Press "Enter" to skip to content

Ridvan Dibra: Kasollja

http://tbn2.google.com/images?q=tbn:JspC36ifdPy5dM:http://letersia.zemrashqiptare.net/images/articles/2007_06/2275/u1_Ridvan-dibra.jpg“A mund të ndërtoj një kasolle të vogël?”, më tha miku im dhe tregoi me gisht vendin në krye të oborrit, aty ku, kohë më parë, kisha menduar të ngrija një kolibe për qenin, Francin.
“Kasolle?”
“Po. Të vogël. Sa për të futur kokën. Unë jam krejt i vetëm”.
Kërkesa e beftë e mikut tim më gjeti krejt të papërgatitur (siç më kishin gjetur përherë kërkesat e tija) dhe turli-farë mendimesh e ndjesish të kundërta më çoroditën të tërin, çoroditje që do të kishte vazhduar kushedi sa gjatë, po të mos isha kthjelluar papritur nga arsyetimi se një mik pranë, pavarësisht nga kushtet e rrethanat, vlen ku e ku më shumë se një qen. Desha të jap menjëherë një përgjigje pohuese, por u kujtova se oborri, ashtu si shumë e shumë gjëra të miat, ishte pronë e babait: nuk mund të merrja asnjë vendim të rëndësishëm pa lejen e tij. Miku më shihte ngultazi dhe një nënqeshje ironike, si hije e zezë, mezi i dallohej nën cepat e buzëve. Isha thuajse i bindur se ai kuptonte gjithçka që ndodhte brenda meje dhe se nga unë priste vetëm një përgjigje pohuese. Thashë ato që s’kisha ndër mend t’ia thosha:
“Nuk mund të rrish në oborr. Qoftë dhe në krye të tij. Eja në shtëpinë time. Do të ketë një vend edhe për ty”.
“Kurrë!”, tha miku dhe u nxi në fytyrë. “Unë jam mësuar vetëm. I lirë dhe i pavarur”.
Ta dhjefsha lirinë dhe pavarësinë, thashë me vete. Ti s’ke një strehë për të futur kokën dhe kërkon të jesh i lirë e i pavarur. Kurse me zë:
“Mund të jesh i burgosur në qeli dhe të ndihesh i lirë, ashtu siç mund të ndodhesh jashtë dhe të ndihesh i prangosur…”
“Gjëra të ditura prej meje! Argumente të stërvjetëruara!”, më ndërpreu me nxitim miku dhe u nxi edhe më në fytyrë. “Të kërkova vetëm një pëllëmbë vend në oborrin tënd. Asgjë më shumë. Aq sa duhet edhe për një varr”.
“Nuk mund të vendos vetë”, thashë unë, pa guxuar ta shoh mikun në sy. “Duhet pyetur më parë babai. Oborri është pronë e tij”.
“Dhe ke gojë e flet për lirinë…”, tha miku, duke më fshikur me shikimin e tij shpërfillës. Ndenjëm disa çaste përballë njëri-tjetrit dhe mandej u ndamë pa thënë asnjë fjalë. Po atë natë, sapo mbetëm vetëm, ia parashtrova babait kërkesën e mikut tim.
“Jo vetëm kasolle, por edhe pallat po të dëshirojë miku”, më befasoi babai me pjesën e parë të përgjigjes së tij. “Veçse gjithçka të bëhet sipas ligjit. Me kontratë të rregullt, të noterizuar dhe në tri kopje, ku të përcaktohen qartë hapësira e tokës dhe koha e qëndrimit”.
Pjesa e dytë e përgjigjes më zhgënjeu jo pak dhe për shumë kohë e vrava mendjen nëse ajo, domethënë pjesa e dytë e përgjigjes, ishte rrjedhojë e shpirtvogëlsisë apo e përvojës së babait. Sidoqoftë, pohova me kokë dhe u mbylla në dhomën time. Ashtu siç edhe e prisja, tërë natën nuk vura gjumë në sy. As që bëhej fjalë t’i kërkoja mikut tim të ishte pjesëmarrës në hartimin e nënshkrimin e një kontrate të noterizuar, ku të përcaktoheshin qartë hapësira e tokës dhe koha e qëndrimit. Një kërkesë e tillë, e shoqëruar me doza jo të lehta mosbesimi, kishte për të shënuar fundin e miqësisë sonë. Gjithçka duhej zgjidhur fshehurazi prej meje dhe në fund, një kopje të falsifikuar e të noterizuar të kontratës, kisha për t’ia dorëzuar babait. E tërë nata më kaloi duke sjellë nëpër mend lloj – lloj variantesh e të njohurish që mund të më ndihmonin dhe vetëm në të zbardhur, tamam atëherë kur po i dorëzohesha gjumit, arrita në përfundimin se gjithçka do të zgjidhej lehtë e thjeshtë nëse do t’i vija në punë kursimet e mia shumëvjeçare. Ia vlen një sakrificë e tillë për hir të miqësisë, i thashë vetes dhe në çast, si të kisha hequr nga supet kushedi ç’barrë të rëndë, mu mbyllën sytë. Kur u zgjova, ndihesha i çlodhur dhe plot ide. Po atë ditë, pak pa rënë muzgu, duke vënë në punë gjithë kursimet e mia shumëvjeçare, ia dola të siguroj një kontratë të falsifikuar e të noterizuar, në të cilën firma e mikut qe imituar lehtësisht prej meje. Në mbrëmje ia hodha babait në prehër.
“Gjithçka në rregull”, tha ai, duke e palosur kontratën me kujdes, pasi e kishte lexuar më parë fjalë për fjalë. “Edhe pse s’është pyetur jot ëmë, miku mund t’i fillojë punimet që nesër”.
Nuk mu durua deri të nesërmen dhe, megjithëse po afrohej mesnata, u turra te miku im për t’ia dhënë sihariqin.
“Nuk kishte si të ndodhte ndryshe”, tha ai, duke fërkuar sytë e përgjumur. “Nesër do t’i filloj punimet. Kam gjetur materialet dhe mjeshtrin”.
Sipas këshillës së gruas, u mora një javë leje eprorëve dhe iu gjenda pranë mikut tim. Djali im na ngatërrohej nëpër këmbë, kurse gruaja na sillte kafe më shpesh se ç’duhej. Babai i bënte vërejtje mjeshtrit, kurse nëna ankohej për lulet e shkelura.
“Familja është burg”, thoshte nëpër dhëmbë miku, duke matur me njërin sy këndin që krijonin dy muret. Unë nuk pohoja, por as nuk kundërshtoja: miku ishte gati të prekej dhe t’i ndërpriste punimet. Pas dhjetë ditësh kasollja u ngrit në këmbë. E mjaftë për të strehuar brenda një njeri. Me të mbaruar punimet, miku solli edhe rraqet e veta.
“Më dhimbset”, tha gruaja e përlotur. “Krejt i vetëm, si qen. Bëjmë mirë ta ftojmë tek ne sonte. Është nata e parë”.
Babai nuk tha as po e as jo. Nëna u ankua se nuk kishte gatuar ndonjë gjë të veçantë. Djali rrahu shuplakat. Unë u nisa ta ftoj mikun, i bindur se nuk do të pranonte.
“Përderisa ftesa vjen nga gruaja, jam i detyruar ta pranoj”, më tha miku, duke krehur me gishtërinj mjekrën e rrallë, veprim që e kryente sa herë merrte vendime të rëndësishme. “Gratë preken shpejt dhe për shkaqe banale”.
“Është kënaqësia e të gjithëve…”
“Mirë, mirë”, më ndërpreu miku, “më prit sa të rruhem”.
Unë u ula te pragu i kasolles, kurse miku u rras në njërën prej qosheve dhe u rrojt nën dritën e hënës. Në kushte e rrethana të tilla unë do të isha prerë e gjakosur dhjetë herë, kurse në fytyrën e bardhë e të lëmuar të mikut tim nuk dallohej as edhe një gërvishtje.
“Jam gati!”, tha ai, duke qeshur porsi fëmijë. Më futi krahun dhe u nisëm. Të njëzet metrat deri te shtëpia ime i bëmë në heshtje. Kështu edhe kur ngjitëm shkallët. Brenda, në dhomën e miqve, ishin ndezur qirinjtë si për festë. Gruaja me nënën kishin veshur rrobat e tyre më të mira, kurse babai mbante në prehër nipin, domethënë djalin tim. Miku u mallëngjye deri në përlotje. Mandej mori pozën e viktimës, të dënuar përjetësisht nga fati, dhe më tha me zë të lartë:
“Tablo e përsosur! Lum si ti! Ke gjithçka”.
“Edhe ti do t’i kesh, bir”, i tha nëna dhe e ftoi në krye të vendit. Djali zbriti nga prehri i babait dhe zuri vend në atë të mikut. Gruaja i solli kafen, duke i buzëqeshur si dikur mua në kohët e para. Babai i zgjati paketën e cigareve. Miku e ndezi një, megjithëse nuk e pinte. Kurse mua mu desh t’i kërkoja edhe cigaret, edhe kafen. Mandej tryeza u mbush me lloj-lloj gjellësh e pijesh (kur ishin përgatitur?) dhe ne zumë vend të gjithë.
“Për lumturinë tuaj!”, tha miku dhe ngriti gotën.
“Edhe tënden!”, tha babai. “Ta gëzosh kasollen dhe shpejt me një pallat”.
Për disa çaste u dëgjuan vetëm trokitjet e gotave dhe të pirunëve. Mandej miku, për çudinë time të madhe, u ngrit në këmbë, rrëmoi nëpër xhepa dhe u shpërndau dhurata të gjithëve: gruas – një varëse të mrekullueshme ari; babait – një kuti të gdhendur sermi; nënës – një pasqyrë me kornizë argjendi; djalit – një robot të vogël hekuri. Kurse mua më kishte harruar. U ndjeva jo pak i fyer. Miku, që kuptonte e shihte gjithçka, më hodhi një shikim çarmatosës dhe më tha:
“Ti ke si dhuratë miqësinë time. Nuk njoh dhuratë më të çmuar”.
Qeshën të gjithë përveç meje. E pashë gruan me inat dhe, në çast, nisa të përfshihem nga ndjesia e të qenit i tepërt. Kurse miku tashmë kishte fituar respektin dhe dashurinë e të gjithëve: krejt jashtë natyrës së tij, fliste pa pushim: tregonte histori të vërteta e të sajuara, bënte vërejtje të holla e plot humor, shkërbente lloj – lloj kafshësh e tipash. Të gjithë, përveç meje, qeshnin e rrihnin shuplakat. Kështu deri në mesnatë, kur miku kërkoi leje të ngrihej e të shkonte në kasollen e tij.
“Është vonë”, tha nëna. “Fli tek ne sonte”.
Babai tundi kokën. Gruas i ndritën sytë. Djali rrahu shuplakat. Unë nuk pohova, por as nuk kundërshtova. Miku më tërhoqi disi mënjanë dhe më tha:
“Përderisa ftesa vjen nga nëna, jam i detyruar ta pranoj”.
Të nesërmen, kafen e mëngjesit miku do ta pinte në shtëpinë tonë, kurse në darkë do të përsëritej pikë për pikë rituali i një nate më parë. Kështu edhe në netët e tjera. Mikun e ftonin herë babai, herë nëna, herë gruaja, herë djali, herë të gjithë bashkë. Kurse unë, jo rrallëherë, i kaloj netët në kasollen e vogël aty në krye të oborrit, duke qenë i bindur se mungesa ime bie në sy gjithnjë e më pak.

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *