Ti je prore në oborr, në bedena, në karakoll, me sy të ngjeshur – në tejqyrë – andej nga pritet rëndom shfaqja e armikut në horizont; grupet e maskuara si bujtarë, si lypës endacakë; e hordhive të rrezikshme që mësyjnë etj., etj. Është mirë t’i kesh në vrojtim.
Është mirë t’i mbash nën shenjën e harkut të tendosur, nën hobe gurësh, nën vrullin e mëzdrakut, vërvitjen e topuzit. T’i dërmosh mizorisht para se t’kenë shkelur truallin tënd. Para se gjëma e huaj t’u avitet portave të tua. Është mirë ta kesh syrin fajkua.
Ndaj përforcon ledhet, ndërron rojat, stërvit qentë të nuhasin së largu erën e huaj. Stërvit zogjtë t’u bien qark me elipse inspektuese rrethinave. Mban nën kontroll të rreptë tokën dhe ajrin rreth fortesës – madje dhe lumin përposh, që nuk përcjell vetëm ujin e borës së shkrirë të majave, por dhe peshq, peshq të panjohur, të rrezikshëm.
Je i qetë, i kënaqur, meditativ pothuaj, i sigurt me pamjen përpara, i sigurt për paqen brenda fortesës; brenda mbretëron idila e qetë familjare, paqja e ëmbël dhe dashuria e mistertë, e ndrojtur, fjalëpakë, që rrjedh e rrëkëllehet nënshtrueshëm në damarët e tu me butësinë e kadifenjtë të verës së re.
E gjumi yt, hera-herë drithërohet prej hijesh e njollash si një hartë e vjetër lufte. E zhubrosur. Duart e tua nervoze tradhtojnë pikërisht në vende enigmatike komplotesh të paqarta. Gjumi, si gjumi… Shakrrëzime ëndrrash. Mbase prej gjithë asaj vigjilence në horizontin jashtë fortese.
Dhe ditët përsëriten me zgjatimin e shikimit përpara:
“A mos patë dikënd të afrohet?”.
“Jo, kryezot, askund frymë e gjallë!”.
Venë e vijnë oborrtarët, pazhët, shërbëtorët. Prapa shpinës tënde bie mbrëmja, ndizen shandanët, luhet muzikë. Qeshet. Festohet. Po ani… Le të mos pushojë hareja atje. Se… përse bën sogje?
E prapa krahëve, atje brenda, gjithashtu vigjilon dikush nga të tutë. Prapa fortesës, atje, dikush ka patur kohë të bollshme ta krehë, ta lëmojë e mandej, pak e fije ta gudulisë, ta kashaisë pelën tënde, t’ia hipë e t’ia mbysë hingëllimat me pëllëmbë. Ka kohë që kalëron mbi të me një galop të makthshëm, turbullues e të zjarrtë.
E çdo ditë, çudi si s’pëlcasin prej dehjes edhe muret e trasha të bodrumit të errët. Vështrimi yt platitet me vijën e horizontit. Po kurrsesi të rrokë muret e bodrumit, që kullojnë rrëshirë të zezë.
- 04. 2021
