“Provinca”, roman, Liridon Mulaj, “Onufri”, Tiranë 2022
“Provinca” e Liridion Mulajt të hyn në shpirt që në fillim, pasi lexuesi merr në duar një roman të sinqertë. Askush nuk mbahet me hatër, por trajtohen me çiltërsi e seriozitet si personazhet, ashtu edhe lexuesit. Fraza e saktë, e gjatë sa duhet. Rendi i fjalëve në fjali i kujdesshëm, figura krijohet prej emocionit. Nënteksti herë lexohet kollaj, herë zbërthehet pak më vonë, por asnjë enigmë, asnjë errëti në shkrim. Gjatësia e paragrafëve dhe kapitujve janë aq sa mban fryma e lexuesit. Nga kjo pikëpamje, duket sikur autori është te romani i tij i tetëmbëdhjetë a më tepër.
Subjekti dhe personazhet? Si ata që ndeshim çdo ditë, çdo sekondë të jetës sonë. Janë të rinjtë e të rejat e atdheut tonë, aq socialist e popullor dikur, tashmë kaq kapitalist dhe i pashpirt me qytetarët e vet. Qyteti i huaj, Tirana dhe provinca: trekëndëshi ku zhvillohen ngjarjet. Në fakt, ngjarjet zhvillohen pas skene. Pas dritave. Pothuajse në terr. Aty ku ka përfunduar shumica e të rinjve shqiptarë. Tragjizmi i heroit (çfarë mut heroi bre! – do thoshte ndonjë personazh), që rrëfehet në vetën e parë, na “zhytet në tru si turjelë e pamëshirshme”. Shtëpia ku jeton e ëma, e vetmja lidhje që i ka mbetur me provincën, do shkatërrohet. Kjo bën që personazhi kryesor, që sapo ka filluar të marrë formë e shpresë, të kthehet e bashkë me të i kthehet krejt jeta e mëparshme, krejt vetja e vet, ajo vete që i është dashur ta marrë të palosur e të maskuar kudo. Dyzimi, frika, mungesa e dashurisë, e shpresës, zymtësia e peizazhit dhe kompleksiteti vrasës i marrëdhënieve njerëzore, izolimi, braktisja, degradimi në alkool, në vese, në vrasje. Ngjitur me to, shkëlqimi sipërfaqësor, kamerat, dritat, ministrat. Që prej romaneve të Fatos Kongolit, së paku në dijet e mia, pak kush ia ka bërë radiografinë qyteteve shqiptare si romani “Provinca”.
Cilën derë duhet të hapin personazhet për të gjetur “Sezamin” e tyre? Hulumtohet kjo pyetje në roman, se personazhet nuk kanë lindur brumbuj pa shpresë e ëndrra, por kërkimi i tyre përfundon para dyerve të mbyllura, në absurd. Si t’ia bëjnë me hipotekat e së shkuarës, ku t’i hedhin? Ku t’i depozitojnë? Po me problemet e mëdha psikologjike të moshës, kush i ndihmon? Cili mësues, edukator, psikiatër, prind? Marrëdhëniet sipërfaqësore seksuale, dehja, mosgjetja e vetvetes, e vetvetes as në nivelin bazik të orientimit seksual, keqkuptimet. Jehona e një bote të shkuar, të rrëzuar tashmë vlerash e kodesh të shqelmuara, vjen herë-herë, thjesht sa për të përhapur erën e vdekjes.
Aq e pamëshirshme është trashëgimia e trishtimit, sa vajzat e reja refuzojnë të bëhen nëna. A ka më keq se kaq?
Diku në fillim thashë se autori duket me pjekurinë e një mjeshtri, por ndonjëherë edhe për mjeshtrit mund të bëjmë disa sugjerime. Në këtë rast, po të mos bëhej fjalë për një autor ende të ri e të talentuar, do ndalesha më gjatë në disa elemente të romanit, që kalohen përciptazi, por që për mua u duhej kushtuar më shumë vëmendje. Po veçoj një prej tyre: vëllai i personazhit, Keli, vdes. Gruaja e tij e re martohet pas disa kohësh. E ëma vrapon drejt varrezave me një shishe ujë nën sqetull, “për të lagur varrin e të birit – dikur thuhej se kur të vejat martohen, të vdekurve u kallen varret”. Elemente si ky në roman ka shumë e do ishte bukur sikur autori të ishte ndalur më gjatë tek to, t’u jepte frymëmarrje besimeve dhe mitologjive të tilla e, nëpërmjet tyre, edhe tekstit. Gjëra kaq të bukura nuk duhet të neglizhohen.
Pavarësisht kësaj panorame të errët me të cilën e përshkrova romanin deri në këto çaste, më duhet të them se karakterizimi i personazheve, zbritjet e thella në psikologjinë e tyre, kompleksiteti i marrëdhënieve që ndërtojnë dhe intensiteti i emocionit dëshmojnë se autori i ka në dorë dhe na i shërben në tekst me një gjallëri të pazakonshme. Le të jenë plotë dritë, vitalitet, dyzim e shpërthim, si: Elektra, Linda, Vilemonti, Maria apo të trishtë e në rrënim e sipër, si: nëna, Marta, Marini e ndonjë tjetër, personazhet e këtij romani janë të realizuar shumë mirë dhe gjithçka bëjnë është e shtyrë nga logjika dhe rrjedha e jetës së tyre.
Ky autor lexohet me shumë endje e të mbetet në mendje. Provinca është një roman i bukur, i shkruar me një sinqeritet asgjësues.

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.