Press "Enter" to skip to content

Poli HOXHA: Ashensori

Në gjithë atë rrëmujë njerëzish të çakërdisur, që nxitonin nën presionin e orës 13:00, kur niste shtetrrethimi, e gjeta veten brenda një ashensori plot pasqyra të një qendre tregtare.
Ishte e shtunë dhe më duhej të blija dy-tri paketa cigare elektrike, që do më garantonin nikotinën deri të hënën, kur dyqanet do hapeshin sërish. Veç varësia më shtyu, se për atë zot nuk do ta kisha bërë atë veprim “fatal”, që do më ndryshonte këndvështrimin për jetën në këto kohë flame.
Gjithsesi, tani isha brenda, ndaj kapa një qoshe dhe, e vetmja gjë ku fiksova vështrimin fillimisht, ishte dera ngjyrë metali, që u mbyll butë.
Një djalosh i gjatë e i palestruar, i veshur me kostum blu të errët, shtypi butonin i pari; kati i tretë. Nga mënyra se si shihte dhe mbahej dyshova shumë se ishte nga ata “të fortët”, që, pasi kishte parë pak botë me sy, i ishte futur me guxim të admirueshëm tregtisë së “mallit” dhe tani po shijonte statusin e “biznesmenit” të suksesshëm.
Pas tij pashë edhe një burrë rreth të pesëdhjetave, të veshur si gangot e fillim viteve nëntëdhjetë: me xhup lëkure, plot perçina të ndritshme, që shtypi butonin e katit të pestë dhe u pozicionua me fodullëk përkundër meje, në qoshen tjetër të ashensorit.
Kabina lëvizi dhe ky ishte momenti për të bërë bilancin e pasagjerëve brenda asaj kutie të izoluar, që po lëvizte nga poshtë-lart.
Kështu, përveç meje, djaloshit me kostum dhe gangos plak, brenda ashensorit ishte edhe një mesogrua, e veshur shik, me xhaketë e fund terital, katër gisht mbi gjunjët e bukur, që nuk e ndante nga dora celularin e shtrenjtë. Me siguri ndonjë punonjëse me rëndësi e administratës së qendrës tregtare ose, më e pakta, gruaja e ndonjë politikani që kishte aksione aty. Sapo hyri, mbështeti me familjaritet supin te pasqyra e madhe në krah të derës.
Kur ashensori lëvizi, të gjithë: unë, gangua i moçëm, biznesmeni i ri dhe gruaja seksi, shtangëm!
Pas kurrizit të gruas që përhapte me vetëdije epsh (e thonë se epshi i atyre që sapo dalin nga karantina, lëshon aromë dhe tinguj), ishte “fshehur” një kineze e vockël!
Mund të ishte edhe japoneze, vietnameze apo koreane, por nuk e di pse nuk e diskutova faktin se ishte kineze dhe pikë! Shpejt kuptova se edhe të tjerët as që e çonin ndërmend një variant tjetër.
O zot na ruaj; sapo kisha dëgjuar presidentin Trump që fliste i sigurt për “virusin kinez” dhe, kur e thotë Amerika, në Shqipëri ka marrë fund ajo punë: kur themi kinez, kemi thënë koronavirus; kur mendojmë virusin, nënkuptojmë kinezët!
Gjithsesi, atmosfera u rëndua edhe më kur zbuluam se të gjithë ishim pa maska. Askush nuk fliste, por ajri dridhej nga gulçime të pazëshme frike. Kinezja e imët, që ndoshta ishte rreth të tridhjetave, por që tregonte as tetëmbëdhjetë jo, u struk në qoshen e mbetur bosh pranë derës dhe filloi ti lëvizte sytë me shpejtësinë e sqepit të zogut kolibër; herë nga njëri e herë nga tjetri, duke na studiuar me radhë.
Ashensori lëvizte e ajo sa vinte e bëhej më e vogël, nën kryqëzimin e vështrimeve tona. Ndjente frikë, kërcënim, paralajmërim dhe ankth në ata katër palë sy të ngulur mbi të.
Edhe aroma e tingëllima e epshit të gruas me kostum ishin zhdukur papritur!
Arritëm në katin e parë; pastaj tek i dytit, por, si të bllokuar nga një fatalitet, ata butona që të ndalonin në katet e para askush nuk i kishte shtypur.
Kur po i afroheshim katit të tretë, gangua trupmadh nxitoi gati me vrap drejt derës. E shtyu dhe desh e dërmoi gruan e bukur, që vetëm pak çaste më herët e kish parë njësoj si qentë e Pavllovit, kur jargaviteshin me kockën jashtë telave të kafazit.
Ishte sekonda që të gjithë e kishim pritur: t`ja fusnim vrapit sapo të hapeshin dyert. Më shumë nga të gjithë, këtë çast dukej se po e gjuante gruaja kineze, që ishte zhdukur brenda xhupit të madh, ku brenda jakës dukeshin vetëm ca flokë e nën balluke dy sytë e vegjël me bisht, që gati sa nuk po shpërthenin “llavë” frike dhe ankthi.
Dyert nuk u hapën: ashensori ngeci, por të paktën dritat nuk u fikën!
Gangua fillimisht u bë si lepur, por pak nga pak e mori veten, u nervozua dhe rishfaqi imazhin e tij të trimëruar. Të gjithë e kuptuam se ishim viktima të një defekti që na kishte lënë në kurth; katër shqiptarë me një kineze pa maskë!
Në fakt, as ne shqiptarët nuk kishim maska, por kjo nuk kishte aspak rëndësi, sepse ne nuk ishim kinezë!
“Keq puna!”, thashë unë me gjysmë zëri.
Gangua u kthye nga unë, pastaj i hodhi një vështrim të egër kinezkës, që e kishte fare afër, dhe u zhvendos me shpejtësi në qoshen e tij.
“Bo-bo, ç`na gjeti!”, tha gruaja seksi dhe u bashkua me ne në fund të ashensorit.
Vetëm kinezja nuk lëvizi. E mbuloi fare fytyrën me jakën e xhupit dhe vazhdoi të na këqyrte e tmerruar. Na i kishte lexuar mendimet që kur kishte hipur në ashensor, por tani, me shumë gjasa, edhe ajo po thoshte me vete: “Keq, shumë keq puna!”.
Mund të kenë qenë pak minuta ato që pasuan, por kur je i mbyllur në një kuti me një kineze, në këtë epokë koronavirusi, koha humbet kuptimin dhe masën.
Ne të katërt: unë, gangua, biznesmeni dhe gruaja seksi ishim ngucur pak nga pak me njëri-tjetrin, si një trup i vetëm përballë “armikut”, që duhej të ishte mijëra kilometra larg, por, papritur, ish shfaqur përballë. Tensioni u rrit dhe pikërisht aty mësova kuptimin e vërtetë të togfjalëshit “heshtje varri”.
Ndërkohë, kinezja, përveç jakës së xhupit, tani po përdorte edhe duart si maskë mbi fytyrë, por ama kokërdhokët e fryrë frikshëm të syve dhe muskujt e kontraktuar të fytyrës, nuk i fshihte dot.
“Vari trapin! Më duket se do teshtijë tani kjo verdhacukja… dhe i thashë atij mikut tim në qeveri, që t’i thotë atij “të gjatit” që t’i zhdukë kinezët nga Tirana, se do na marrin në qafë!”, ngriti zërin plot nerv biznesmeni.
Aziatikja (kjo ishte e sigurt), duket se e kuptoi çfarë tha dhe u kruspullos edhe më shumë. Zë nuk nxori, por mua m’u duk se sytë iu lëngëzuan.
“Po qan nga frika, apo nga shtrëngimi dhe sforcimi për të mos teshtirë?!”, mendova.
“Ky është cinizëm makabër.”, foli sërish gruaja seksi, që, edhe pse ishte ngjitur me trupat e tre meshkujve të sapo dalë nga karantina, nuk lëvizte më asnjë qime e nerv te ne.
“Po kjo me mua e ka? Unë nuk fola me zë?!”, thashë me vete dhe i hodha një sy zhbirues.
Në fakt, ajo nuk e kishte mendjen tek asnjëri nga tre meshkujt e sapo zgjidhur nga karantina. Ndiqte me sy shqiponje, gjithë ankth, gojën e shtrënguar të kinezes: do hapej për të lëshuar shatërvanin e “virusit”, apo do duronte sa të zhbllokoheshin dyert e ashensorit, që dhe ajo t`ia mbathte me vrap?!
“Hall i madh ky! Rob`t ku t’i ketë!”, trashi zërin gangua, që hoqi xhupin e rëndë prej lëkure dhe mbuloi fytyrën me të, si maskë.
Poshtë kishte veshur një bluzë të zezë me mëngë të shkurtra, ku ishte stampuar një kafkë e frikshme me nënshkrimin: “Death Metal!”.
Te parakrahët e mëdhenj plot me qime kishte plot tatuazhe, por ai që binte më shumë në sy ishte një kryq i madh ‘shvastika’.
Papritur e liroi nga xhupi krahun ku kishte gdhendur kryqin dhe e drejtoi për nga kinezja, e cila tani gati ishte zhdukur brenda xhupit të saj.
Tensioni ishte rritur dhe nuk kishte ndonjë sinjal që dyert do të hapeshin shpejt. Pas gangos, edhe biznesmeni mori masat e tij. Hoqi xhaketën blu të errët firmato e me të mbuloi gojën dhe hundën.
Në ijen e djathtë, te rripi i pantallonave, kishte montuar një pistoletë në një këllëf lëkure krokodili. Nuk mjaftoi kjo, por u kujdes ta ekspozonte mirë, në një mënyrë që kinezja e vockël përballë nesh, që sa vinte e vogëlohej, ta shihte qartë.
“U shkërdhye puna! Do bëjnë ndonjë stroncllëk këta trapat me këtë kinezen dhe kush rri e kalon gjithë natën në polici.”, mendova.
“Kjo është një shaka makabre.”, foli prapë me psherëtimë gruaja seksi.
“Ouu! Po kjo po më lexon mendimet?”, pyeta veten dhe i hodha sërish një vështrim zhbirues.
Por ajo as që e kishte mendjen tek unë. Ishte përqendruar e gjitha plot ankth te vajza, që… edhe mund të ishte nga Kina. Pastaj diç u kujtua dhe hoqi me vrull xhaketën shik dhe e vuri si maskë mbi fytyrë. Nga shpejtësia iu zbërthyen kopsat e këmishës së bardhë dëborë dhe iu shfaq gjoksi madhështor, edhe pse kuptohej lehtë që ishte ca “i lashtë”.
Por as unë, as gangua, as biznesmeni nuk ia varëm shumë. Vetëm kinezja e frikshme na komandonte adrenalinën në ato momente.
Prisnim të teshtinte virusin, por ajo vazhdonte me një epizëm të rrallë të shtrëngohej me aq forcë sa që lëngu te sytë tashmë i ishte shndërruar në lot.
“Po qan nga frika ndaj kryqit dhe pistoletës, apo pse nuk e ka edhe ajo një gjoks madhështor si të gruas seksi që ka përballë?”, mendova.
“Ky është kulmi!”, tha e nervozuar gruaja seksi dhe as që tentoi ta mbulonte gjoksin e plotë a të mbërthente kopsat e këmishës.
“Unë do qëlloj!”, tha biznesmeni, duke vënë dorën mbi pistoletë, dhe shtoi: “Ndoshta pas krismës do vijnë të na hapin derën e të ikim që këtu.”.
Ra një heshtje e frikshme. Kinezes, gati sa nuk po i binte të fikët.
“Po dola që këtu, siç hyra”, mendova, “gjithë jetën do të mbaj maskë.”.
Gruaja seksi teshtiu fort brenda xhaketës dhe pas saj, si të komanduar nga i njëjti pult, teshtiu edhe biznesmeni, edhe gangua, edhe unë. Kinezja jo, por ama vazhdonte të na shihte plot frikë e ankth.
Nuk e di se sa kohë kaloi ashtu, nën pushtetin e një heshtjeje të frikshme, por dikur ashensori lëvizi dhe dyert u hapën.
Ne të katërt nuk lëvizëm, kurse kinezja doli shpejt nga xhupi ku ishte fshehur, kapërceu pragun dhe ndali papritmas. Ktheu nga ne sytë që xixëllonin dhe na këqyri me ngulm, me radhë.
“Po na mallkon.”, mendova dhe m’u rrëqeth çdo qelizë, ndërkohë që edhe unë po zhbiriloja brenda syve të saj.
Por pashë veç një qeshje të madhe, të përzier me mëshirë.
Kur po kalonte pragun dëgjuam një kërcitje të lehtë.
Iku si flutur kinezja e na la neve në siklet, me një fendë, se as pordhë nuk ishte!

Tiranë, 4 prill 2020

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *