Shtëpia e letërsisë shqipe

Cikël poetik

Hierarkitë

Nën diell
me sy bufi e spaleta akulli:
hierarkitë letrare.

 

Vajtojcat

Pas çdo vdekjeje – ato
me të zezën e zakonshme në trup
me të bardhën e magjishme në zë.

Aq poetike vajet,
sa i vdekuri
dhe vdekjen e lë.

 

Vdekja e murgeshës

Kur vdiq ajo
kambana nuk ra…
E gjetën kambanarin
tek po qante.

  

Qaj

Qaj.
Toka ime – tavëll duhani,
ku ka mbetur veç hiri.
Qaj.
Heshtja si kambanë pa gjuhëz,
me lotët e mi ndez tingullin e saj.
Qaj.
Vuajtja ulërin në thinjat e babait,
e kuqja braktis trëndafilin e majit.
Qaj.
Tik-taku i orës farkëton dëshira,
zemra – mrekullira.
Qaj.
Nga toka ime shtegtuan zogj prej ari,
a do të kthehen vallë në qiej shqiptari?!
Qaj mbi të vdekurit e mi,
mbi hallet e tokës së lashtë
lot apo nitroglicerinë,
që shpirtin hidhërimit ia plas.

                                           2 mars, 1992

Njerëzore

Papritmas m’u fanite,
magjepsëse,
si hija e dallëndysheve,
detarit në oqean.
Veç hijen tënde,
me ca ligje të çuditshme,
e shkëpus nga ty,
me zemrën e mbaj pranë.

 

Heroi

Detin e rrahën me vetëtima,
e lidhën me lumenj në çdo anë.
Harruan se po bëhej
OQEAN.

 

Avioni – klub

Kam parë një avion të kthyer në klub: nga malli qiellor elikat oksidoheshin
zhurma e ekspresit të kafesë: psherëtimë brenge e pafund,
një qeshje ironike në qoshe të aeroportit.
Deheshin pilotët veteranë me këmbë e duar ortopedikë,
mburreshin pilotët e rinj të avionëve spiunë
Avioni – klub: eunuk në oborret e kalifëve
të dashurojë qiellin më nuk mund.
Kam parë një avion të kthyer në klub
shkëlqente si barku i një peshku të vrarë nga dinamiti.
Qielli mbi të hidhte shi me turp
elikat nga një mall i verbër – ndryshkeshin.

 

Thika çudirash

Mos i mblidhni virgjëreshat nën shiun e Danajt,  mos i frymëzoni qiejt të shpikin shira
ideve lidhjuani sytë si djalit të Baterflajt dhe veten vrisni me thika çudirash.
Një thikë është skafi i anijes dëshirë: shkoi drejt mirazhit dhe ngeci në rërë
Ah, ç’ishe ti lakuriq, ëmbëlsisht e nxirë dhe unë i shtrirë nën ty – një plazh i tërë!

Një thikë është etja në buzët e të vrarit dhe “krrau” i një korbi që përbri shëtit
Ah, ç’ishe ti, e holla – një fijëz bari: dridhja e shpirtit tënd xheloz bënte qirinjtë…
Një thikë është qelqi në buzët e të dehurit dhe vera që spërkat ca flokë të mëndafshtë
Ah, ç’ishe ti – dhe mjalti dhe vreri dhe shpirti im i vrarë që shëtit jashtë.

                                                                        8 nëntor, 1993

Mesazh në detin e shpresave të vdekura

Isha fëmijë. Në shishen e blertë mbylla mesazhin e shkruar me ndroje
dhe e hodha në det: të lundroj, të lundroj, të lundroj.
Veç kur u plaka, u kërrusa dhe ylli i pleqërisë m’u bë tumor te buza
një natë vala te këmbët e mpira më solli shishen e blertë:
bashkë me ato që dikur kisha shkruar lexova mesazhin absurd që më sillte një jetë…
I plakur siç isha
i rrudhur, i pakët
u futa te shishja
u hodha te dallgët
që nesër të më gjejë
(jo nipi)
po fëmijëria ime e largët.

                                                Nëntor, 1993

Etje

Kam etje të pi. Shkretëtira qesh me mua
më vjen në ndihmë kujtesa më jep një mirazh:
ti e freskët, det vere
            në një nudizëm të mëndafshtë

Kam etje të pi po të gjithë brigjet i paskan helmuar
dhe unë s’jam i zoti të shpik një oaz:
Syri yt i bukur – bletëz e harbuar
            thithka vesë lulesh e në buzë ma zbraz.
                                               19 dhjetor, 1993

(Këto poezi janë shkëputur nga libri “Zgjohu princesha ime!”, 1995)

 

Mund t’i kombinoni: Kadare poezi, prozë autorë të huaj, Ahmetaj dashuri.