vajzën dhe e krahasonte me nudon e tij. Çifti e ndjeu shikimin zhbirues. Djali ktheu kokën duke e parë me dyshim.
– Me ty e ka ai trapi? – pyeti zëri nën mustaqe, duke parë vajzën që ishte turbulluar paksa. Febi lëvizi në karrige dhe duke nuhatur rrezikun e një keqkuptimi, hoqi vështrimin për të parë diku gjetkë.
– Nuk e njoh, por mos ja var – foli me të butë vajza, që përpiqej të qetësonte bark-mustaqen. Kamarieri nuk vonoi të vinte dhe Febi, pasi pagoi, u ngrit; pa njëherë rrotull mos shihte ndonjë të njohur, por meqenëse nuk gjeti njeri mori rrugën pa e ditur as vetë se ku. Nga pas dëgjoi dobët zërin e vajzës që i thoshte djalit:
– Ndonjë maniak do jetë!
Febit iu bë një lëmsh diku thellë në stomak. Tablonë e harroi. Ajo tashmë i ngjante diçkaje të shtypur nga troku i tufës së egër, që kalonte mbi të pa mëshirë. Rrugës, pa e pasur shumë mendjen, përshëndeste ndonjë të njohur të vjetër.
Muzgu po hidhte ngadalë pelerinën e vet të freskët, ndërsa nëpër pallate ishin ndezur dritat e para…
Tiranë, 01.02.1996
Përgatiti për botim Shqipto.com
(Piktura: “Modeli”, Stefan Taçi, 1998)







Be First to Comment