Press "Enter" to skip to content

Nga Homeri te Borgesi

1.
Pa rrugë
pa shtëpi
në një sy
të Homerit
po rri.

2.
Nga shtëpia e Homerit te shtëpia e Borgesit
miliona shkopinj: degë nga pemët e dritës
me sythe sysh, klorofil.
Degë me mallin për bilbila.

Nga shtëpia e Homerit te shtëpia e Borgesit
i mblodha shkopinjtë e të verbërve (të vdekur e të gjallë)
Na mbillni, thërrisnin, na mbillni anës rrugëve.

Borgesi dhe Homeri
dy pika
të një vije të rrallë.

3.
Të vdekurit shkruajnë libra me alfabetin e barit,
vargje bari mbi Trojë dhe në sytë e Homerit,
kapituj të blertë në mençurinë e Borgesit,
ku njerëzit kthehen në hije prej dheu,
e ku brenda secilit vrapon një sozi.

Të vdekurit shkruajnë libra e ne përpiqemi të lexojmë,
të gatshëm për të vdekur që të na lexojnë të tjerët.

4.
Rërë e zhgënjyer nga floriri.
Hije e zhgënjyer nga drita.
Si vesa e qumështit,
pikuar nga gjiri,
pikon,
Aleksandria,
nga librat.

5.
Pse janë të shtrirë s’mund të quhen të mundur të vdekurit.

6.
Fishkëllej motivin e njohur nga të gjithë,
në çastet kur mbledhim supet.

7.
Në Shqipëri
bari është bërë
për t’u shkelur,
lulet për t’u këputur
dhe njerëzit
për t’u vrarë.
Zeroja paska vlerë,
te zeroja
kemi varret…

8.
Sytë e të verbërve
veç zero
nuk janë.

9.
Dhe i verbëri
i ka lotët
pasuri,
natyrisht dhe unë,
që hyj te njerëzit
me një sy.

10.
Nga shtëpia e Homerit te shtëpia e Borgesit,
i mblodha shkopinjtë e të verbërve (të vdekur e të gjallë).

Borgesi dhe Homeri: dy pika të një vije të rrallë.

Korrik, 1995 – dhjetor, 1998

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *