Press "Enter" to skip to content

Pesë poezi nga libri “Lojë shahu në shekullin XXI”

Dy mendime

Kur unë mendoj për ty
kam qëndrim vertikal:
shpatëz në një dorë dashurie.
Plagëzën që do të hap në trup
do ta kthej në zog
mes brohorisë së trëndafilave.

Kur ti mendon për mua
ke qëndrim horizontal:
shigjetë e një busulle të çuditshme
unë – fusha magnetike.

Në cilin pyll kemi humbur
dhe cili përralltar do na gjejë…

Lojë shahu në shekullin XXI

Shahu është shpikur në shkretëtirë, e dashur
jo për luftë, për dashuri.
Çdo mëngjes marr një gur shahu në xhep (të bardhin)
dhe ti dashuria ime çdo mëngjes
një gur shahu merr me vete (të ziun)
dhe zbresim ne Tiranën tonë me kuadrate:
skakierë gjigante ngjyrëmiu.
Lëvizja e parë:  unë – një ushtar (të papunë)
vendos te Ushtari i Panjohur
Ti – një kalë të zi (si në Trojën pas Helenës)
te kali i Skënderbeut.

Përsëri të nesërmen me gurë të rinj në xhep
vazhdojmë shahun  tonë absurd.
Unë lëviz kalanë pranë një cisterne nafte
dhe na shfaqet mirazhi i Bagdadit
me tigra zjarri buzë lumit Tigër.
Dhe na shfaqen nizamët e vjetër shqiptarë në Qerbela
nën korbat që u hanë sytë.

Ti lëviz oficerin te kulla e Sahatit
dhe bora e minutave krijon Dashurinë…
Luajmë çdo ditë nga një lëvizje
unë të kërcënoj me raketa erosi
ti me kamikazë xhelozie.
Mbretëresha ime tronditet, këndon arie trishtimi
mbreti yt mizor dridhet – dhe ai ka gjunjë,
flamujt e bardhë i duken qiej të shtrydhur në buzët shkrumb.
Netëve rrimë pagjumë dhe mendojmë lëvizjen e ardhshme
të spërkatur me pak puthje
pak mall e pak pabesi…
Fitimtarët do jenë humbësit e vërtetë
nëse kjo lojë nuk del remi…

Nju Jorku pa dallëndyshe

Në Nju Jork nuk paska dallëndyshe
si nuk paska dallëndyshe!?
Ndaj qielli i Nju Jorkut është i ftohtë
se nën sqetullat e grataçelave
nuk ngrenë fole dallëndyshet…
Hap fjalorët, gjeje fjalën dallëndyshe
gjej diku një folezë me pak baltë e pak bar.
Herën tjetër me avion do t’i sjellë dy dallëndyshe
në Manhatan nëpër xhepa do t’i mbajë
le të dukem pak i marrë
le të dukem pakëz ndryshe
veç Nju Jorku të mësohet
me surprizën dallëndyshe.

Krijimi i fjalorthit shqip nga udhëtari gjerman Arnold fon Harff më 1497

 
Udhëtonte për te varri i Krishtit
Deti për të ishte rrugë me histori
dhe malet në krah: papiruse që shkruheshin nga Dielli.

Nga kapiteni i thinjur i anijes “Durazzo”
mësoi diçka më shumë për Gjergj Kastriotin
për shqiptarët e ikur në Italinë jugore
mësoi dhe urimin “Mirë se të ndesha!
Pastaj fjalët:           Bukë
                            Kripë
                            Verë
                            Peshk
                            Tavernë

Atëherë vendosi: do të ndalem!
Spiranca jo më kot ka formë zemre.

Vera dhe peshku i ndezën dëshirat.

Pa një vashëz me bucelë në sup:
u hepua.
Harroi se dhe këtu kish vashëza
prej shkume dallge dhe bore:
u freskua.
E pyeti për pak fjalë:  Ujë
                                Kalë
                                Elb
                                Njeri
                                Grua
tha vajza dhe qeshi.
Nuk e pyeti për fjalën Dashuri
sepse ajo iku pas një flete të gurtë papirusi

Pastaj takoi një plak
të verbër nga shikimi i tepërt: Mirë se vjen
                                            Qiri
                                            Dreq
                                            Keq
Plaku e mësoi se burrat luftëtarë
zbërthejnë fatin e tyre
nga loja e flakëve në shpatullat lakuriqe.

Në muzg te lumi takoi një nënë
me një mall pagan:  Mirëmbrëma
                             Zot
                             Lamë një këmishë…
Arnold fon Harffi shënonte në fletoren e vockël
ato fjalë të vockëla.
Ishte pranverë
sepse kur shkoi te varri i Krishtit
rastësisht i ra fletorja dhe fjalët shqip
ende mbanin aromë trëndeline.

 

Me “Boing” dhjetë mijë metra mbi Atlantik

Në kufirin mes ditës dhe natës
ke ndjesinë se Zoti
qëron një portokall…

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *