Kur u tha se Presidenti i ardhshëm theu këmbën e majtë duke luajtur me qenin, shumëkush u trishtua, ca e dyshuan lajmin dhe ca të tjerë as që e vunë ujin në zjarr… Vetëm komshia ime, zonja Susan e mori me shaka.
Zonja Susan tha pak a shumë kështu:
– Gjithë sa thotë shtypi, është një anë e lajmit dhe vjen prej zotërisë që ka thyer këmbën. Duhet pyetur edhe qeni…
– Po si? Po qysh? Po kur? Po kush do ta pyesë qenin?
Me këto pyetjet e mia, zonja Susan u shashtis.
– Ti gjithnjë i ndërlikon gjërat, o zotëri. Është fare e thjeshtë. Të pyetet zëdhënësi i qenit nëse qeni pranon të japë një intervistë.
– Unë nuk di që qeni i Presidentit të ardhshëm ka zëdhënës. Di që ai vetë e ka një të tillë.
– Zëdhënësi i këmbës së thyer e dha versionin e lajmit. Ai tha se qeni ishte duke luajtur me të zotin.
– Ti dyshon se qeni nuk ka qenë fare aty kur presidenti i ardhshëm theu këmbën?
– Ore ti qenke tutkun fare. Jo, se mbahesh edhe si gazetar e më the e të thashë. Nuk e thashë atë. Unë po kërkoj një burim të dytë informacioni. Dhe burim të dytë më të mirë se qeni në këtë rast nuk ka. Tek e fundit i takon atij qeni të thotë si është e vërteta, sepse pas dy muajsh do të jetë “First Dog”, domethënë Qeni i Parë midis miliona qenve…
Gjithë çfarë po bisedonim ne për këmbën e thyer të presidentit të ardhshëm e mori vesh edhe zonja Maria, që e ka shtëpinë në anën tjetër të rrugës. Edhe ajo ka një qen, Husky i thotë me përkëdheli.
Kur theu këmbën një vit më parë, zonja Maria e çoi qenin në çerdhen ditore të qenve. Dhe Husky përjetoi, si të thuash, një muaj mjalti në shoqërinë e qenve të tjerë. Kështu na tha Maria. Madje ajo shtoi:
– Kur u kthye Husky nga çerdhja e qenve, pasi unë u shërova, seç kishte një tis të lehtë depresioni që i dukej në sy. Dhe ia besoj, se u kthye me mua këtu në vetminë e shtëpisë. Larg qenve të tjerë…
– Domethënë ti mendon se edhe Presidenti ynë i ardhshëm e ka çuar në çerdhe qenin e tij? – pyeti zonja Susan.
– Nuk e di se çfarë ka bërë ai me qenin e tij, por unë për vete nuk mund ta lija në vetmi timin, ndërsa bridhja spitaleve për këmbën e thyer. Por i jam mirënjohës Huskyt, se ua përcolli qenve të tjerë miq në çerdhe dhimbjen që kisha unë…
– E sheh? – m’u drejtua zonja Susan. – Nëse ti i thua vetes gazetar, mbathja këmbëve e shko t’i marrësh intervistë qenit të Presidentit të ardhshëm te çerdhja e kafshëve. Atje do ta mësosh të vërtetën për këmbën e tij të thyer.
– Sa lehtë i merr gjërat ti moj zonjë! – thashë unë habitshëm. – Po sikur të shkoj dhe të mos e gjej qenin e Presidentit të ardhshëm në atë çerdhe?
– Atëherë ti nuk bën të flasësh më kurrë për thyerjen e këmbës së tij, – tha zonja Susan dhe iku duke qeshur.
Sami MILLOSHI: Dëshmia e qenit

Autori